Qyteti i Shkodrës me nivelin më të lartë të emigracionit

Emilia Koliqi
fjala në kuvend

Të nderuar qytetarë,
Sot po diskutojmë një akt normativ të qeverisë, për ndryshime në Ligjin Organik te Buxhetit, ligj i cili përcakton strukturën, parimet dhe bazat e procesit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, marrëdhëniet financiare ndërqeveritare dhe përgjegjësitë per zbatimin e legjislacionit buxhetor në tërësi.

Ky Akt Normativ, i nxjerrë haptazi në kundërshtim me parimet e rregullat e Kushtetutes, që cënon haptazi interesin publik të shtetasve shqiptar, nuk justifikohet as nga nevoja dhe as nga urgjenca, për më tepër sot pas gati 4 muajsh nga data 22 qershor, ai ka humbur aktualitetin, dhe treguesit makroekonomik kanë ndryshuar.

Në deklaratën e Misionit të FMN u theksua: Ndryshimet që lidhen me hartimin dhe zbatimin e LOB-së duhet të bëhen vetëm përmes procedurave normale parlamentare.

Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente duhet të ndërpritet.

Ne, sot, jemi në kohë të zbatojmë këtë rekomandim!

• Në nevojë dhe me urgjencë, me ndryshimet në ligjin organik të buxhetit, qeveria heq çdo pengesë ligjore dhe nuk do të respektojë, për këtë vit, parimet fiskale te sanksionuara në këtë ligj, por i jep të drejtën vetes të financojë shpenzime, duke rritur pa kufi borxhin publik, çka i vendosë financat e vendit në një pozitë të pambrojtur.

• Në nevojë dhe me urgjencë, duke u justifikuar me situatën e pandemisë dhe tërmetit, qeveria rrit shpenzimet me 11.8 miliard lekë, të financuara me borxh publik.

Por vetem 1miliard e gjysme leke do të shkojnë për vaksinat COVID-19 dhe qeratë e të dëmtuarve nga tërmeti.

• Edhe shuma 1 miliarde lekë e destinuar për vaksinimin, i hiqet skemës së rimbursimit të personave që janë mjekuar në shtëpi me Covid-19, duke mos i mbështetur familjet në nevojë.

• Pjesa tjeter prej 10 miliard do të shkojë për blerje dronësh, për investimet korruptive prej 20 milion euro për km, të unazave në Tiranë dhe Sheshit Shqiponja, për avancim të punimeve ne infrastrukturë, shpenzime që kanë lidhje me fushatën zgjedhore.

• Në nevojë dhe me urgjencë i alokon 900 milionë lekë Bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar. Në shkelje të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Korrik 2021, i cili, ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin ku ishte ndërtuar godina e Teatrit Kombëtar.

Cila është arsyeja që këto para i jepen bashkisë, në një kohë që prona dhe institucioni janë në varësi të Ministrisë së Kulturës? Gjithshka e lidhur me korrupsionin.

Fondi Monetar Nderkombetar (FMN), ne raportin e tij te qershorit 2021 , ka këshilluar që të moderoheshin investimet publike dhe të kishte një ristrukturim të shpenzimeve prioritare.

Deklarata e Misionit të FMN vuri në dukje dështimin e qeverisë në gjithë drejtimet:

• Rritje të investimeve publike, të financuara me burime të brendshme jo eficiente, me mungesë transparence për tejkalimin e kostove.

• Mungese transparence për rritje të koncesioneve me Partneritet Publik –Privat, për mënyrën se si po përdor fondet buxhetore për të financuar koncesionet.

• Kostot e kontratave me PPP, më të larta se praktikat e investimeve publike.

Por qeveria nuk heq dore nga financimi i PPP-ve, te cilat per vitin 2021 parashikohen ne masen 118 milione euro, 14.5 miliardë lekë.

Dhe nuk bën asnjë shkurtim të shpenzimeve operative te panevojshme.

Cili është kredibiliteti, që na ofron qeveria në akt normativ, për qëndrueshmërinë e financave publike?

• Rritja e borxhit publik, duke e çuar në nivelin 80% te PBB-se, sipas deklarimit në relacion, rëndon edhe më shumë xhepat e qytetarëve, dhe gjithshka shkon në aferat korruptive.

Sigurisht, në këtë përllogaritje nuk jane përfshirë detyrimet e papaguara, vendimet gjyqësore të paekzekutura, vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe të arbitrazhit, si dhe interesat e shtuara të PPP-ve.

Projektet PPP nuk raportohen si borxh, por me përfshirjen e tyre, borxhi arrin në nivelin 100%. Duke uruar që mos të ketë kontrata të reja koncesionare/PPP, populli shqiptar do të përfundojë likuidimin e këtyre detyrimeve pas njëzet a tridhjetë vitesh.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria është e para në rajon, për treguesin e borxhit.

Vendi rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur këtë borxh.

Dhe ky borxh do të vijojë të rritet, me VKM e shpalljes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, me akordimin e 200 milionë eurove si garanci sovrane.

Kjo nuk është krizë energjetike, kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi.

Me këtë VKM, duan të mbulojnë vjedhjen në KESH dhe në OSHEE.

Sektori i energjisë elektrike, është kthyer në një biznes korruptiv, në favor të klientëve, zyrtarëve dhe blerjes së votave sa herë që ka zgjedhje.

• Rritja e defiçiti buxhetor nga -4.8% i planifikuar në buxhetin e vitit, arrin në -6.9%, duke rritur borxhin e planifikuar vjetor nga 108.7 miliard në 120.5 miliard.

Sipas shifrave të qeverisë, ekonomia jonë rritet përditë, por ne jetojmë përditë në varfëri më të madhe! Abuzimi me shifrat është një praktikë e kësaj qeverie.

Me çfarë justifikohet kjo gjoja rritja ekonomike?

Me rritjen e çmimeve të artikujve bazë të shportës si buka, vaji, zarzavatet, patatet, qumështi me 10, 20 e deri në 35%, në krahasim me vitin e kaluar?

Familjet shqiptare kanë të ardhurat më të ulta në rajon dhe shpenzojnë më shumë për t’u ushqyer.

Sot 51.7 % e konsumit te familjeve, shpenzohet për ushqime dhe për energji elektrike.

Dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj politike, shqiptarët vijojnë që të kenë vrullin më të lartë për t’u larguar, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Sipas publikimit të INSTAT “Diaspora e Shqipërisë në Shifra” shifrat tmerruese te emigracionit, tregojnë se gjatë viteve 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë qytetarë, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011.

Qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.

Një qeveri e përgjegjshme do të merrte vendime në interes të njerëzve, interesit publik, me ndikim në mirëqenien e qytetarëve, në respekt te shtetit ligjor e duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët.

Por Qeveria shqiptare ka sy e veshë për të pa e degju vetem një grusht njerëzish me të cilët ndan paratë e vjedhura të shqiptarëve dhe pushtetin politik, me te vetmin objektiv të përbashkët … të mbushjes deri në grykësi të llogarive bankare , mundësisht në offshore…
Ju faleminderit

Artikulli paraprakBardhi nxjerr bllof Ramën për Becchettin. Nuk ka vendime sekrete. Rama do të paguajë dëmin!
Artikulli tjetër9 humbje jete nga Covid-19 dhe 495 të infektuar në 24 orët e fundit