Paqe me Costën

Diego Costa rikthehet të luajë për Chelsea-n. Sulmuesi i Bluve të Londrës do të aktiviziohet që nga minuta e parë në takimin kundër Hull City. Nisur nga kjo mund të thuhet se, tensionet mes tij dhe trajnerit Antonio Conte janë lënë pas. Madje, për këtë gjë ka folur dhe tekniku italian, i cili deklaroi se shumë gjera që u thanë në lidhje me debatin mes tij spanjollit ishin të pavërteta. Gjithashtu, Conte nuk nguroi të thurte elozhe për sulmuesin. “Shumë gjëra që janë thënë nga media nuk janë të vërteta. Costa është një futbollist i jashtëzakonshëm. Ai do të vazhdojë të qëndrojë tek Chelsea dhe shpresojë që sëbashku të vazhdojmë të festojmë shumë fitore. Tashmë, ai është rikuperuar nga dëmtimi që pësoi dhe është në dispozicion të skuadrës për takimin kundër Hull City”, u shpreh Konte.
Më tej, trajneri i Chelsea-t foli dhe për të ardhmen e sulmuesit. Sipas teknikut 47-vjeçar, spanjolli ndihet shumë mirë në radhët e klubit dhe dëshiron që aventura e tij tek Blutë e Londrës të vazhdojë. “Është e vërtetë që për të ka shumë oferta por, personalisht e cilësojë Diegon si një nga elementët më të rëndësishëm që ka skuadra. Gjithashtu, mund të shtojë se ai është i lumtur që luan për ne dhe dëshiron ta bëjë këtë gjë edhe për disa  vite”, tha ai.
Ndërkohë, Mançester Junajtid nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në duelin e sotëm ndaj Stouk Sitit, ku i është dashur të presë deri në minutat shtesë për një kryevepër të Uejn Runit, për të siguruar të paktën një pikë, pasi thuajse gjatë gjithë ndeshjes ishte në ndjekje të vendasve pas autogolit të Mata. Runi, i aktivizuar vetëm në minutën e 67 pikërisht në vend të mesfushorit spanjoll, tregoi klasin e tij me një goditje dënimi të jashtëzakonshëm në fundin e ndeshjes, duke dërguar topin në rrjetë për të shënuar rekordin e ri si golashënuesi më i mirë në historinë e Mançester Junajtid. Ai arriti 250 golat me fanellën e “djajve të kuq”, duke kaluar legjendën Sër Bobi Çarlton.
Liverpuli hedh një tjetër hap të gabuar që mund t’i kushtojë shtrenjtë në garën për titull në Premier Ligë. Të kuqtë u mposhtën 3-2 në shtëpi nga Suonsi në ndeshjen hapëse të javës së 21-të. Pas një pjese të parë pa gola, sfida në “Anfield Road” u ndez në të dytën. Fernando Jorentes i mjaftuan vetëm pesë minuta për t’i çuar miqtë në epërsi të dyfishtë me dopietën personale të realizuar në të 48-ën dhe 53-ën. Përgjigjja e vendasve nuk vonoi dhe në minutat 55’ dhe 69’ dygolëshi i Roberto Firminjos riktheu baraspeshën. Megjithatë drama e vendasve u shkrua në të 74-ën, kur Sigurdson shënoi golin me vlerën e tri pikëve për Suonsin.

Artikulli paraprakSeria A, ja si do të luajnë shqiptarët
Artikulli tjetërReali kthehet te fitorja ndaj Malagës