Rama në panik, mbush taracën e Kryeministrisë me snajpera

Rama dhe qeveritarët janë përfshirë nga paniku gjatë protestës së opozitës para godinës së Kryeministrisë. Vetë Rama iku nga Kryeministria dhe nuk dihet se ku u fsheh, po ashtu edhe qeveritarët. Të gjithë punonjësit e Kryeministrisë janë larguar nga institucioni i ekzekutivit. Të vetmit që ndodheshin në Kryeministri ishin punonjësit e Gardës së Republikës.
Ndërkohë, më shumë se 1500 efektivë të policisë dhe blindat rrethuan Kryeministrinë. Që prej orës 10:00 qindra efektivë të policisë rrethuan Kryeministrinë, ndërsa mbi tarracën e godinës së Kryeministrisë dhe mbi tarracën e Kryesisë së Kuvendit ishin vendosur snajpera. Shumica e policëve ishin me maska dhe me kundragaz.
Policët që kishin krijuar gardhin tek Kryeministria ishin të gjithë me kamera me vete. Nuk bëhet fjalë për kamerat e thjeshta që policët kanë të instaluar me vete, por për një kamerë më të madhe në përmasë. Po ashtu disa punonjës policie fotografonin protestuesit.
Të mbledhur para Kryeministrisë, protestues të ardhur nga rrethet e Shqipërisë thanë se, e vetmja pritshmëri është rrëzimi i qeverisë, një qeveri e cila sipas tyre u ka rritur çmimin e energjisë, ujit dhe taksat. “Na kanë çu thikën në palcë, ne presim që këtë qeveri ta rrëzojmë një sekondë e më parë”, u shpreh një protestues. Ndërsa një protestues tjetër tha se, kemi ardh me rrzu kët legenin. “Kjo nuk është qeveri për popullin. Ka rrit taksat në mënyrë drastike dhe populli shqiptar nuk ka mundësi me i përballu, as biznesi. Rezultatin ia lem popullit. Nuk e meriton ma me qeveris”, tha ai.
Protesta u dha përgjigje të gjitha parashikimeve ogurzeza për gjoja dhunë nga ana e protestuesve ndaj institucioneve, por qytetarët ndonëse të revoltuar me Ramën dhe qeveritarët, protestuan, ishin policët bashkiakë dhe ata të rendit që grisën bardrolën e Ardit Gjoklajt.
Për të frikësuar protestuesit ishin angazhuar edhe forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat Operacionale dhe Qarkullimin Rrugor. Protesta e opozitës ishte paqësore dhe nuk pati asnjë incident, ndërsa pushtetarët ishin të trembur deri në palcë nga uragani popullor.
Që në orët e para të mëngjesit, qindra policë kishin ngritur postblloqe në të gjitha akset rrugore dhe ushtronin kontroll pa asnjë shkak në makinat e protestuesve, ndërsa mbanin shënim targat e makinave që transportonin protestues drejt Tiranës. Për këtë qëllim ishin ngritur postblloqe në hyrje-daljet e qyteteve që të mbanin shënim target e automjeteve të protestuesve për t’i kërcënuar që të mos vijnë herë tjetër në protestë.
Ky skandal u denoncua në media nga deputetët e opozitës. Deputeti Luçiano Boçi shkruan në një postim në Facebook se, policia merr shënim targat e autobuzëve që sjellin qytetarët që u ka ardhë në majë të hundës me qeverisjen.
“Ja si e lufton policia jonë krimin… duke marrë shënim targat e autobuzëve që sjellin qytetarët që u ka ardhë në majë të hundës me qeverisjen. Aferim!!!”, shkruan në rrjetet sociale para protestës deputeti Boçi.
Edhe deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, ka reaguar në lidhje me kontrollet që ushtronte policia ndaj mjeteve që transportojnë qytetarët drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e opozitës.
Pas postblloqeve të ngritura në daljet e qyteteve kryesore, policia ka ndaluar të gjitha mjetet me protestues në Mamurras. Policët ushtronin kontroll në mjete dhe mbanin shënim targat e tyre.
Çupi në një intervistë për News 24 tha se, policia nuk ka dhënë arsye, por vetëm ka ushtruar kontroll, ndërsa një polic shënonte targat e çdo makine. “Nuk di ta them motivin e ndalimit. Janë me mijëra makina që kanë mbushur autostradën nga Miloti për në Tiranë. Ka pasur disa patrulla policie, por nuk ka pasur problematika. Më pas në hyrje të Mamurrasit kur ishin rreth 50 policë, kanë kontrolluar çdo mjet. Policia nuk mund të ndalojë makinat pa shkak. Një polic shënonte targat e çdo makine. Na thanë kemi porosi dhe po bëjmë detyrën tonë”, deklaroi Çupi.
Pushteti ka ushtruar mjaft presion edhe mbi qytetarët durrsakë për të mos marrë pjesë në protestë. Shoferëve të autobusëve iu është kërkuar që të mos vihen në dispozicion të PD-së. Ata janë kërcënuar me heqje licence apo edhe bllokim nga ana e Policisë së Qarkullimit.

R.POLISI

Artikulli paraprakFox News: Shqipëria në protestë kundër lidhjeve të qeverisë me krimin
Artikulli tjetërParalajmërimi i shumicës së heshtur