Rama poshtëron PDIU, e përjashton nga Vettingu

Armand MAHO

Ka degjeneruar në poshtërim publik dje votimi i kandidaturës së Shpëtim Idrizit, kryetar i PDIU për anëtar i Komisionit Ad Hoc të Vettingut, i cili do të bëjë vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e Reformës në Drejtësi. Ndërkohë që kandidaturat e PS-së dhe LSI-së morën nga 78 deri në 85 vota, për Shpëtim Idrizin votuan vetëm 23 deputetë, duke bërë që kandidatura e tij të përjashtohej nga ky proces. Po përse udhej poshtëruar Idrizi dhe PDIU? Rama ka dhënë një mesazhin se nuk ka besim tek kjo forcë politike. Rama e njeh mirë këtë forcë politike. Ai mendon se me deputetët e saj është më mirë të bësh pazare personale se të bësh pakte politike. Ndaj ai nuk e konsideron PDIU si një forcë politike, por si bashkim individësh me interesa personale.
Votimi i djeshëm tregoi dhe një herë krizën që ka përfshirë koalicionin e majtë. Votimi i djeshëm në thelb, ishte një dështim i Komisionit të Vettingut, pasi ligji parashikon që kandidaturat të ndahen mes mazhorancës dhe opozitës në mënyrë të barabartë, pra 3 për mazhorancën dhe tre për opozitën. Dje u votuan vetëm kandidatët e mazhorancës, pas një letre të dërguar nga kryetari i Kuvendit, Meta, grupeve parlamentare për të dërguar kandidaturat e tyre. Por Rama duket se as formalisht nuk e pranoi Idrizin, duke e poshtëruar atë publikisht me abstenimin dhe votimin kundër që kryen deputetët e tij.

Përdorimi i PDIU

Votimi i djeshëm tregoi dhe një skenar tjetër kulisash dhe intrigash që Rama i kryen me qëllim që të mbajë medoemos pushtetin. Mesila Doda u shpreh pas votimit se nga ana e Vasilika Hysit, i është kërkuar në emër të kryeministrit, që PDIU të paraqitej me kandidatët e saj për votim si opozitë. Dua t’ju bëj me dije sot, se pas shkresës së ardhur nga kryetari i Kuvendit, ku secili grup parlamentar do të duhet të kishte përfaqësuesit e tij ne dërguam zt. Shpëtim Idrizi. Në një mënyrë krejt të çuditshme erdhën dy kandidatura nga Partia Socialiste. Së pari, u tentua që kandidatura e grupit të PDIU të kalonte sikur ishte kandidaturë e opozitës, dhe sipas interpretimit që zonja Vasilika Hysi bëri, ne do të duhet të ishim ende në opozitë. Ndërkohë që ju e dini shumë që PDIU ka më shumë se dy vite që është e përfaqësuar në nivel ekzekutiv me zv/ministra dhe drejtorë”, tha Doda. Me sa duket kjo ka qenë dhe arsyeja që Rama ndërmori aktin e tij ndaj Idrizit, natyrisht duke bërë dhe një kalkulim numrash, apo më mirë të themi, duke hedhur hapin e tij të parë për ta përzënë atë nga koalicioni, natyrisht, duke bërë dhe një kalkulim numrash, për ditët që i kanë ngelur në krye të qeverisë. Por natyrisht dita e djeshme tregoi dhe një herë krizën morale dhe politike, ku është futur koalicioni që pretendonte se do të rilindte Shqipërinë. Nuk dihet se çfarë rruge, do të ndjekë tashmë e tutje Idrizi, por Doda do e jepte paralajmërimin e saj kur tha se një pjesë e mazhorancës u përjashtua dje. “Me sa duket, kjo nuk ishte e mjaftueshme për mazhorancën dhe u tentua që të lihej roli i opozitës. Ne në fakt, pjesë e kësaj farse nuk kemi pasur asnjëherë ndërmend të bëhemi. Marrëveshja është respektuar në 1% të saj, por sot nuk është dita. Pasi sot është një ditë e madhe për Reformën në Drejtësi. Përveç gjysmës së sallës që ishte boshe, arritëm që edhe një pjesë të mazhorancës ta përjashtojnë”, u shpreh Doda.

Precedenti i 2015-ës

Kjo nuk është hera e parë që Rama përjashton Idrizin nga proceset e vendimmarrjes. Në vitin 2015, kjo forcë politike nuk u lejua të kishte anëtarin e saj në grupet e numërimit të votave, me pretendimin se kishte garuar si opozitë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe duhet tja kërkonte asaj, ndërkohë që Idrizi ishte në koalicion me të majtën. Njësoj si dhe në rastin e Komisionit të Vettingut, dhe asokohe Rama tentonte që  numëruesin e Idrizit ta konsideronte si pjesë të opozitës. Kjo bëri që PDIU të mos kishte numërues të saj në grupet e numërimit të votave. Pra duket se Rama, tenton ta përdorë partinë e Idrizit si opozitë të emëruar sa herë ka nevojë për të dalë nga ngërçet ku e fut paaftësia e tij politike, siç ndodhi dhe ditën e djeshme, kur u detyrua ta poshtëronte publikisht, duke i dhënë vetëm 23 vota dhe duke rrëzuar kandidaturën e tij në Parlament.

Votimi në Kuvend

Ulsi Manja – 78 vota pro dhe 1 kundër
Vasilika Hysi – 80 vota dhe 1 kundër
Luan Rama – 85 vota pro
Shpëtim Idrizi – 23 vota pro dhe 7 kundër

Blushi: Bindeni delirin të japë dorëheqjen

Dorëheqjen e Kryeministrit, e ka kërkuar dje dhe deputeti i larguar nga PS, Ben Blushi. Sipas tij mbajtja e atij posti nga Rama, po bëhet shkak për bllokimin e Reformës në Drejtësi, por dhe për bllokimin e zgjedhjeve. Në momentin që Blushi ka marrë fjalën, shumica e anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve të mazhorancës me urdhër të Ramës ka lënë sallën, por kjo se ka penguar ish- deputetin e PS-së t’i drejtohet deputetëve të mazhorancës, këtë herë që ta bindin Ramën për të dhënë dorëheqjen. Me tone të theksuara ironie, Blushi tha “se iku ky deliri, kryeministri i Shqipërisë”. Ndërsa shtoi se, “Vendi është në krizë, drejtësia e bllokuar dhe zgjedhjet e bllokuara. Sot, duhet të kishte ardhur për të dhënë dorëheqjen. Rama duhet bindur që të ikë, pasi edhe 70 ditë i kanë ngelur çfarë i duhen 70 ditë atij. Bindeni të japë dorëheqjen, nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Blushi.

Rama në borxh me mafien, tenton të kalojë ligjin e plehrave

Edi Rama pritet që në seancën e ditës së enjte të fusë edhe njëherë për votim, ligjin e importit të plehrave, të mbetur pezull që pas kthimit të dekretetit nga Presidenti i Republikës në tetor të vitit të kaluar. Rama i gjendur nën presionin e klaneve mafioze andej dhe këtej Adriatikut, po nxiton që në ditët e fundit të mandatit të tij, të kalojë një ligj i cili do t’a kthente Shqipërinë, në një vend të depozitimit të plehrave të Evropës dhe jo vetëm. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi në mbledhjen e të hënës, ku është shprehur se në mbledhjen e ardhshme të kryetarëve duhet të insistohet fort që të futen për miratim ligjet që kanë të bëjnë pikërisht me këtë industri. Një për përpunimin e mbetjeve të ngurta në Vlorë. Dhe e dyta për ligjin e mbetjeve. “Ditën e enjte kemi po ashtu një seancë të ngjeshur. Do të kemi dhe një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve dhe dua që disa ligje të rëndësishme t’i fusim në kalendar për t’i miratuar brenda këtij sesioni. E kam fjalën për ligjin e përpunimit të mbetjeve të ngurta në Vlorë e po ashtu dhe për importimin e mbetjeve”, ka porositur Ruçi deputetët socialistë. Rama duket se po vrapon të përmbyllë marrëveshjen me qarqet mafioze, dhe jo më kot ka ngritur landfille në qytetet kryesore të Shqipërisë, dhe sidomos tek ato që janë afër bregdetit. Eshtë një skemë e përdorur shpesh nga mafia e jugut Italiane. Janë miliarda euro që kalojnë nëpërmjet këtij biznesi. Në vendet e Lindjes dy janë vendet që aktualisht kanë pranuar marrëveshje të tilla për import plehrash. Bëhet fjalë për Drislan në Maqedoni, dhe Glina në Rumani. Të dyja këto vende kanë pranuar importin e plehrave, ndërkohë që situata atje po bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Në shtetin fqinj Itali janë me miliona tonë mbetje që pritet të kalojnë Adriatikun, dhe në rast se pranohet ky projektligj i kërkuar nga Rama, atëherë për vendin do të ishte katastrofë. Mafia e plehrave thuhet se qarkullon rreth 10 miliardë të ardhura vjetore, në kërkim të vendeve të depozitimit për to. Duket hapur që kryeministri Rama kërkon që të përfitojë nga gjendja politike në vend, kur vëmendja e publikut është e përqendruar tek kriza politike dhe zgjidhja e saj, për të kaluar ligjin më të përfolur dhe më të kundërshtuar të qeverisjes së tij. Ky vendim i shumicës socialiste përveçse i bën karshillëk opinionit të gjerë dhe shoqatave ambientaliste, bëhet edhe më shqetësues, pasi rishqyrtimi i këtij ligji në këtë periudhë mund të përbëjë edhe shkelje ligjore. Ligji për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016. Që nga ajo ditë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat dhe afatet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit për ridiskutimin e dekretit. Sipas nenit 86 të Rregullores, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por kjo nuk ka ndodhur. Presidenti e ktheu ligjin në Kuvend më 14 tetor të vitit 2016 dhe afati prej 8 javësh tashmë ka kaluar. Shkelja e nenit 86 të Rregullores së Kuvendit është shkelje e proceduriale dhe thelbësore e Kushtututës. Sepse neni 86 është i lidhur me nenet 76, 81, 82, 83, 84, 85, 86 të Kushtetutës. Kjo do të thotë se ligji i kthyer nuk mund të miratohet, duke rrëzuar dekretin e Kuvendit, por duke u futur në Kuvend si një projektligj i ri.

Artikulli paraprak11 Pridh
Artikulli tjetërNë Maqedoni krijohen struktura paramilitare?