Rama dhe qeveria, peng të lojërave të fatit

Subjektet e lojërave të fatit kanë ushtruar presion mbi qeverinë, duke e ndikuar atë që të shtyjë deri më 2018 të tjera detyrime që rrjedhin nga ligji i ri i lojërave të fatit që u miratua kohë më parë.
Gjashtë deputetë të mazhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit edhe për dy vite të tjera.
Për sa u parashtrua më sipër, duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të Ligjit 155/2015 deri në datën 31 dhjetor 2018.
Ligji i ri i lojërave të fatit përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.
Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”. Ligji nr. 155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2016.
Sa i takon, kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, Ligji nr. 155/2015 në dispozitat e tij kalimtare parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licencës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.
Sipas ligjit ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Por ky parashikim i dhënë nga ligji është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar janë për një afat kohor më të gjatë se vetë periudha e parashikuar nga neni 71 i ligjit. Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore. Gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji janë evidentuar një sërë problematikash.
Subjektet kanë hasur në vështirësi në lidhje me përmbushjen e kërkesave të ligjit brenda afatit 31.12.2016, të parashikuar në nenin 71 të ligjit në fuqi. Gjithashtu, vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose në rastin më të keq bllokimin e veprimtarisë së tyre. Njëkohësisht me propozimin e paraqitur kërkohet shfuqizimi i pikës 1 të nenit 71 të ligjit. Kjo për faktin, se parashikimi i kësaj pike bie ndesh me parashikimet e pikës 2, pasi rezulton se shoqëri të licencuara për këto lojëra fati kanë një afat të përfundimit të licencës përtej 31.12.2016, ndërkohë që pika 2 bie ndesh me pikën 1, duke krijuar një kaos në treg dhe shteg për interpretime subjektive.
Ministria e Financave argumenton se, duke shfuqizuar pikën 1 të nenit 71, rezulton të kemi një afat të vetëm kohor për vlefshmërinë e licencës për ushtrim veprimtarie. Ligji në fuqi për lojërat e fatit, mundëson edhe zhvendosjen e lojërave të fatit si aktivitet ekonomik për t’u ushtruar në hotele me 5 yje apo në resorte turistike. Duke parë situatën konkrete në të cilën ndodhemi, kur këto hotele apo resorte ende nuk janë ngritur dhe kërkojnë minimalisht një periudhë 3-4-vjeçare për t’u ndërtuar, me qëllim ruajtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit kërkojmë të shtyhet afati i parashikuar nga neni 71 i ligjit. Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si edhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKLSH: Lumi Erzen i helmuar nga ricikluesit