Raporti i “Freedom House” goditi qeverinë, zhbëri retorikën e Rithemelimit, i dha të drejtë PD-së

Nga Namir Lapardhaja

Organizata “Freedom House”, e cila raporton dhe monitoron lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën, publikoi të enjten raportin e saj për Rajonin, ku një vend të posaçëm kishte edhe Shqipëria.

Ndonëse politika ditore është futur në një qorrsokak paradoksal, ku grupimi i Rithemelimit paradite bën sikur proteston kundër qeverisë, ndërsa pasdite ulet buzë më buzë dhe vesh më vesh në pazar për të mbajtur fort radhët dhe për të mos lënë sistemin që të bjerë, qeveria është zënë në çarkun e korrupsionit, ku përditë nga një zyrtarë i lartë i bie në rrjetën e Dumanit, Bashkia Tiranë, si institucioni më i rëndësishëm vendor, është në prag kapitullimi përpara SPAK-ut, ndërsa PD zyrtare vijon rrugën e saj të ngadaltë, por të sigurt, për të pritur që të pastrohet e gjithë fusha e “lojës” dhe për t’u konfiguruar i gjithë realiteti politik, ka një sy vigjilent atje në Washington që monitoron dhe sheh se si zhvillohet gjithçka, duke dhënë herë pas here “goditje”, me qëllim reflektimi dhe qartësimi.

Përveç elementeve të përgjithshme të raportit të “Freedom House”, ai goditi rëndë qeverinë, zhbëri retorikën e Rithemelimit dhe i dha të drejtë Partisë Demokratike në shqetësimet e saj.

Së pari, në dallim nga ajo që retorika dhe propaganda mundohet të paraqesë si një qeveri dhe një kryeministër i pëlqyer nga amerikanët dhe evropianët, raporti sendërtoi një qeveri autoritare dhe të korruptuar, e cila nuk qëndron në pushtet si pasojë e pëlqimit të njerëzve dhe e meritës së punës së saj, por ajo ka konsoliduar edhe më shumë pushtetin “duke shfrytëzuar përçarjen dhe konfliktin e opozitës”. Në kushte të një opozite tjetër, në partneritet me SHBA dhe e qartë në luftën kundër korrupsionit dhe duke përjashtuar nga radhët e saj të dizenjuarit si “Non grata”, sigurisht që nuk do të kishim këtë qeveri. Praktikisht, konflikti në radhët e opozitës, mban qeverinë në pushtet.

Së dyti, zhbëri idenë e retorikës së grupimit të Rithemelimit dhe të përfaqësuesve të saj, se SPAK me porosi të qeverisë, “po mban liderin e opozitës në arrest shtëpie”. Për të parë se cili është koncepti për liderët e opozitës në regjimet autokratike, mjafton të shohësh raportet e “Freedom House” për vdekjen në burg të udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, reagimet e tyre dhe shqetësimin për shtypjen dhe nivelin e demokracisë. Ndërsa për “liderin e opozitës” shqiptare jo vetëm që nuk ka asnjë gjysmë fjale në këtë drejtim, por është pikërisht e kundërta. Berisha nuk shenjohet si një i burgosur i regjimit Rama, por “krahu i tij politik është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket sikur dëshiron të destabilizojë vendin”. Madje, ai së bashku me qeverinë blejnë opoinionistë dhe gazetarë për të dezinformuar opinionin publik me retorikë dhe propagandë që u interesojnë vetëm axhendave personale.

Së treti, raporti i dha të drejtë shqetësimit të përditshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë lidhur me “fushatën në rritje të dezinformimit nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe në opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut”. Në fakt, raporti duket se nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka marrë denoncimet dhe shqetësimet e PD-së lidhur me aleancën që Rithemelimi dhe qeveria kanë lidhur për të zhbërë dhe për të goditur Prokurorinë e Posaçme. Ashtu sikurse përmendte se “është jetike për demokracinë në Shqipëri për të larguar nga radhët e tyre politikanët e korruptuar”, gjë që duket se është një përkthim i përshtatur i argumenteve të PD-së zyrtare për t’u ndarë nga “Non Grata” dhe të gjithë të hetuarit dhe të dënuarit për korrupsion.

Sigurisht që raporti i “Freedom House” nuk e zhbën dot realitetin shqiptar, por ai është një letër lakmuesi i një syri të pavarur dhe të paanshëm për të sqaruar dhe peshuar se në anën e kujt është e drejta dhe e vërteta në këtë vend, pavarësisht konfliktit dhe retorikës asgjësuese, që mbahet gjallë nga lekët e korrupsionit 34-vjeçar.

 

 

Artikulli paraprakKryqëzimi i biznesmenëve si shërbim ndaj zyrtarëve publikë të korruptuar
Artikulli tjetërDeputeti dhe elektorati; kur tradhtohet vota e besimi?