Receta ndaj Francës

Padyshim që Islanda është përralla e bukur e këtij europiani, një përrallë pa mbret, duke qenë se forca e saj nuk është te individi, por te skuadra. Këto ditë informacionet apo statistikat e vendit me diçka më tepër se 300 mijë banorë që eliminoi nga skena kontinetale Anglinë e madhe kanë qenë ndër më të klikuarat në internet, e jashtëzakonisht interesant edhe fakti se një ndër trajnerët e skuadrës Heimir Hallgrimson, si profesion të parë ka atë të dentistit. Nëse nuk e keni besuar, mund ta shikoni në këto pamje teksa bën një punë tjetër nga ajo e trajnerit, në klinikën e tij në Islandë. Tani, dentisti që drejton Kombëtaren përkrah suedezit Lars Lagerback, me filozofinë e qetësinë e një mjeku, jep recetën për një sukses ndaj Francës, që nuk ndryshon shumë nga ajo që nxorri jashtë Anglinë.
“Presioni ishte i tëri për Anglinë dhe kjo pati një efekt të madh. Ne në atë pikë i kishim fituar mbështetësit tanë me paraqitje të mëdha, dhe kështu shkuam në atë ndeshje për të treguar se çfarë mund të bënim, për të dhënë më të mirën. Edhe ndaj Francës është ekzaktësisht njëlloj, ne shkojmë të qetë për të treguar se ç’mund të bëjmë. Nuk kemi presionin e botës përsipër, për ta fituar ndeshjen. Sigurisht, që ne duam ta fitojmë, por edhe nëse nuk e fitojmë bota nuk do të çmendet. Ky është një bonus i madh për ne”, u shpreh ai.
Për përballjen e radhës ndaj vendit organizator të Euro 2016, trajneri i Islandës ka marrë një leksion edhe nga përballja e gjelave me Shqipërinë. “Kanë shumë individë të talentuar dhe kanë treguar se mund t’i fitojnë ndeshjet me gola në fund dhe lojtarë që vijnë nga stoli. Mendoj se shënojnë në fund, pasi i lodhin kundërshrtarit. Ata luftojnë deri në fund dhe shënojnë në fund, pasi kanë shumë zotërim të topit, ata e lodhin kundërshtarin ndaj ne këtë duhet ta kemi në mend, duhet të mbetemi të përqendrtuar për gjithë ndeshjen, jo vetëm 90 minuta, ndaj francezëve bëhet fjalë për 94, 95, apo 96 minuta”, përfundoi trajneri i Islandës.
Trajnerët e kësaj skuadre, Heimir Halgrimson dhe Lars Lagerback, nuk i kursyen lëvdatat për futbollistët e tyre, duke shtuar se mund të vazhdojnë të bëjnë surprizën në këtë eveniment. Ajo me Anglinë ishte ndoshta ndeshja jonë më e mirë si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues, tha Halgrimson, nuk e kishim aspak problem të markonim lojtarët anglezë madje krijuam edhe raste të tjera shënimi.
Por më e mira nuk ka ardhur ende. Po e përsëris, nuk e kemi treguar ende çfarë mund të bëjmë, kështu që ndeshja jonë më e mirë është për t’u zhvilluar akoma. Nëse përgatitemi mirë dhe nëse lojtarët ruajnë këtë sjellje në fushën e lojës, mund të fitojmë ndaj çdo skuadre. Islanda do të luajë në çerekfinale me Francën të dielën e 3 korrikut dhe djemtë e Deshamps janë paralajmëruar.

Artikulli paraprakGjermanët besojnë te fitorja ndaj Italisë
Artikulli tjetërDo të qëndrojë te Konyaspor