Rama provon sensacionin e Pavlovit!

Ilir HILAJ

Pamundësia gërshetuar me paaftësinë për të gjeneruar një gjetje frytdhënëse gjeopolitike për Shqipërinë e ka çuar Kryeministrin tonë drejt Rusisë. Në fakt nuk ka pse tregohemi kaq skeptik nëse Rusia do të ofronte zgjidhje më të mira se Perëndimi, por statistika historike tregon se në tranzicionin shqiptar nuk kemi parë asnjë komunist apo komunist të riformuar (ndryshe riemërtuar) nga Partia Socialiste që të ketë emigruar në Rusi.
Është fakt se ata që duan të çojnë vendin drejt “dimrit polar rus” për veten e tyre zgjedhin “parajsat e ngrohta në Karaibe”, blejnë rezidenca në Europën Perëndimore, hapin ekspozita në vendin “armik” SHBA, pazaret e veshjeve i bëjnë në “armikun” BE etj. Pra, ky eksperiment i ngjan tërësisht atij të Pavlovit, që kur ju pre gabzherri kafshës së gjorë dhe ushqimi nuk mbërrinte në stomak, vazhdonte të sekretonte lëngje tretës për ushqimin.
Ky eksperiment është i bukur, por kafsha e gjorë e Pavlovit ngordhi nga mungesa e ushqimit, vetëm se ngordhi e lumtur se i dukej vetja e ngrënë. Po si përfundoi qeni në duart e Pavlovit? Ishte endacak! Domethënë qeni nuk kishte zbatuar rregullat elementare të qëndrimit të paravendosur. A nuk është e njëjta gjë ajo që po ndodh sot?
Shtatë kushtet e vendosura nga Parlamenti gjerman, kanë të bëjnë vetëm me sjelljen e qeverisë, sipas regullave të paravendosura në konventa, traktate dhe marrëveshje. Konkretisht.
1. Reforma në Administratën Publike, nuk ka të bëjë me opozitën, dhe as me shoqërinë shqiptare, por me qeverinë që sapo erdhi minoi konsesusin për ligjin e nëpunësit civil.
2. Reforma në Drejtësi, ku si parakusht të funksionalitetit të vet ka mundësinë për të dënuar personazhe me pushtet, pra nënkupto ministra aktual. Kapja që po kërkon t’i bëjë qeveria e pamundëson këtë. Le të kujtojmë se sa shpejt qeveria prishi konsensusin e ndryshimeve kushtetuese, duke miratuar njëanshmërisht ligjet rrjedhës nga Kushtetuta e ndryshuar.
3. Lufta ndaj korrupsionit, lidhet me korrupsionin ushtrimor sot. Keni dëgjuar ndonjë të dënuar nga qeveria Rama pas raporteve nga KLSH, apo emisionet investigative. Në fakt kemi dëgjuar mbrojtje qeveritare ndaj tyre.
4. Lufta ndaj krimit të organizuar. Është hera e parë që një ministër në detyrë përgjegjës për luftën ndaj krimit, të ketë të implikuar imazhin e vet me krimin e organizuar dhe trafiqet. Sot, ne kemi gati 20% të trupës policore të dyshuar si e lidhur me kanabisin, domethënë në çdo 5 punonjës, një është pjesë e narkotrafikut, përfshirë edhe makina private e ministrit.
5. “Prioriteti kyç” mbetet fusha e të drejtave të njeriut. D.m.th. siguria juridike, e pronës, e lëvizjes së lirë, e shprehjes, e informimit etj. Kemi parë jo pak herë sesi me një të shtrirë të dorës rrënohen prona private për t’u bërë lulishte. Në Fier, rrafshohet një pronë e viteve 1930 për t’u ndërtuar një lulishte, kur ligji lejon prishjet për interes të lartë publik, natyrshëm lulishtja nuk është e tillë. Në Pogradec, një objekt rrënohet edhe pse ishte me leje e hipotekë të rregullt, dhe dëmshpërblehet me çmime qesharake. Mos harrojmë edhe mediat e kontrolluara nga qeveria që dëmtojnë të drejtën e shprehjes. E në fund indiferencën e qeverisë për të informuar publikun, dhe të famshmin “kodi i etikës” = “kodi i heshtjes”.
6. Rekomandimet e OSBE/ODIHR që kanë të bejnë me zgjedhjet. Bëhet fjalë për ato zgjedhje që sot kuotohen si në bursë. Çmimi mbetet 20-30 Euro plus një thes miell për votë. Reforma për zgjedhjet e 2017 dhe ecuria e tyre (nënkupto të mos blihet vota nga qeveria) është kusht shtesë për të hapur negociatat.
7. Implementimi i ligjit të dekriminalizimit. E morët vesh se, Bushi është i pafajshëm. Rroshi firmos ende si kryetar bashkie. Parlamenti me kriminelë voton ndryshime për ashpërsim të dënimeve penale për vepra me rrezikshmëri minore. Pra, jo vetëm qenkan të pastër, por edhe kriminel patriot. A nuk është edhe ky kusht për qeverinë? Pra, të shtatë kushtet janë për qeverinë. Por këto kushte shoqërohen edhe me masa shtërnguese, që për publikun janë të paperceptueshme. Uria e qeverisë për pushtet po zvenitet, sistemi e rënies domino ka nisur. Përpjekja e fundit është krijimi i një iluzioni se lidhja me Rusinë, do të sjellë rritje ekonomike. Edhe pse në volumet tregtare mes dy vendeve, pesha e ekonomisë ruse është e papërfillshme e nuk mposht dot nevojën për bashkëpunim tregtar me BE të Shqipërisë. A nuk është ky një eksperiment si i Pavlovit?

Artikulli paraprakRenzi: Nuk mendoja se më urrenin aq shumë
Artikulli tjetërNë pritje të Krizëlindjes: Renzi s’u ngjall!