Rama u zhvati pensionistëve nga 230 mijë lekë secilit në 2017

Partia Demokratike i konsideron si karamele shpërblimet e qeverisë për pensionistët dhe familjet në nevojë. Dorian Teliti, pohon se si pasojë e rritjes së çmimeve, gjatë këtij viti familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për shportën ushqimore dhe për këtë arsye ata duhet të ishin kompensuar. “Pavarësisht se është bërë një rritje e pensioneve me indeksimin e tyre vit pas viti, 630 mijë pensionistë kanë humbur mesatarisht 230 mijë lekë në vitin 2017, vetëm si efekt vjetor, krahasuar me katër vite më parë. Pra, nga njëra anë me politikat e saj të gabuara qeveria ka bërë që atyre t’u humbin 230 mijë lekë dhe nga ana tjetër u jep atyre karamele deri-diku elektorale për shpërblim fundviti në masën 30 mijë lekë. Nëse qeveria do të ndërmerrte një shpërblim fundviti në masën 230 mijë lekë, atëherë mund të themi që pensionistët shqiptarë do të ishin njësoj siç kanë qenë në periudhat paraardhëse. E njëjta gjë edhe për ndihmën ekonomike, ato 80 mijë familje, pavarësisht se do t’u jepet kjo karamelja 20 mijë lekëshe në fund të vitit 2017, e cila po të përkthehet është vetëm 1600 lekë në muaj. Mund t’i thoni një familje me ndihmë ekonomike që mirëqenia e saj është rritur tashmë se kanë marrë 1600 lekë më tepër. Jo, kanë humbur shumë më tepër si pasojë e rritjes së çmimeve”, thekson Teliti. Për demokratët, shpërblimi i punonjësve të policisë që u angazhuan në situatën e përmbytjeve nuk është bonus fundviti, por pagesë për orët shtesë të punës. “Këto nuk janë shpërblime, janë pagesa për orët jashtë orarit. Janë diçka që u takon atyre me ligj për ta marrë dhe qeveria është e detyruar tja japi çdo punonjësi, i cili punon jashtë orarit, më tepër se 40-orëshit në javë, i cili është caktuar në Kodin e Punës”, shprehet Teliti. Sipas PD, qeveria po ndjek një politikë të gabuar me pagat dhe pensionet, po ashtu edhe me shpërblimet për administratën, punonjësit e të cilës, në kohën e qeverisë “Berisha”, janë shpërblyer të gjithë çdo fundvit, ndërsa rritja e rrogave ka qenë e përvitshme. Shqipëria është ndër vendet me pensionin më të ulët në rajon. Pensioni mesatar në vendin tonë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 86 euro. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 14,873 lekë më 2016, ndërsa në fshat ishte 8,556 lekë. Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë ose 86 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar edhe më tej këtë diferencë. Reforma e pensioneve që qeveria ndërmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve. Tri vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë.

 

Artikulli paraprakDeklaratat e Ballës, PD: Fabrikim mjeran i Edi Ramës
Artikulli tjetërBasha në Londër me ftesë të Kryeministres Theresa May