Referendumi italian, çfarë do të sillte për euron

Investitorët që po përpiqen të marrin veten nga tronditjet në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shqetësohen edhe për të ardhmen e Italisë në bashkimin monetar. Ata janë të shqetësuar se humbja e kryeministrit Matteo Renzi në referendumin e reformave kushtetuese më 4 dhjetor do të ndikonte shumë në stabilitetin e dobët politik të vendit. Megjithatë largimi i Italisë nga euro nuk duket si diçka që mund të ndodhë së afërmi sepse diçka e tillë do të kërkonte mbështetje politike nga të gjitha partitë, si dhe një proces të vështirë legjislativ.

Përse janë shqetësuar tregjet?
Dështimi i Renzit, i cili propozoi votimin dhe fillimisht u zotua se do të jepte dorëheqjen nëse rezultati nuk do të jetë ai që dëshiron, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të rrisë mbështetjen me Lëvizjen me Pesë Yje populiste. Kjo parti ka premtuar se do të mbajë një referendum nëse Italia duhet të qëndrojë apo jo brenda Bashkimit Europian. Disa investitorë që tani kanë filluar të parashikojnë fundin e Bashkimit Europian, jo më të monedhës së përbashkët. “Ne mendojmë së BE-ja do të tronditet akoma më shumë dhe se Italia do të largohet nga zona euro”, thotë Jim Smigiel, menaxher investimesh në kompaninë “SEI Investments Co”. “Deri para pak kohësh diçka e tillë ishte e paimagjinueshme, e pamundur, por kemi filluar të ndryshojmë mendim”.

Sa antieuro është Lëvizja me Pesë Yje?
Partia euroskeptike ka bërë fushatë aktive për të mbajtur referendumin e largimit të vendit nga monedha e përbashkët. Luigi di Maio, zv.president i dhomës së ulët të partisë tha se nëse partia ngjitet në pushtet, do të kërkojë një referendum këshillimor mbi të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Europian. Di Maio nuk e ka bërë të qartë se me çfarë do të donte ta zëvendësonte monedhën dhe gjatë një interviste për “Repubblica” ka thënë se favorizon “një euro me dy vlera ose rikthimin e monedhës kombëtare”.

Frikë e ekzagjeruar?
Për shkak se largimi nga zona euro do të kërkonte negociata të gjata dhe komplekse, mendohet se diçka e tillë do të ishte tepër e pamundur. Siç ka zbuluar edhe Britania në çështjen gjyqësore për nenin 50, largimi i plotë ose i pjesshëm nga Bashkimi Europian nuk është aq i lehtë saç mendohej. “Ideja që Italia mund të largohet një ditë nga zona euro pas referedumit, ndoshta edhe më vonë, është tepër e ekzagjeruar”, thotë Antonio Villafranca, një analist europian në Institutin italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare. Edhe sikur të mbahen zgjedhje të parakohshme pas dështimit të Renzit, shanset e Lëvizjes me Pesë Yje për të marrë në dorë pushtetin varen shumë nga ndryshimet e sistemit zgjedhor. Të fitosh zgjedhjet mund të mos jetë e mjaftueshme sepse partia mund ta ketë të vështirë të gjejë aleatë të mjaftueshëm për të formuar mazhorancën parlamentare”, vazhdoi  Villafranca. Së fundi, ka shumë e shumë pengesa ligjore që e bëjnë pothuajse të pamundur largimin nga Bashkimi Europian.

Cilat janë pengesat ligjore?
Kushtetuta italiane e ndalon shfyqizimin e traktateve ndërkombëtare me votë popullore, ndaj do të nevojiteshin amendamente kushtetuese përpara se të thirrej referendumi. Një amendament i tillë do të kërkonte votat e dy të tretave të të dyja dhomave të Parlamentit, madje mund të nevojitej një referendum vetëm për të vendosur nëse duhet mbajtur apo jo referendumi për të dalë nga Bashkimi Europian. Edhe sikur italianët të votonin “po” për t’u larguar, rezultati do të bllokohej përsëri nga Gjykata Kushtetuese, një nga gjykatat supreme të vendit.

A duan italianët të largohen nga euro?
Mesa duket jo. Një sondazh i publikuar më 21 nëntor nga gazeta italiane “La Stampa” dhe i zhvilluar nga Qendra e Kërkimeve Mediatike Intesa Sanpaolo SpA, zbuloi se vetëm 15,2 për qind e popullsisë italiane favorizonin idenë e largimit nga zona e monedhës së përbashkët, ndërsa 67,4 për qind e tyre ishin tepër të kënaqur me sistemin e monedhës së përbashkët. Atëherë, përse gjithë ky shqetësim? Këto janë vetëm të panjohurat e njohura. Ajo që dihet është se humbja e Renzit në referendumin e muajit të ardhshëm do të sillte pa dyshim trazira politike dhe ekonomike. Këto lloj trazirash kohët e fundit kanë sjellë pasoja të parashikuara.

Artikulli paraprakPse Berlini e ktheu Ramën duarbosh
Artikulli tjetërFranca thërret mbledhje të OKB-së për Aleppon