Rama tërhiqet nga “paketa antishpifje”, pas presionit ndërkombëtar!

Rama tërhiqet nga miratimi i ‘paketës antishpifje’ pas reagimeve të shumta nga komuniteti ndërkombëtar.

Në kohën kur Këshilli i Europës mori vendim për ta çuar çështjen te Komisioni i Venecias, mazhoranca ka gjetur edhe justifikimin. Ata thonë se do të tërhiqen derisa ‘Venecia’ të japë një opinion.

Lëvizja e Këshillit të Europës ishte e paprecedent, kur papritur vendosën që ta dërgojnë vetë paketën ligjore në Komisionin e Venecias.

Mesazhi i ashpër për Ramën: Mos vijo me ligjet e turpshme të censurës

Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë duket e vendosur të rrëzojë dekretin e presidentit Ilir Meta kundër dy ligjeve kontroverse të miratuara dhjetorin e kaluar, duke injoruar organizatat vendëse dhe ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian. Pak orë para votimit, organizatat më të mëdha ndërkombëtare të të drejtave përsëritën edhe një herë thirrjen për reflektim.

Disa nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes përsëritën thirrjet drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të tij socialistë të mos shtyjnë përpara një paketë kontroverse ligjes të prezantuara nga Rama si “paketë antishpifje” por të vlerësuara nga kritikët si ligje censure të medias. Në një seri mesazhesh në rrjetet sociale, Article 19, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit përdorën gjuhë të ashpër kundër ligjeve, të cilat, socialistët thonë se kanë vendosur t’i votojnë sot përfundimisht.

Ricardo Gutiérrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, organizata që përfaqëson dhjetëramijëra profesionistë të medias në kontinent, i konsideroi ligjet “të turpshme”.
“Sapo raportuam në Komisionin Europian mbi kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes në Shqipëri,” shkroi ai në Twitter. “Mesazhi ynë për Kryeministrin Edu Rama: Mos vijo përpara me këto ligje të turpshme cenzure në parlament sot. Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”.

Gutiérrez shkoi më tutje duke i bërë thirrje Komisionit Europian “të ndalojë negociatat për anëtarësim me një qeveri që po dhunon standardet ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes”.

Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ECPMF mbështeti deklaratën e mëparshme të eurodeputetit David Lega i cili tha se miratimi i projektligjeve përbën një rrezik të madh për shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Article 19, një organizatë tjetër për mbrojtjen e lirisë së shprehjes shtoi: “Ne nxisim kryeministrin Edi Rama të ndalojë përpjekjet për “paketën antishpifje” deri sa Komisioni i Venecias të ketë publikuar opinionin e tyre mbi ndryshimet e propozuara në ligjet e medias.”

Komisioni i Venecias njoftoi javën e kaluar se ka marrë një kërkesë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të dhënë një opinion mbi këto projektligje.

Përkundër të gjitha kritikave, deputetët socialistë janë shprehur të vendosur të mbyllin veshët dhe të vijojnë me projektligjet./BIRN

Artikulli paraprakDy super skafe erdhën nga Greqia për të marrë drogë në Vlorë, njëri i iku policisë
Artikulli tjetërBasha në Shkozet: Dy muaj pas tërmetit, banorët po paguajnë faturën e dështimit dhe të propagandës së Ramës