Rama, 166 mijë euro për koncertin 90 minuta të Dolit

166 mijë euro për një koncert të një violinisti. Shuma që Rama do të japë për kompaninë e sapokrijuar të Shkëlzen Dolit është e barabartë me buxhetin vjetor të Teatrit Kombëtar dhe Galerisë së Arteve të marra së bashku. Një shumë e jashtëzakonshme për një koncert që do të zgjasë vetëm 90 minuta. Aq më shumë shtohen dyshimet kur kompania që do të marrë fondet është e sapokrijuar.
Sipas dokumenteve të nënshkruara: Ministria ka pasur detyrë të ngrejë grup pune, të hartojë një plan për zhvillimin e projektit deri në realizimin e plotë; të zhvillojë procedura ligjore të brendshme për angazhimin me fonde publike për këtë projekt; të krijojë bashkëpunime me sponsorë për t’u angazhuar financiarisht në projekt; e ndër të tjera, në fund, Ministria e Kulturës, me kërkesë të Dolit, është angazhuar që: të sigurojë që ajo vetë apo palët e treta të mos përdorin në asnjë mënyrë markën e regjistruar “Weiner Philharmoniker”.
Ministria e Kulturës ka një tjetër variant nga ai i Kryeministrit Edi Rama. Nëse zoti Rama e paralajmëron në FB si “Koncerti i Vjenës”, Ministria e Kulturës në përgjigjen që i kthen “Opinion.al” për zhvillimin e koncertit të datës 2 janar, sqaron se në asnjë deklaratë publike, në asnjë kontratë apo marrëveshje Ministria e Kulturës nuk ka përdorur termin “Koncert me Filarmoninë e Vjenës”, por “Koncert me Asamblin Filarmonik të Vjenës”. Përveç terminologjisë ende ministria nuk i përgjigjet pyetjes se sa nga instrumentistët e “Filarmonisë së Vjenës” do të jenë në Tiranë për koncert. Ajo që ministria sqaron është vetëm fakti i njohur se këta instrumentistë drejtohen nga Shkëlzen Doli. Dhe në fakt është pikërisht zoti Doli, i cili ka lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës nëpërmjet “AGE Art production” me shumën e kontratës 166.000 euro, nga të cilat janë likuiduar 66% e shumës.
Lidhur me shitjen e biletave ministria sqaron se për publikun janë vënë në dispozicion 800 bileta. Duke llogaritur kapacitetin e Pallatit të Kongreseve ky numër është gati 1/3 e vendeve që ka salla. Por Ministria e Kulturës sqaron gjithashtu se 100 bileta janë rezervuar për Institutin e të Verbërve, 40 bileta për Liceun Artistik dhe 50 për njerëz të artit dhe kulturës. Por me një llogari të thjeshtë mbeten gati dhe 1200 bileta, të cilat ministria nuk sqaron se në dorë të kujt mbeten, të organizatorit, pra të ministrisë, të sponsorëve (që në fakt deri më sot janë paguar nga qeveria në vend se të paguajnë) apo të dikujt tjetër.
Ansambli Filarmonik i Vjenës është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës”, ndërsa shtohet se “Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ‘AGE Art Production’ ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të ambasadës austriake në Tiranë”. Sa u takon debateve të mëdha për biletat, për çka shumë artdashës u ankuan se nuk gjetën më bileta edhe pse ndenjën në radhë, ambasada thotë: “Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e Pallatit të Kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorëve. Gjithashtu, ndër të tjera, një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës”.

Doli ka marrë pagesën e parë 99.600 euro

– Sa është vlera e shpenzimeve për sjelljen e muzikantëve nga Vjena?
Ministria e Kulturës ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me violinistin Shkëlzen Doli, të drejtat e të cilit në Shqipëri përfaqësohen me prokurë noteriale nga Sadik Llapashtica, administrator i “AGE Art Production”. Shuma e kontratës është 166, 000 euro, likuiduar 60% e kontratës, 99, 600 euro.

– Ka pretendime se numri i biletave të shitura në sportel dhe online është shumë më i vogël se sa u paralajmërua. Si qëndron e vërteta dhe sa bileta kanë qenë në dispozicion të publikut?
Duke patur parasysh rëndësinë e koncertit ju bëjmë me dije se numri i biletave të shitura për publikun është mbi 800 bileta. Ndërkohë me kërkesë të Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunim të plotë me z. Doli dhe ambasadën e Austrisë në Tiranë është menduar një numër biletash për kategori me aftësi të kufizuara dhe nxënësit ekselentë. Konkretisht janë rezervuar 100 bileta për Institutin e të Verbërve, 40 bileta për Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe 150 bileta për njerëz të artit dhe kulturës. Biletat e tjera janë në dispozicion për sponsorët e tjerë të këtij bashkëpunimi. Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri.

Artikulli paraprakRama, presion drejtësisë për të mos hetuar Ganajn
Artikulli tjetër“Jemi shumicë, do fitojmë betejën për zgjedhje të lira”