Rama urdhëroi shkarkimin, Malaj: 28 deputetët e PS do të përballen në gjyq me mua

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj është shprehur në një intervistë për ‘Mapo’ se do të hedhë në gjyq nominalisht 28 deputetë të Ramës të cilët u përpoqën nëpërmjet një shpifje të kërkonin shkarkimin e tij nga detyra në Bordin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Malaj tha se duke filluar nga data 10 gusht çdonjëri prej 28 deputetëve nënshkrues do të përballen në gjykatë, sepse me veprimin e tyre që rezultoi një shpifje, kanë tentuar të cënojnë integritetin njerëzor dhe kredibilitetin publik të Malajt.

Malaj  u largua nga  PS-ja në vitin 2013 pasi për disa kohë udhëhoqi një lëvizje për mendim ndryshe brenda partisë, po që nuk gjeti terren përballë kryetarit të PS-së, Edi Ramës.

Malaj ka deklaruar se kur PS të dalë në opozitë do të nisin ta braktisin ata që u dehën nga pushteti i saj, ndërsa socialistët e vërtetë si ai do të qëndrojnë.

‘Kryetari i Kuvendit, Ruçi ka deklaruar se nuk gjen argumente ligjore për t’ua kaluar kërkesën 28 deputetëve në seancë ku votohet shkarkimi.

Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim për qëndrimet e mia publike. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.

Kërkesën e 28 deputetëve nuk e kishte nënshkruar ish-kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave dhe tani Zv.kryeministër, nuk e kishte nënshkruar as ish-ministri i Financave dhe tani kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave, përgjegjës për garantimin e pavarësisë reale të BSH. Pas kësaj analize, shqetësimi im është konkret: Kush e inicioi këtë kërkesë?

Pse nuk ka asnjë dokument konsultativ me drejtorinë juridike të Kuvendit, me komisionin e ligjeve dhe komisionin e ekonomisë e financave? Kam kërkuar dhe nuk më është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Nuk gjendet asnjë dokument qoftë edhe si memo e brendshme, por thjesht është keqpërdorur PS për shkarkimin tim. Shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nuk dallojnë dot detyrimet e tyre ndaj Kushtetutës me detyrimin për besnikëri partiake. Deputetët nuk e kanë parasysh betimin e tyre pa të cilin nuk mund të shpallen deputetë. Besnikëria ndaj partisë në asnjë rast nuk mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën, siç kanë bërë në rastin e propozimit për shkarkim.

Pse erdhi kjo kërkesë dhe a besoni se kjo kërkesë do të bëhet faktike në Kuvend? Nëse po, çfarë do të bëni ju? A keni mundësi ankimimi?

Në mbrojtje të pavarësisë reale të Bankës së Shqipërisë kam ndërmarrë disa hapa konkretë:

Bazuar në deklarimin publik të z. Ruçi se Kuvendi ia ka kaluar propozimin e 28 deputetëve qeverisë – me kërkesë me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar i jam drejtuar qeverisë të më japë mundësinë të dëgjohem përpara se të “shkarkohem përkohësisht”, pasi vendimin e qeverisë duhet ta miratojë jo më vonë se 30 ditë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhen 71 vota.

I kam kërkuar menjëherë me shkrim Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë që në mbledhjen e datës 7 gusht 2019, do të parashtroj kërkesën time për shkelje të Kodit të Etikës së Bankës së Shqipërisë nga tre administratorët e BSH-së.

Deklarata e BSH ishte e panevojshme sepse sistemi bankar s’kishte asnjë shqetësim nga deklaratat e mia të përhershme për sfidat ekonomike, sociale dhe politike dhe të jem kritik për raste konkrete të keqqeverisjes. Me tre administratorët do të ballafaqohem ne gjyq për shkelje të integritetit tim njerëzor dhe kredibilitetit publik.

Duke filluar nga data 10 gusht 2019, çdonjëri prej 28 deputetëve nënshkrues do të përballen në gjykatë sepse me veprimin e tyre që rezultoi një shpifje, tentuan të cenojnë integritetin njerëzor dhe kredibilitetin tim publik.

Ballafaqimi nëpërmjet proceseve gjyqësore është investimi më i mirë që unë do t’i bëj vendit tim në qartësimin e qeverisjes së tij në parimin e ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.

Pas këtyre proceseve gjyqësore, deputetët dhe administratorët e BSH nuk do të guxojnë më të keqpërdoren për të goditur mbrapa shpine të zgjedhurit në institucionet kushtetuese, pavarësia reale e të cilëve është pjesë e kolonave shtetformuese të çdo vendi.

Artikulli paraprakBasha nga Puka: Babëzia e Ramës e ktheu vendin në moçal varfërie dhe mjerimi. Është koha ta shporrim!
Artikulli tjetërPollo denoncon skandalin me “Air Albania”: 41% e aksioneve, pa hedhur asnjë lek, i përkasin…