Rama do arrestimin e studentëve që e goditën me vezë në Shkodër

Rama po provokon Shkodrën, duke kërkuar arrestimin e studentëve që protestuan kundër tij duke e qëlluar me vezë. Policia bëri të ditur se, do të ndjekë penalisht studentët që protestuan kundër kryeministrin Rama gjatë vizitës së tij në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Bëhet e ditur se Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Arvit Bushati për protestën kundër kryeministrit Rama në Sheshin “2 Prilli”. Sipas policisë, 27-vjeçari Bushati me detyrë kryetar i FRPD Shkodër do të përballet me akuzën për veprën penale: Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Policia thotë se, materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, ndërsa po punohet për arrestimin e tij.
Në njoftimin e policisë thuhet se, 27-vjeçari rreth orës 12:00 të ditës së mërkurë në lagjen “Qemal Stafa” ka organizuar protestën e paligjshme me 15 persona, kundër ardhjes së kryeministrit Edi Rama në qytetin e Shkodrës. Në një moment të rinjtë janë shtyrë me policinë, pasi kanë tentuar që t’i afrohen godinës së rektoratit, ku do të zhvillohej takimi i parashikuar nga kreu i ekzekutivit me studentët e “Luigj Gurakuqit”.
Vizita e Ramës në Shkodër është shoqëruar me protesta. Studentët mbanin pankarta në duar, ku shkruhej: “Rama ik!”, “Qeveri teknike”, “Rama, o plehrë kimike”. Përveç thirrjeve ndaj kreut të qeverisë për t’u larguar, për t’i hapur rrugën qeverisë teknike, nuk kanë munguar as goditjet me vezë. Rama është mbrojtur nga Policia dhe nga Garda e Republikës, që kanë ndaluar me forcë disa dhjetëra protestues që po e prisnin tek hyrja e godinës. Kreu i FRPD-së në Shkodër, Arvin Bushati, u shpreh se, studentët kërkojnë largimin e kryeministrit Rama për shkak të korrupsionit dhe dështimit të Reformës në Arsim. Ai deklaroi se, pati një konfrontim me policinë dhe ata nuk u lejuan që t’i afrohen rektoratit të universitetit, ku kaloi kryeministri. Mesa duket policia po e ndjek penalisht kreun e Forumit Rinor të PD për t’i mbyllur gojën.

Rama nuk mund ta nënshtrojë Shkodrën

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i PD Shkodër, Ramiz Çobaj. Çobaj i drejtohet kryeministrit se, nuk do t’ia arrijë të trembë djemtë e Shkodrës. “Tjetër përpjekje e dështuar e Kryeministrit Rama për të nënshtruar Shkodrën. Me procedimin penal ndaj djemve që protestuan kundër tij, ai shpreson se do të trembë Shkodrën, të trembë djemtë e saj. Gaboheni rëndë z. Kryeministër, pasi ky veprim do të bëjë që nesër të mbushet edhe më shumë “Çadra e Lirisë”. Betejën me ne e ke të humbur…”, shprehet Çobaj.
Është rasti i dytë që qeveria po provokon Shkodrën, duke mos lejuar zhvillimin e protestave. Një muaj, pasi zhvilluan grevën e urisë, 8 protestuesit të cilët kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve u thirrën në Prokurorinë e Shkodrës, pas padisë së bërë nga policia më 18 shkurt. 8 protestuesit u thirrën në Prokurori para katër ditësh për t’u marrë në pyetje për grevën e urisë, e cila zgjati për 17 orë. Bëhet e ditur se, Policia e Shtetit ka regjistruar në 18 shkurt të këtij viti proçedim penal për 8 grevistët. Mbi këtë proçedim të nisur nga policia, organi i akuzës ka thirrur 8 ish-grevistët mëngjesin e djeshëm për t’i marrë në pyetje. Ka qenë oficerja e Policisë Gjyqësore, Suela Kerxhaliu, që mori në pyetje ndarazi 8 ish-grevistët, ku të vetmet detaje që ajo ka kërkuar prej tyre mësohet se ka qenë arsyeja e nisjes së grevës dhe përse kanë marrë një vendim të tillë, kur nga policia nuk kanë patur leje.
Banorët i kanë bërë të ditur oficeres së Policisë Gjyqësore se, vendimi i tyre ka ardhur i sforcuar nga mungesa e përgjigjes prej qeverisë shqiptare për marrjen e parave të dëmshpërblimit të përmbytjeve të viteve 2010-2011. Si provë, ata i kanë dorëzuar dokumentacionin e siguruar rreth vlerësimit që asokohe i është bërë banesave e tokës bujqësore. Ky veprim ka ngjallur revoltë tek banorët e NënShkodrës, të cilët janë prekur më së shumti nga përmbytjet.
Banorët thanë për mediat se, ky është veprim absurd, duke kërkuar t’i dënojnë këta të fundit. “Është çështje veç politike, se nuk jemi as hajdutë, as kriminelë, nuk kemi vjedhur gjë. Na thirrën në Prokurori për një të drejtë që e kemi kërkuar vetë, për një të drejtë tonën që na takon. Edhe thirrjen na e kanë bërë sikur të ishim kriminelë. Mbas 26 vitesh demokraci në këtë vend, unë këtë thirrje e quaj vetëm politike. Na akuzojnë për provokim qeverie. Kjo është qeveri speciale. Na kanë thirrur për grevën e urisë që zhvilluam para një muaji”, tha njëri prej grevistëve. Banorët paralajmëruan me nisjen e një tjetër greve, këtë radhë përpara Kryeministrisë.

Bardh Spahia apel Ramës: Mos provoko Shkodrën, përgjigjen do ta japin qytetarët

Deputeti i Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar lidhur me procedimin e policisë ndaj kreut të FRPD-së në Shkodër, Arvit Bushati, si organizator të protestës kundër Ramës. Spahia shprehet se, kjo është një akt dëshpërimi i Edi Ramës dhe veglave të tij që po mundohen me të gjitha mënyrat të mbysin fjalën dhe mendimin e lirë. “I bëj thirrje kryeministrit dhe veglave të tij të inkriminuara, të qëndrojnë larg këtyre provokimeve”, shprehet Spahia.
“Qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin e qindra të inkriminuarve të kësaj mazhorance në Parlament dhe në çdo qelizë të këtij shteti të kapur nga krimi dhe droga. Qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin tënd, Edvin Rama si koka e krimit në Shqipëri. I bëj thirrje kryeministrit burracak dhe veglave të tij të inkriminuara, të qëndrojnë larg këtyre provokimeve, pasi qytetarët liridashës shkodranë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm do dinë t’i japin përgjigjen e merituar. I bëj thirrje rinisë shkodrane, bashkëqytetarëve të mi shkodranë dhe çdo shqiptari të lire, brenda dhe jashtë vendit. Të ngrihemi”, shkruan Spahia në Facebook.
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Shkodër është shoqëruar me protesta. “Rama ik, “Qeveri teknike”, “Rama, o plehër kimike”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit.
Për këtë, policia ka nisur procedim ndaj Bushatit dhe protestuesve të tjerë për pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme. “Rreth orës 12:00, në lagjen “Qemal Stafa”, ka organizuar një protestë të paligjshme me 15 persona kundër ardhjes së Kryeministrit në qytetin e Shkodrës”, njofton policia.

R.POLISI

Artikulli paraprak“Roma”: Misteri i zhdukjes së 30 mijë tonë mbetjeve në Shqipëri
Artikulli tjetërFondi Shqiptar i Zhvillimit propozon aeroport “fantazmë” në Korçë