Rama-CEZ, mazhoranca nuk lejon hetimin për aferën

Konferenca e Kryetarëve e drejtuar nga kreu i Kuvendit, njëkohësisht edhe kreu i LSI, Ilir Meta ka shtyrë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritje të komisionit hetimor për privatizimin e kompanisë CEZ. Kërkesa e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për “aferën” e qeverisë Rama me CEZ-in nuk është pranuar nga mazhoranca dje në Konferencën e Kryetarëve që të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Kërkesa ishte dorëzuar zyrtarisht më 6 prill 2016. Mazhoranca kërkoi kohë deri të enjten, por për opozitën ky është vazhdim i praktikave të vjetra, për t’i mohuar asaj një të drejtë legjitime. “Sapo përfundoi Konferenca e Kryetarëve ku u mor në shqyrtim kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për marrëveshjen me mirëkuptim mes qeverisë shqiptare me CEZ. Për fat të keq, nga diskutimet që u bënë në Konferencën e Kryetarëve, mazhoranca vazhdon me praktikat e vjetra të kundërshtimit të iniciativave të opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare, me argumente që tashmë janë adresuar mirë nga Gjykata Kushtetuese, si argumenti që paralelisht po heton edhe Prokuroria për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014, me rastin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për serverin e tatimeve, se fakti që heton Prokuroria nuk e përjashton Kuvendin të ngrejë komisione hetimore parlamentare dhe të hetojë të njëjtën çështje nga pikëpamja administrative. Madje është shprehur fare qartë që të dy organet nuk zëvendësojnë dot njëri-tjetrin dhe kanë fusha të përcaktuara dhe për rrjedhojë mund të hetojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri” u shpreh Spaho.  Po kështu mazhoranca përdor truke, vijoi ai, duke propozuar që komisionit hetimor parlamentar i propozuar nga ne, t’i zgjerohet fusha e objektit, duke hetuar dhe marrëveshjen për privatizimin e CEZ dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje, gjatë viteve që funksionoi privatizimi. “Dua të them që ne nuk jemi kundër asnjë lloj iniciative për të hetuar çdo periudhë të privatizimit dhe funksionimit të CEZ në sektorin energjetik shqiptar, gjë që e kemi shprehur dhe në debatin që është zhvilluar para disa muajsh rreth kësaj çështjeje. Është e drejta e mazhorancës ta kërkojë këtë komision. Ne do t’i japim edhe votat e opozitës, në mënyrë që të ngrihet dhe mazhoranca të hetojë çdo gjë që mendon se ka vend për të hetuar. Ka pasur kohë në periudhën kur ka qenë opozitë që të mund ta ngrinte këtë komision, por nuk e ka ngritur. Ka rastin ta ngrejë edhe tani që është në mazhorancë, madje ka edhe më shumë mjete e mundësi të hetojë të gjithë periudhën që nga privatizimi dhe funksionimi i CEZ në Shqipëri. Por me këto truke, me këto marifete nuk mund të pengojë punën dhe objektivin e opozitës për të hetuar zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe CEZ, një aferë ku të paktën 500 milionë euro iu morën shqiptarëve. Sigurisht nuk pati mirëkuptim nga mazhoranca për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe u la që të arrihet ndoshta deri të enjten, që të mund të konsultohet më mirë, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të vihet ndoshta me ndonjë vendim të ri, ditën e enjte. Por në thelb ajo që desha të theksoj është se po vazhdohet me taktikat e mosrespektimit të vendimeve  të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët kemi pasur një dakordësim, një marrëveshje në dhjetor të 2014, ku pati dhe ndërmjetësim të ndërkombëtarëve”, tha Spaho. Qëndrimi që u mbajt në Konferencën e Kryetarëve ka të bëjë, tha Spaho, me shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë e zezë mbi të bardhë të qartë që është e drejta e pakicës të kërkojë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për një çështje dhe është detyrim i mazhorancës, i Kuvendit ta ngrejë këtë komision dhe ta miratojë pa ekuivoke.

Artikulli paraprakPresidenti pret një grup qytetarësh të angazhuar për protestën kundër betonizimit të parkut
Artikulli tjetërKokëdhima emëron drejtorin (grek) të kompanisë së tij, konsull të Shqipërisë në Janinë