Rama, pengesa e integrimit, ushtarë të mafies në Kuvend

Pas gati 24 orë debati parlamentar për programin qeveritar, Edi Rama u ngrit edhe një herë për t’i thënë opozitës se nuk kishte as truk e as hile në dorën e tij të shtrirë për bashkëpunim, por Basha ka replikuar duke iu përgjigjur në anglisht thënien e vjetër “më gënjeve një herë është faji yt, gënjeve për herë të dytë është faji im”. Nuk do të ketë më një pakt të rremë. Basha ka përsëritur për të dytën herë radhazi në Parlament se, marrëveshja e 18 majit ka vdekur nga mosrespektimi i saj prej Ramës për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Seanca maratonë për programin e qeverisë është mbyllur me 78 vota në favor të Ramës dhe votat kundër të opozitës. Në orët e para të mëngjesit përpara votimit, seanca ka pasur replika dhe kundërreplika mes Ramës dhe Bashës.
Ku ndryshon 2013 nga viti 2017, Basha ka qenë i qartë duke i kujtuar Ramës se katër vjet më parë erdhi në pushtet me krimin dhe sot të inkriminuarit janë më të paktë në Parlament, por ai ka paralajmëruar se ka të tjerë që kanë mashtruar me deklaratën e dekriminalizimit dhe që do të përgjigjen.
“Nuk kam nevojë ta përmbledh në 10 pika, se kush janë ndryshimet e mëdha mes 2013 e 2017. Ato i di unë, i di ti, i dinë të gjithë në këtë sallë, i dinë të gjithë shqiptarët.
Më 2013 ti erdhe në pushtet me krimin, me aleancën e krimit apo siç e thanë analistët, të cilët për arsye jo kaq misterioze mbajnë gjithmonë ison tënde, me aleancën e qelbësirave. Dhe kjo degjeneroi me kriminalizimin e plotë të shtetit. Kush i solli kriminelët në Parlament?
Falë ligjit të dekriminalizimit që PD dhe unë të detyruam ta pranoje disa nuk i ke më këtu. Por ke të tjerë këtu, që kanë gënjyer në formularët e dekriminalizimit dhe që do të përballen me pasojat politike dhe kriminale të këtyre akteve, sikurse ke ushtarë të mafies dhe të drogës që nuk i lidh asgjë me PS”, tha Basha.
Basha i është përgjigjur Ramës në lidhje me ndërgjegjësimin e ndërkombëtarëve për situatën me krimin dhe drogën në Shqipëri se ato nuk janë më fantazi, por janë të firmosura nga raporte ndërkombëtare, që nga Departamenti amerikan i Shtetit.
“Kriminalizimi dhe droga janë e reja, ndryshimi që kërkove mes 2013 dhe 2017. Kush e solli drogën, kush e mbushi Shqipërinë me kanabis? Unë? Partia Demokratike? Kush e vendosi Shqipërinë në krye të listës së trafiqeve? Unë? Fantazia ime është kjo apo janë raportet ndërkombëtare, si të Departamentit të Shtetit? Ky është ndryshimi thelbësor. Po ka ndryshime të tjera të mëdha. Katër vjet më vonë Shqipëria ka 260 mijë qytetarë më pak që ti i ke çuar në eksod. Shqipëria ka qindra mijëra prindër të shpunësuar nga politikat e tua”, tha Basha.
Kryetari i PD i ka kujtuar Ramës se në sfidën europiane, nuk mund të jetë bashkë me opozitën, pasi pengesa e integrimit ka emrin e Ramës. “Shqipëria ka mijëra persona të angazhuar në industrinë e kanabisit, që ti e mundësove bashkë me ministrat e tu si një projekt politik që po shkatërron e gërryen ekonominë dhe demokracinë. Sfida europiane nuk është e përbashkët. Në sfidën europiane ti je pengesa. Nuk të vjen mirë kur të vijnë emisarët europianë dhe ta thonë sa në zyrë sa në konferenca për shtyp, që droga është një kusht shtesë për anëtarësimin, për hapjen e negociatave. Këtë problem nuk e kemi krijuar ne. Ne të kërkuam të hiqje dorë nga krimi. Po ti nuk hiqje dorë nga kjo lidhje, ndaj iu drejtuam partnerëve ndërkombëtarë që të detyruan të pranoje Ligjin e Dekriminalizimit, por një ligj që sot e kësaj dite nuk zbatohet. Sot e kësaj dite një duzinë bashkish drejtohen nga persona me rekorde kriminale. Tepsia që tani e ke të gjithën për vete menaxhohet nga krimi”, tha Basha.
Kush po e nxin Shqipërinë? Basha e ka përgjigjen. Është krimi dhe droga që Rama i ka injektuar Shqipërisë nga jugu në veri.
“Nga Shkodra në Durrës, Tiranë, Gjirokastër e kudo, bandat kriminale me emër dhe mbiemër të njohura për Interpolin e Europolin njihen po kështu si marioneta dhe bashkëpunëtorë të forcës tënde politike. Faktet janë kokëforta. Unë nuk jam këtu si prokuror, por si kryetar i opozitës. Partneret ndërkombëtarë nuk kanë nevojë për lobistë dhe opozita nuk ka lobistë që të nxijë Shqipërinë. Shqipërinë nuk e nxijnë gënjeshtrat, kushdo të jenë ato, por Shqipërinë e nxijnë gjëmat, droga, krimi, korrupsioni. Vetëm në 4 vite sipas raporteve zyrtare, ti dhe qeveria jote keni shpërdoruar mbi 1.5 mld euro”, tha Basha.

Enton DACI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërStërvitja Rusi-Bjellorusi nervozon Europën Qëndrore