Reagimi i Merkel ndaj deklaratës së Trump

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu sot pakënaqësinë për dështimin e mundshëm të marrëveshjes për Partneritetin Trans-Paqësor, pasi presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përsëriti se do që të tërhiqet prej saj. Në një fjalim para parlamentit, ajo tha se Gjermania duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe dënoi sulmet ndaj spitaleve në Siri.
Zonja Merkel nuk e përmendi zotin Trump me emër në fjalimin e saj, por e bëri shumë të qartë pakënaqësinë e saj ndaj qëndrimit të tij për pakte të rëndësishme tregëtare.
“Do të ketë edhe marrëveshje të tjera tregëtare, por nuk do t’i kenë standardet që ka pakti për Partneritetin transpaqësor dha ai i pritshëm për Tregëti Transatlantike dhe Investime”, tha ai.
Kancelarja gjermane foli edhe për nevojën e rritjes së buxhetit të mbrojtjes së Gjermanisë, duke thënë se duhet të jetë afro 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithëse e pranoi se një synim i tillë mund të mos realizohet në të ardhmen e afërt.
“Por drejtimi duhet të jetë i qartë, se ajo që kemi premtuarsë bashku për një kontribut për NATO-n, jo vetëm Kristian-demokratët, por edhe social-demokratët, duhet t’i afrohemi atij objektivi dhe ta plotësojmë atë”.
Zonja Merkel shprehu gjithashtu shqetësimin për gjendjen në Siri, duke kritikuar ashpër sulmet ndaj spitaleve dhe qëndrimin e Rusisë.
“Ka shumë tregues se spitalet dhe qendrat mjekësore po bombardohen me qëllim dhe kjo është kundër të drejtës ndërkombëtare, duhet të ndiqet në bazë të së drejtës penale dhe regjimi i Assadit duhet ta dijë një gjë të tillë. Dhe është shumë për të ardhur keq që Rusia po e mbështet këtë regjim”.
Duke folur për Turqinë, kancelarja gjermane Merkel tha se ishte e rëndësishme që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit, por se kjo nuk duhet të jetë një pengesë për të kritikuar ngjarjet “alarmuese” në vend, duke përmendur kufizimet e lirisë së shtypit dhe arrestimet e mijëra vetëve.

Artikulli paraprakNeni 17 që pengon drejtimin e Komisionit të CEZ nga Balla
Artikulli tjetërBurgim i përjetshëm për ish-zyrtarin e UDB-së