Rama, urdhër kamikazes së tij për largim të hetuesve të Tahirit

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, pas ristrukturimit të Prokurorisë së Përgjithshme, do të bëjë shkarkimin e emërimeve dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“ReportTv” raporton se lëvizja e radhës së zonjës Marku do të jetë shkarkimi i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Prokurori Hajdarmataj është njëkohësisht udhëheqi i hetimeve për çështjen Tahiri-Habilaj.
Pozicioni i Kryeprokurores së Përkohshme, i pa parashikuar nga Kushtetuta, ngjason për nga kompetencat me rolin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, i cili nuk mund të emërojë apo shkarkojë prokurorë.
Me institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi, kjo e drejtë i kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Megjithatë duket se Arta Marku nuk po vepron si Kryeprokurore e Përkohshme, e madje as si Kryeprokurore e pavarur.
Ndërhyrja në një çështje me interes të lartë publik e politik si në rastin e çështjes Tahiri, lë të kuptohet se zonja Marku ka më shumë pushtet se sa u përfol në fillim nga OPDAT dhe EURALIUS.
Duket se kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka shkuar në zyrën e Adriatik Llallës me një plan të detajuar për të kryer një operacion të gjerë spastrimesh, ndaj gjithë drejtuesve në qendër dhe rrethe të cilët njihen, si “Grupi i Llallës”. Ndryshimet e para prekën drejtuesit e prokurorive më të rëndësishme në vend, duke filluar me Tiranën dhe vazhduar këto ditë me ato të; Elbasanit, Fierit, Kukësit dhe në fund të Durrësit.
Korridoret dhe zyrat në organin e akuzës zjejnë nga kjo reformë totale që po kryhet me shpejtësi, por deri më sot ata që kanë reaguar publikisht kundër vendimeve të kryeprokurores Marku, janë ish-drejtoresha për Marrëdhëniet me Jashtë dhe shefe e sektorit të dekriminalizimit, Rovena Gashi, si dhe bashkëshorti i saj që deri dje ishte në krye të Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina.
Gashi ndërkohë ka depozituar edhe një padi ndaj kryeprokurores Marku, ndërkohë që edhe bashkëshorti i saj bëri të njëjtën gjë ditën e sotme. Ky i fundit madje fillimisht ka refuzuar ta zbatojë urdhrin e shkarkimit. Por pas një situate të tensionuar paraditen e sotme në dyert e të njëjtës zyrë në Prokurorinë e Elbasanit, ku është “përplasur” me Adrian Nezhën e emëruar nga Arta Marku në vend të tij, duket se ka vendosur ta vazhdojë betejën vetëm nëpërmjet Gjykatës.

Hakmarrje ndaj Adriatik Llallës?

Të gjithë të larguarit e deri më tanishëm, konsiderohen si njerëz të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por nëse krerët e tjerë të akuzës nëpër rrethe kanë qenë të komanduar në ato detyra, duket se largimi i drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjana, më së shumti ngjan si një hakmarrje e pastër, pasi ai prej më shumë se dy vitesh ka qenë i emëruar në këtë detyrë dhe jo i komanduar.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat të shpërndarë nga drejtoresha e komanduar e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Alkeat Zifla, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit është caktuar përkohësisht prokuror në Pukë. Ajo që bie në sy për të gjitha këto lëvizje është mos publikimi i bazës ligjore për këto vendimmarrjeje të kryeprokurores Marku.
Sipas ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë vetëm të pezullojë prokurorët në rastet e parashikuara në ligj dhe të bëjë, vlerësimin e punës së tyre. Në këtë ligj nuk parashikohet asnjë kompetencë për shkarkime, emërime apo transferime sikurse kanë ndodhur që në ditët e para të marrjes së detyrës së Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, të zgjedhur nën tension të fortë politik dhe vetëm me votat e Partisë Socialiste.
Ndoshta mund të jetë koincidencë, por Prokurorja e Përgjithshme ka vendosur ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, i cili zëvendësohet në detyrë nga prokurori Ardian Nezha, vetëm 24 orë pasi bashkëshortja e tij Rovena Gashi bëri padi penale ndaj saj. Gina vetë, të paktën publikisht pretendon se shkarkimi është i jashtëligjshëm dhe se nuk i kanë dorëzuar asnjë argumentim, as ligjor dhe as për performancën e punës. Nga ana tjetër zëvendësuesi i tij, Ardian Nezha mund të quhet edhe si një nga “të persekutuarit”, e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Deri dje, ai ka mbajtur detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Pukës, ku ishte transferuar mes polemikash me urdhër të Llallës.

Furi padish

Pavarësisht se deri më tani përballë mediave ka dalë vetëm Dritan Gina, mësohet se të gjithë drejtuesit e lëvizur nga detyra përgjatë këtyre ditëve, pritet të kundërshtojnë vendimin e kryeprokurores Marku në Gjykatën Administrative, si të pabazuar në ligj.
E para që ka ndjekur rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin e kryeprokurores Marku është ish-drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë njëherësh dhe ish-drejtuesja e sektorit të Dekriminalizimit, Rovena Gashi, e cila sot u ndoq nga bashkëshorti i saj Gina.
Më herët kryeprokurorja e përkohshme shkarkoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe këshilltarin për mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Albi Serani.

Shpërblime dhe ndëshkime?

Gjithashtu kryeprokurorja e përkohshme vendosi ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Fierit, Pali Deçolli, i cili është prokurori që pushoi dhe më pas rifilloi hetimet, për çështjen e shpërthimeve nga Bankers Petrolium, çështje që u kthye edhe në objekt akuzash mes ish-kryeprokurorit Llalla dhe Ambasadorit Amerikan Donald Lu. Deçolli është zëvendësuar nga prokurori Fatmir Lushi. Lëvizja e tretë në njoftimin e parë të Kabinetit të Arta Markut ishte ndërprerja e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Artur Ismailukaj.
Sipas burimeve priten edhe “viktima” të tjera nga kjo reformë radikale që po ndërmerr kryeprokurorja Arta Marku, por deri më tani vetëm Dritan Gina është rebeluar publikisht. Tensioni i krijuar gjatë ditës së djeshme dhe paradites së sotme në Elbasan, nuk e ka penguar Prokuroren e Përgjithshme të njoftojë edhe një tjetër largim, i cili në fakt kalon hapur kompetencat që i jep Kushtetuta e re, referuar Ligjit për Prokurorinë.
Siç e thamë edhe më lart bëhet fjalë për kreun e akuzës në Durrës, Agron Gjana. Atij fillimisht i është kërkuar, që të largohet me dorëheqje. Por pas refuzimit të prerë, kryeprokurorja e përkohshme “I ra shkurt”, duke vendosur jo vetëm largimin e Gjanës, por edhe “internimin” e tij si prokuror i përkohshëm në Pukë, në vend të Ardian Nezhës. Po në këtë lëvizje duket se problematike nuk është vetëm lëvizja e Gjanës, por edhe nga kush zëvendësohet ai.
Në vend të tij është komanduar, Donika Prela, aktualisht prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës. Por Prela e përzgjedhur nga Arta Marku rezulton me disa “cene”, në karrierën e saj. Drejtuesja e re e Prokurorisë së Durrësit ka qenë e kallëzuar penalisht bashkë me një gjyqtare të këtij qyteti, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe “zhdukja ose humbja e shkresave nga fashikulli”. Por edhe Prokuroria e Kavajës ashtu dhe ajo e Tiranës atëherë, vendosën mos fillimin e procedimit penal. Po ashtu, shefja e re e Prokurorisë së Durrësit ka përfaqësuar akuzën në rastin e arrestimit dhe kontrollit të automjetit të shtetasit Ledion Ruçi, ngjarje e ndodhur në vitin 2012, duke i kërkuar Gjykatës lirimin e djalit të deputetit Gramoz Ruçi dhe shpalljen e paligjshme të kontrollit të automjetit ku udhëtonte i dyshuari.

 

Artikulli paraprakJa futbollistët me valixhet gati!
Artikulli tjetërMediat e huaja: Shqiptarët ngrihen në revoltë kundër shtetit të drogës