Rama tek Putin, peng i dosjes Mitrokin të Kristaqit

Deklaratat e fundit të Edi Ramës për një devijim të rrugës së Shqipërisë nga integrimit në BE, drejt Rusisë janë parë si formë kërcënimi që ky i fundit po u bën liderëve të Unionit, pas vendimit për të mos hapur negociatat me Shqipërinë. Me një shënim të shkurtër në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se, Ramën me Rusinë e lidhin shumë gjëra përveç dëshirës së tij personale për një takim me Vladimir Putin. Ja çfarë shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në Facebook: “A kushtëzohet takimi i Ramës me Putin nga trashëgimia e tij direkte atërore, pra dosja Mitrokin?! Të vetmin lajm që mediat arritën të veçojnë nga monologu dy orësh i Ramës me Ballën ishte dëshira e tij për të takuar Vladimir Putinin. Analistët e interpretojnë këtë si një formë presioni ndaj BE-së për ndikimin e faktorit të tretë në Shqipëri në rast të mos hapjes së negociatave nga BE. Kjo mund të jetë e vërtetë, ndonëse një presion i tillë mund të ndikojë në të kundërt. Të tjerë mendojnë se i ati i Ramës, i shkolluar dhe më shumë se i shkolluar në Rusi është një kalorës i zi në seksionin për Shqipërinë të dosjes Mitrokin. Madje e marrin këtë si të vërtetë të mirëfilltë. Nuk mund të them se çfarë fshihet në dëshirën e Ramës për të takuar Putinin, por e vërteta është se prej shumë muajve Rama kërkon takim me Putinin dhe ky i fundit ka rënë dakord të presë Ramën sapo ky të plotësojë ca gjëra të “vogla”!

Kush ishte Mitrokin

Vasili Mitrokin, mund të thuhet se ka qenë themeluesi i Arkivës së KGB-së ruse. Ai hyri në shërbimet sekrete si oficer zbulimi në vitin 1948. Gjatë viteve ’50-të ai shërbeu në detyra të ndryshme të fshehta, jashtë vendit. Në vitin 1956, shoqëroi ekipin rus në Lojërat Olimpike të Australisë. Menjëherë pas kësaj ai u rikthye në Moskë për t’u emëruar si drejtori i parë i Arkivës së KGB-së ruse. Menjëherë pas vdekjes së Stalinit, ai do ishte ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Hrushovit në denoncimin e veprimtarisë së diktatorit që kulmoi në vitin 1967, në mbledhjen e 81 partive komuniste të Lindjes në Moskë. Në vitet 1972 dhe 1984 ishte ai që mbikëqyri lëvizjen e arkivës nga Lubyanka në Yasenevo, duke mundësuar kështu kopjimin e mijëra faqeve të shërbimit sekret rus, dhe veprimtarinë e tij jashtë vendit. Do dilte në pension në vitin 1985. Përgjatë viteve të sistemit komunist, ai nuk bëri përpjekje për të kontaktuar me shërbime të tjera inteligjente, por menjëherë pas  shpërbërjes në vitin 1991, ai do të udhëtonte drejt Letonisë, ku do të kërkonte strehim politik në ambasadën amerikane në Riga. Pas dyshimeve të CIA-s rreth veprimtarisë së tij, ai u shpërngul në konsullatën britanike dhe i tregoi dhe vendin ku kish fshehur “thesarin”e tij, që përbëhej nga 25 mijë faqe të arkivave sekrete ruse që nga viti 1930. Në to gjendeshin emra agjentësh dhe të rekrutuarish nga të gjitha vendet e botës. Për kohën u konsideruan tepër sekrete, madje Richard Tomilson, një prej zyrtarëve të MI6 angleze që u mor me mbledhjen dhe depozitimin e dokumenteve, u burgos, pasi tentoi të botonte një libër rreth kësaj çështjeje. Një libër me titull “KGB ruse në Evropë dhe Perëndim” me autorë Christofer Andreë dhe Vasili Mitrokin, u botua me informacione të pjesshme në vitin 2004, vetëm një vit pasi kish vdekur ish-drejtori i Arkivës sekrete të KGB-së ruse.

Artikulli paraprakBeteja për Vjosën në Gjykatë
Artikulli tjetërZyra e Romanës: Faji juaj që na besuat