Radhë të gjata në Prugovc për t’u furnizuar me miell

Radhë të gjata të automjeteve janë krijuar para një fabrike të miellit në Prugovc të Prishtinës. Një numër i madh i qytetarëve po presin që nga mëngjesi që të furnizohen me miell, për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit. Ndonëse në vend ende nuk është konfirmuar asnjë rast, qytetarët kanë filluar të furnizohen me produkte ushqimore, raporton Express.

Ekipi i Gazetës Express dhe T7, po qëndrojnë pranë kësaj fabrike dhe iu sjellin pamje prej atje.

Ndryshe, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se nuk ka nevojë për panik dhe rritje çmimesh, meqenëse ka sasi të mjaftueshme të miellit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rukiqi ka thënë se për të parandaluar çdo mundësi të çrregullimeve në treg, Ministria e Ekonomisë duhet të bëjë verifikim urgjent të rezervave shtetërore dhe të përgatisë veprime konkrete për aktivizim të rezervës shtetërore.

Ai u ka bërë thirrje shitësve që t’i mbushin raftet sa më shpejt, meqenëse raftet e zbrazëta krijojnë panik.

“Kërkesë për shitësit me pakicë: Raftet e zbrazët krijojnë panik. Bëni të gjitha përpjekjet që raftet të mbushen në kohë sa më të shpejtë, pasi që në treg ka produkte të mjaftueshme, për të gjitha kategoritë”.

Ndërkohë, Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.

“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”, ka deklaruar Bislimi.

Kryetari i ATK-së, Ilir Murtezaj, deklaroi se Inspektorati do të dalë në teren për të parë situatën. Ai premtoi se në rast të ndonjë keqpërdorimi nga bizneset, do të bashkëpunojnë me prokurorinë.

“Janë paraparë një mori masash nga qeveria dhe ATK në mbrojtje të qytetarëve në blerjen e produkteve ushqimore. Do të dalim në teren për të vëzhguar situatën”.

“Të mos keqpërdoren situata. Do të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë që të parandalojmë rritjen e këtij fenomeni”.

 

Artikulli paraprak8 raste të reja me koronavirus, shkon në 23 numri i të prekurve
Artikulli tjetërMos u marrosni! Disa shifra që duhet ti dini