Reali kthehet te fitorja ndaj Malagës

Reali i Madridit është kthyer te fitorja pas dy humbjeve radhazi në La Liga dhe Kupën e Mbretit, përkatësisht ndaj Seviljas në transfertë dhe Selta Vigos në shtëpi. Ditën e sotme, “galaktikët” mposhtën me rezultatin 2-1 në shtëpi Malagën në ndeshjen e vlefshme për javën e 19 të La Ligës. Kapiteni i madrilenëve, Serxhio Ramos, realizoi një dopietë në pjesën e parë në minutat 35 dhe 43, duke e çuar ekipin e tij në pushimin mes pjesëve në epërsinë e dy golave. Në pjesën e dytë, Malaga ngushtoi diferencën me anë të Huanpi në minutën e 63-të, por vetëm kaq pasi rezultati nuk ndryshoi më deri në fund të ndeshjes.
Pas këtij takimi, Reali udhëheq La Ligën me 43 pikë të grumbulluara në 18 ndeshje, 4 pikë më shumë se Sevilja e vendit të dytë që ndeshet nesër në transfertë ndaj Osasunës. Megjithatë, pasi andaluzianët të luajnë ndeshjen e tyre për këtë javë, Reali do të jetë sërish me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Artikulli paraprakPaqe me Costën
Artikulli tjetërNainggolan, “molla e ndaluar” e të mëdhenjve