Franca thërret mbledhje të OKB-së për Aleppon

Franca ka bërë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Aleppon.
Në një deklaratë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se “më shumë se kurrë ka nevojë emergjente për një armëpushim dhe qasje të papenguar të ndihmave humanitare” për banorët në qytetin e rrethuar.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 16 mijë civilë kanë ikur nga Aleppoja Lindore gjatë ditëve të fundit, pas përparimit të qeverisë siriane.
Të martën Observatori për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se të paktën 10 civilë u vranë në një sulm ajror në Bab al-Nairab, një lagje lindore që ende mbahet nga forcat kryengritëse.
Aktivistët dhe media shtetërore siriane thanë të hënën se forcat qeveritare kanë shënuar një varg fitoresh mbi luftëtarët opozitarë në Aleppon Lindore, si pjesë e një strategjie që qartazi synon ndarjen në dysh të pjesës së qytetit të kontrolluar nga kryengritësit.
Aleppo është në qendër të përpjekjeve të ushtrisë siriane të mbështetura nga sulmet ajrore ruse. Situata atje ka nxitur shqetësimin ndërkombëtar për shkak të 250 mijë civilëve që kanë mbetur të kurthuar nën rrethimin e qeverisë, pa ushqime dhe furnizime mjekësore.
Në Washington, Departamenti i Shtetit shprehu “zemërimin e thellë” me bombardimet e fundit në Aleppo duke e bërë përgjegjëse Moskën.
“Ajo që ne kemi vazhduar të themi është se Rusia mban përgjegjësinë kryesore për atë që regjimi sirian është duke bërë dhe që po lejohet të bëjë në kuptimin e viktimave shkatërruese civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile, përfshirë edhe spitalet në dhe përreth Aleppos”, tha të hënën zëdhënësi John Kirby.
Ai tha se po vazhdojnë përpjekjet shumëpalëshe në Gjenevë për të diskutuar rrugët për të siguruar një “kuadër të ndërprerjes së armiqësive”.
Agjencia shtetërore SANA, citoi një burim ushtarak të ketë thënë se ushtria mori lagjen Al-Sakhour dhe mënjanoi minat e lëna prapa nga “terroristët”, një shprehje që qeveria e përdor për të përshkruar këdo që i kundërvihet presidentit Bashar al-Assad.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, raportoi po ashtu se ushtria ka vënë nën kontroll qarkun Al-Sakhour dhe disa lagje të tjera.
Drejtori i Observatorit, Rami Abdulrahman, e cilësoi humbjen si më të rëndën që kur kryengritësit e morën gjysmën e Aleppos në vitin 2012 dhe tha se opozita ka humbur një të tretën e territorit që kontrollonte në qytet.
Një numër i madh i banorëve kanë ikur nga Aleppoja Lindore në pjesën perëndimore të kontrolluar nga qeveria gjatë ditëve të fundit. Khaled Khatib, që punon për një grup vullnetarësh të shpëtimit të njohur si “Helmetat e Bardha” e përshkroi situatën në Aleppon Lindore si “shumë, shumë të rëndë”.
“Mijëra po ikin nga lindja në perëndim të qytetit” shkroi ai në Twitter. “Aleppo po vdes”.
Trupat qeveritare të mbështetura nga aleatet rusë filluan të depërtojnë në Aleppon Lindore më herët gjatë këtij muaji pas disa ditë bombardimesh të dendura nga avionët rusë dhe sirianë.
Ambasadorja amerikane, Samantha Power, tha se sulmet ajrore janë dëshmi se regjimi dhe Rusia po vazhdojnë me strategjinë “vdisni nga uria, prisni bombat ose dorëzohuni”.
Komentet e saj javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ishin pjesë e kritikave të ashpra ndaj aksioneve të Rusisë dhe Sirisë në Aleppon Lindore.
Moska dhe Damasku i kanë përshkruar vazhdimisht luftimet kundër kryengritësve në Aleppon Lindore si betejë kundër terroristëve pavarësisht popullatës civile. Të dyja qeveritë kanë përdorur fjalën “terrorist” për të arsyetuar bombardimet vdekjeprurëse dhe mesa duket pa dallim në atë zonë.
Diplomatët dhe organizata për të drejtat e njeriut thonë se Moska dhe Damasku mund të përballen me hetimet për krime lufte për rolin e tyre në shkatërrimin e Aleppos Lindore.

Artikulli paraprakReferendumi italian, çfarë do të sillte për euron
Artikulli tjetërSulmi në Ohio mund të jetë terrorist