Reaksioni i një shteti të padrejtë

Bledi KASMI

Mijëra besimtarë iu drejtuan dje që në orët e para të mëngjesit bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të kryer ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit. Shtrojet e gjelbërta dhe rreshtat e drejtuar të besimtarëve e bënin më të hijshme pamjen e kësaj ceremonie, e cila nga viti në vit po shton radhët.
Në një vend si Shqipëria ku toleranca fetare është një nga vlerat e shenjta dhe ku ekstremizmi nuk ka gjetur terren, tejmbushja e faltoreve, qofshin ato të besimit islam apo të besimit të krishterë, është një ogur i mirë i një populli që e ka lënë pas historinë e errët komuniste të mohimit të Zotit, persekutimit të klerit dhe të vënies së kazmave mbi këto objekte kulti.
Shqipëria po përjeton një ringjallje të vërtetë të besimit. Konstatohet një rritje e numrit të besimtarëve në të gjitha objektet e kultit gjatë viteve të fundit. Xhamitë e Tiranës janë të tejmbushura në muajin e Ramazanit, jo vetëm në oraret e caktuara të faljeve, por përgjatë gjithë natës deri në agim. Një karakteristikë tjetër është se pjesa më e madhe e tyre janë praktikantë që nuk i përkasin moshës së tretë, por janë të rinj dhe madje shumë të rinj.
Po përse numri i atyre që besojnë dhe po drejtohen gjithnjë dhe më shumë nga Zoti po shtohet nga dita në ditë? Në librat e shenjtë e ka një shpjegim. Zoti thotë se udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. E ndërsa kjo është një e vërtetë universale e besimit, duhet të ketë edhe një shpjegim tjetër social.
Nga përmasat që ka marrë, besimi është kthyer në një institucion të rëndësishëm dhe ai nuk mund të nënvlerësohet më. Në kushtet kur të gjitha institucionet e tjera të shtetit po njohin një degradim, një krizë të fortë morale, kur korrupsioni po gërryen themelet e ekzistencës së shtetit, kur krimi i njehsuar me pushtetin nuk po njeh më limite dhe kur antivlerat e shukrive dhe lizave, frrokëve dhe prengave janë në krye të punëve të shtetit, atëherë ata mijëra e mijëra besimtarë që shtohen nga viti në vit duhen parë si një “armatë” e njerëzve të zhgënjyer nga realiteti që kanë humbur besimet tek këto institucione dhe po kërkojnë një ringritje jo thjesht dhe vetëm shpirtërore, por mbi të gjitha morale, duke u drejtuar tek institucioni i besimit.
Reaksioni që prodhon një shtet i padrejtë mund të jetë i gjithanshëm. Tani po bëhemi dëshmitarë se si ai po braktiset. Qindra mijërave të larguar në këto dy vite të fundit nga vendi i shtohet edhe fakti tjetër, se këto imamë dhe priftërinj po frymëzojnë sot shqiptarët më shumë se kryeministri.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetër