Rama dështon me planin për uljen e humbjeve të energjisë

Banka Botërore deklaron se qeveria shqiptare dështoi të ulë humbjet e energjisë dhe projekti i rimëkëmbjes së sektorit ka dalë tashmë jashtë objektivave. Sipas programit 5-vjeçar të rimëkëmbjes, që qeveria dakordësoi me Bankën Botërore në fund të vitit të kaluar, humbjet e energjisë duhet të ishin ulur në 26 për qind. Por shifra faktike e humbjeve ka rezultuar 28 për qind, ose 2 pikë përqindje më shumë se sa objektivi. “Uljet e energjisë më 2016-ën u ulën me 3.3 për qind, nga 31.3 për qind që ishin më 2015-ën në 28 për qind. Megjithatë ato janë 2 pikë përqindje më lart se objektivi i dakortësuar prej 26%”, deklaron Banka Botërore. Sipas të dhënave të bëra publike thuajse e gjithë ulja e realizuar e humbjeve ka ardhur në pjesën e vjedhjeve. Ndërsa humbjet teknike kanë mbetur thuajse të pandryshuara duke ngritur një pikëpyetje të madhe mbi eficencën e investimeve. Dështimi me treguesit e energjisë vjen në një kohë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, por edhe kompanitë e tjera publike të këtij sektori, kanë shpenzuar vitet e fundit qindra milionë euro në tendera dhe investime. Këto para janë financuar nga rritja e çmimit të energjisë për familjet shqiptare, kryesisht ato të varfra, si dhe shtrenjtimi për bizneset. Por edhe pse familjet kanë paguar më shumë, shumat marramendëse të shpenzuara në tenderat e OSHEE nuk kanë sjellë asnjë përmirësim në treguesin e humbjeve teknike. Sipas Bankës Botërore krahasuar me vitin 2013, treguesi i humbjeve teknike është ulur me vetëm 0.3 për qind, nga 15.3 për qind që ishte në 15 për qind aktualisht. Sipas të dhënave thuajse e gjithë ulja e humbjeve në sistemin energjetik ka ardhur në pjesën jo teknike përmes shtrëngimit të masave ndëshkuese kundër familjeve, kryesisht atyre të varfra që nuk mund të përballojnë dot faturat. Ndërkohë qindra milionë eurot e shpenzuara në investime, të cilat duhet të sillnin përmirësimin e rrjetit dhe uljen e humbjeve, nuk i kanë dhënë asnjë efekt.

Artikulli paraprakMasa penale për përfshirjen e administratës në fushatë
Artikulli tjetërNishani uron Muajin e Ramazanit: Sakrificat tuaja jetësojnë mrekullinë e besimit!