Rama: Masa ndaj policëve që bllokuan makinën e bandës

Ndaj dy aëtarëve të bandës që goditën me makinë të blinduar makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit mbrëmjen e 18 shtatorit duket se nuk do të merret asnjë masë ligjore. Kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë reagim për goditjen e makinës së nëdrejtorit të policisë, ndonëse kjo ngjarje ka tronditur opinion publik, ndërsa opozita dhe mediat kanë reaguar me forcë. Mirëpo kryeministri Rama në vend që të dënonte sulmin ndaj zyrtarit të lartë të policisë, deklaroi mesnatën e të enjtes në Parlament se, do të merren masa ndaj policëve që morën pjesë në operacion për bllokimin e makinës së blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Para tre ditësh, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje biznesmenin Petrit Çela. Avokati i Ramës, Eno Bushi kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim, vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 shtator para Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela, një mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Ndonëse personi që drejtonte “Audin” që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë është identifikuar, policia nuk e arreston. Të gjithë në Elbasan e dinë se autori është Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, por policia nuk guxon as t’i përmendë emrin.
Ndërkohë, tre të arrestuarit e vetëm për të cilët pretendohet se janë bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë tek Tregu Agro-Ushqimor në Elbasan i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për të konsideruar të paligjshëm arrestimin e tyre, pasi siç pretendojnë nuk janë kapur në kushtet e flagrancës.
Më herët Shkalla e Parë për Krimet e Rënda vendosi arrest shtëpiak për Klemend Xhaferrin arrestuar në mjetin “Range Rover”. Për dy të tjerët, Ledio Zabelin, që ishte pasagjer në mjet dhe rojen e tregut, Valmir Dedja gjykata ka vendosur arrest me burg.
Zabeli akuzohet për posedimin e 9 gramëve hashash, ndërsa Dedja për kundërshtim të policisë, pasi siç thuhet ai kundërshtoi të hapë portën ku hyri mjeti “Audi” është larguar pasi goditi makinën e policisë. Ky pretendim i policisë po verifikohet përderisa videoja e sekuestruar shfaq policinë për disa çaste duke qëndruar para portës, e cila ishte e hapur.

Krimet e Rënda marrin në dorë “Elbasanin”

Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se ka ndryshuar mendje për hetimin e ngjarjes së rëndë ku u godit makina e nëndrejtorit të policisë në Elbasan. Para katër ditësh Krimet e Rënda hoqën dorë nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Elbasan me argumentin se ngjarja është lokale dhe duhet ta hetojë Prokuroria e rrethit, por pas reagimit të fortë të opozitës dhe medias, ka ndryshuar mendim dhe ka marrë në dorë hetimet. Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka urdhëruar dje që të hetohet e plotë përplasja në Elbasan dhe jo vetëm ngjarja e 18 shtatorit.
Burimet thonë se ky vendim vjen pas ndihmës që ka kërkuar policia lokale, pasi sipas policisë bëhet fjalë për grupe kriminale që kanë veprimtari edhe në fushën e narkotrafikut dhe të gjobëvënies. “Ky vendim vjen pas ndihmës që ka kërkuar policia lokale, e cila këmbëngul që dosja e Elbasanit të qëndrojë tek Krimet e Rënda duke shmangur Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi sipas policisë bëhet fjalë për grupe kriminale që kanë veprimtari edhe në fushën e narkotrafikut dhe të gjobëvënies”, ka argumentuar kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Burimet shpjegojnë se për të hetuar mbi “Elbasanin”, grupit të dy prokurorëve që po hetojnë ngjarjen e 18 shtatorit do t’i bashkëngjiten edhe prokurorë të tjerë të Krimeve të Rënda, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë.
Nga ana tjetër, prokurori i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që të mbahen nën përgjim të gjithë elementët kriminalë të Elbasanit. Mes dosjeve të pezulluara që do të merren në dorë nga Krimet e Rënda janë edhe dy ngjarje plagosjesh dhe një dosje droge që ka qenë nën përgjim dhe është pezulluar.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, gjatë një operacioni policor për bllokimin e një makine që dyshohej se drejtuesi i saj dhe një person tjetër i kishin zënë pritë një makine për ta gjobitur, policia u godit nga një “Audi” i blinduar. Nga pamjet që u transmetuan në televizion u pa qartë se policia ishte e pafuqishme për të ndaluar personin që goditi makinën e nëndrejtorit Gjergji Oshafi. Emri i personit që kreu krimin nuk është bërë publik nga policia, ndërsa në media është bërë e ditur se, në makinë kanë qenë dhëndri i Qazim Sejdinit, Sanxhaktari dhe djali i pronarit të Tregut Ushqimor në Elbasan, Suel Çela.

Publikohet videoja e plotë e sulmit ndaj policisë së Elbasanit

Publikohet videoja e plotë e sulmit ndaj policisë së Elbasanit natën e 18 shtatorit. Deri tani kishim parë si policët u zgjatën pak në hyrjen e Tregut Agro-ushqimor, ku u fsheh makina e blinduar pas sulmit. Ndërsa në videon e plotë shihet se si nuk u bë asnjë përpjekje për të hyrë brenda në vendstrehimin e të dyshuarit për ngjarjen, Suel Çela. Policët qëndruan në pritje të forcave speciale nga Tirana, të ndërgjegjshëm se kishin të bënin me një njeri të rrezikshëm.
Videoja e plotë është publikuar në Sosnews.al.
Në pamje duket që në orën 20:03 është ndaluar një mjet “Range Rover”.
Në orën 20:06 duket furgoni i forcave Shqiponja që pasi mbërrijnë në vendngjarje dhe parkohet në hyrje të Tregut Ushqimor, shoqërohen 2 personat e ndaluar në mjetin “Range Rover”. Në vendngjarje numërohen mbi 15 policë.
Ora 20:07 momenti kulminant kur mjeti “Audi” përplas makinën e zv\drejtorit të policisë dhe futet në brendësi të tregut. Të paktën dy punonjës policie, një me kallashnikov dhe një me pistoletë qëllojnë në drejtim të makinës së blinduar.
Ora 20:21, 14 minuta më vonë, në vendngjarje mbërrijnë përforcime nga policia kriminale pasi në sallën operative është dhënë informacioni për ngjarjen e rëndë dhe të shtënat.
Ora 20:28 nga brenda rrethimit të tregut afrohet një automjet tip “Volkswagen” që pas disa sekondash kthehet pas, në pamundësi për të dalë.
Në ngjarjen e 18 shtatorit, automjeti i zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi, u godit nga një makinë e blinduar në momentin që po shoqëroheshin 3 persona në komisariat. Emri i drejtuesit të mjetit nuk bëhet i ditur ende nga policia edhe pse e kanë identifikuar se kush ka qenë në drejtimin e tij. Prokuroria ka të arrestuar për këtë ngjarje tre persona. Ledio Zabeli dhe Valmir Dedja ndodhen në burg, ndërsa Kelmend Xhaferri në arrest shtëpie.

Artikulli paraprakBasha me FMN: Droga dhe bandat po kriminalizojnë ekonominë
Artikulli tjetër“Zyra 13/2” tre koncesionet e plehrave me vlerë 178 milionë euro