Qytetarët e Kavajës: Do braktisim zgjedhjet, të dielën të gjithë në shesh

Tre ditë para zgjedhjeve lokale në Kavajë mbizotëron një qetësi e pazakontë. Nuk ka banderola, fushatë, nuk ka makina kandidatësh, nuk ka flamuj, thjeshtë njerëzit hyjnë e dalin nëpër kafene. Eshtë data 4 maj, dhe të dielën ky qytet sipas Edi Ramës do të shkojë në zgjedhje. Kavajasit nga ana e tyre e dinë fare mirë se çdo të thotë kjo. Edhe katër vjet të tjera në drejtimin e metodave të Roshit, që sollën korrupsion dhe shkatërrim për qytetin e vogël. E gjithsesi shumica e ka ndarë mendjen. Të dielën qyteti do i drejtohet sheshit qendror, duke braktisur zgjedhjet farsë të Ramës. Sepse ata e dinë se tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për drejtimin e një bashkie, por bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve të tyre që po shkërmoqet dita-ditës. Tek e ardhmja e atyre që po e braktisin çdo ditë qytetin, dhe në këto kushte askush s’mund t’i gënjejë. As ajo qendër model anadollak që Rama e shiste si histori suksesi për Roshin e tij. Kavajasit po presin të dielën të protestojnë, dhe këtë herë e dinë se nuk bëhet fjalë vetëm për disa zgjedhje lokale…. Jo, këtë herë ata ngrihen kundër sistemit, kundër varfërisë së instaluar, kundër atij korrupsioni që po e gërryen qytetin. Një qytet ku të gjithë kërkojnë të shesin dhe askush nuk blen, dhe ku varfëria është shtruar këmbëkryq. Situata të kujton atë të 26-27 viteteve më parë, kur ishin pikërisht Kavajasit të parët ata që morën guximin t’ia përplasin në fytyrë diktaturës krimet dhe poshtërsitë e saj.

Fushata

Megjithë qetësinë në qendër të bisedave me kavajasit është ajo çka do të ndodhë ditën e dielë. Të bësh fushatë, sidomos me ngjyrat mavi është kthyer në një simbol turpi. Edhe ata pak të angazhuar nuk dalin publikisht në krah të kandidatit socialist, i cili garon i vetëm. Në fakt, qytetarët e Kavajës nuk duan më të identifikohen me ata që ata i quajnë “ngjyrat e turpit”…. Shumica e ka braktisur këtë fushatë, dhe jo vetëm ata. Shtabi elektoral i kandidatit janë kryesisht punonjës të Bashkisë, që halli i ka detyruar të dalin të kërkojnë vota. Në fakt, në krah të kandidatit qëndron pa reshtuar Gentian Daja, një ish i dënuar për trafik droge, që Rama ka vendosur ta ketë në krye të PS-së, dhe me të cilin sdo të identifikohet askush. Pyesim se me çfarë merret Roshi me pesë emra, ish-kryetari i Bashkisë, i shkarkuar sepse kish fshehur një dënim të marrë në Itali për përdhunim në grup. Na thonë sërish është ai që vendos për dikasteret e Kavajës, por nga zyra e tij në Qerret ku dhe ka ngritur një kompleks ndërtimesh, për të cilin askush nuk flet. Madje ishte pikërisht ky kompleks i tij, për të cilin Rama lëvroi më shumë se 3.2 milionë euro për përroin e  Leshniqes, me qëllim që të kalonte dhe rruga andej. Roshi me sa na thanë jo vetëm që nuk i kish humbur fuqitë e mëparshme, por tashmë kontrollonte dhe Komisariatin e Policisë së  Kavajës, ku shefi i këtij dikasteri ndiqte me përpikmëri urdhrat e tij.

Çfarë do të ndodhë

Por çfarë do të ndodhë të dielën në Kavajë? Partia Demokratike ka dhënë garanci se nuk do të preket asnjë lule, dhe protesta do të jetë paqësore. Në fakt, atë ditë do të ngrihet një mur njerëzor për të mos lejuar zgjedhjet farsë. Një mesazh për Edi Ramën direkt. Të dielën e gjithë Shqipëria, por Kavaja në veçanti nuk e sheh si ditë votimesh, por si ditë proteste, kur demokratët dhe jo vetëm nga e gjithë Shqipëria do të zbarkojë në qytetin e vogël, në qytetin që u bë simbol i kapjes nga bandat e pushtetit. Në atë qytet që u mbajt peng nga përdhunues dhe trafikantë droge, dhe që ishte fytyra më e qartë e kësaj qeverie. Mesazhi që morëm nga Kavaja ishte ai i revoltës. Nga bisedat me banorët mësuam se shumica do i braktisin zgjedhjet e Kavajës dhe do i bashkohen protestës…. “Kjo situtatë ishte dhe 1 javë para 25 marsit të vitit 1990, kur u ngritëm për herë të parë kundër diktaturës. Qytetin e kishte pllakosur një qetësi para ndeshjes “Besa-Partizani”.  Kush ishte komunist tregohej me gisht nën zë si shkaktari i të gjitha vuajtjeve tona. Me çfarë shoh protesta do jetë e fuqishme. Në fakt na ka ardhur në majë të hundës me këta”, na thotë një ish-punëtor i Fabrikës së Qelqit, që sot shet në një tezgë disa metra larg Bashkisë. Por natyrisht dhe presionet nuk mungojnë. Megjithëse vetëm një kandidat në garë, Edi Rama ka angazhuar të gjithë resurset e tij politike në  Kavajë. Kërkohet pjesëmarrje në zgjedhje, por edhe të pengojë qytetarët  t’i bashkohen protestës së opozitës. E megjithatë, Kavaja ska pyetur ndonjëherë për këto lloj presionesh, as në kohën e diktaturës. Vendi nga ku nisën protestat kundër diktaturës do di t’ja japë përgjigjen dhe këtë herë falangave të krimit atje. Kavaja dhe e gjithë Shqipëria po mbahen peng nga një klikë, e cila ka futur vendin në një udhë pa krye. Duket sikur  gjithçka po shkon drejt greminës dhe qyteti i vogël në breg të Adriatikut do të ndezë sërish shkëndijën e shpresës ashtu si 27 vite më parë.

Rama ofron alternativën e krimit

Pasi u detyrua të tërheqë kandidaturën e gruas së trafikantit Gentian Daja, Edi Rama, ka zgjedhur një tjetër person për Bashkinë e Kavajës po aq të implikuar në korrupsionin e kësaj Bashkie, sa paraardhësi i tij. Bëhet fjalë për Klodian Shehin, i cili me firmën e tij që nga dhjetori ka ligjëruar të gjitha pazaret e Rroshit në këtë bashki, lejet e ndërtimit, tenderat e rrugëve e të tjera si këto. Burime nga ky qytet bëjnë me dije se Shehi, ishte pjesë e grupit Rroshi-Daja, dhe qehaja i punëve të ish-kryetarit në qytetin e vogël bregdetar. Por, kjo nuk është e gjitha! Klodian Shehi duhet t’i përgjigjet dhe një pyetjeje që ka të bëjë me ligjin e dekriminalizimit, të cilin duket se e ka fshehur në formularin që plotësohet për këtë qëllim. Klodian Shehi, dyshohet se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj arrest shtëpie përpara 10-12 vjetësh në shtetin italian për aktivitete të paligjshme atje. Është detyrë e Prokurorisë të verifikojë, nëse bëhet fjalë për trafik narkotikësh, prostitucion apo ndonjë vepër tjetër penale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se njohjet mes Enverit të Kavajës, Klodian Shehit dhe Gentian Dajës janë të hershme, dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë shokë armësh në trafiqet e paligjshme në rininë e hershme të tyre, të cilat për momentin i kanë pezulluar, pasi i kanë hyrë lojërave të pushtetit. Në rast të një verifikimi nga ana e Prokurorisë, ligji për dekriminalizimin e detyron Klodian Shehin të heqë dorë nga kandidimi, por dhe nga funksioni që ka aktualisht si nënkryetar i Bashkisë atje. Por nga ana tjetër, kandidimi në fjalë tregon dhe diçka tjetër, e cila po përcillet me shqetësim nga qytetarët e Kavajës.

Paniku nga protesta, Rama mundohet të joshë me favore qytetarët

Paniku i Edi Ramës për zgjedhjet e Kavajës, ka arritur në atë pikë sa të angazhojë të gjithë strukturat e PS-së, në qendër për të ndaluar protestën në këtë qytet. Thuajse të gjithë deputetët kanë marrë urdhër dhe shkojnë me turne drejt qytetit të vogël. Dhe jo vetëm kaq. Shumë prej tyre po kryejnë telefonata direkt me banorët e qytetit, duke i premtuar favore në rast se do të braktisin protestën dhe nuk do të bojkotojnë zgjedhjet. Për të pabindurit, kanë  kaluar deri edhe në kërcënime. Pavarësisht qetësisë në dukje, Rama po mundohet të krijojë një klimë terrorri, këtë herë jo vetëm me anë të falangave të tij në qytet, të cilët tashmë ndihen të pafuqishëm, por ka angazhuar dhe deputetët në qendër, që nga Erjon Braçe, Taulant Balla e të tjerë, që kanë rikonfirmuar emrin në listat e zgjedhjeve të ardhshme. Burime nga Kavaja shprehen se, deputetët e PS-së janë kthyer në call center, duke marrë në telefon personalisht persona të njohur për bindjet e tyre. Gjithsesi, të njëjtat burime bëjnë me dije se, deri më tani duket se  as joshjet dhe as presionet skanë pasur rezultatet, pasi pjesa më e madhe e qytetit ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e 7 majit. Nga ana e Partisë Demokratike prej më shumë se një jave është ngritur shtabi i koordinimit të mosbindjes civile në këtë qytet, ku në përbërje të saj janë deputetët Arben Ristani, Flamur Noka, Luçiano Boçi etj. PD në qendër dhe në degë ka dhënë garanci se, protesta do të jetë paqësore, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve që mos bien pre as e presioneve dhe as joshjeve që u bëhen nga të dërguarit e Ramës.

Artikulli paraprakHungaria del në krah të lëvizjes popullore, i bashkohet protestës
Artikulli tjetërInteresat negative të euros kanë vënë në vështirësi menaxhimin e rezervës valutore