Qeveria që nuk e meritojmë

Florian PAPADHIMITRI

Largimi nga puna është një nga format me të liga dhe më poshtëruese të hakmarrjes. Motivimi për t’u hakmarrë në këtë mënyrë gjendet gjerësisht tek qeveri të korruptuara, të cilat pushtetin politik e përdorin si mjet për të kënaqur vetëm interesat e tyre dhe të grupit politik që përfaqësojnë. Në mënyrë madhështore, George Orwell e ka përshkruar këtë gjendje të qeverisë në librin e famshëm “1984”, kur shkruan: “Partia e kërkon pushtetin vetëm për hir të tij. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve. Pushteti nuk është mjet, ai është qëllim”.
Unë e kam provuar drejtpëdrejt këtë gjë siç e kanë provuar dhe po e provojnë qindra e mijëra shqiptarë të tjerë. Thoma Papadhimitri, babai im i cili për thuajse katër dekada ka shërbyer si specialist e drejtues në institucione të ndryshme e në administratë, u pushua nga puna nga qeveria e tashme. Kjo ngjarje që na shqetësoi seriozisht ne si familje ndodhi në nëntor të vitit 2013, vetëm fare pak javë, pasi qeveria e majtë kishte ardhur në pushtet. Qeveria duhet thënë që e nisi paraqitjen e saj para shqiptarëve, duke lajmëruar në Kuvend se në lidhje me dhunën e pretenduar nga opozita se po ushtrohej ndaj saj, “ajo nuk kishte parë gjë akoma”.
Në tetor të 2013, menjëherë pas ndërrimit të qeverisë, ndërroi dhe Këshilli Mbikëqyrës dhe drejtuesit e lartë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ku prej thuajse 6 vitesh im atë punonte si specialist Audit i Brendshëm. Menjëherë pas këtij ndërrimi, me një shpejtësi të rrufeshme nisi dhe largimi me përdhunë i specialistëve dhe punonjësve. Në pak ditë, me një formë të pa precedent u urdhëruan të linin zyrat dhe vendet e punës rreth 60 punonjës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Vendimi urdhërues ishte plotësisht në shkelje me ligjet dhe vendimet në fuqi, çka e bëri të qartë motivin hakmarrës të këtij largimi.
Babai im, sot 62 vjeç ka shërbyer si specialist e drejtues për vite të tëra në regjimin (qeverinë) totalitar të komunizmit, padyshim nën presionin e luftës së klasave, por ka mundur të punojë dhe përparojë në profesionin e tij. Pas rënies së komunizmit, ai nuk u përndoq nga asnjë administratë, përkundrazi shërbeu si shumë të tjerë, dhe aq sa e njoh tim atë dhe me aq herë sa e kam parë të përkushtuar dhe shqetësuar për çështjet e punës edhe në shtëpi, kam kuptuar dhe jam i bindur që ai ka dhënë më të mirën e tij, si njeri dhe si profesionist. Jo vetëm qeveria e Partisë Demokratike që erdhi në pushet në vitin 1992 nuk e zboi nga puna, por edhe qeveria Socialiste e ardhur në pushtet në vitin 1997 nuk ndërrmori ndaj tij apo ndaj shumë kolegëve të tij sulme dhe nisma dëbimi nga puna. Që prej nëntorit të vitit 2013, gjithë familja ime u përball me mbijetesën dhe me pamundësinë për të patur një shans pa u diskriminuar politikisht.
Babai si njeri që gjithë jetën ka besuar tek e drejta i kërkoi Gjykatës të vendoste të drejtën në vend, ta cilësonte të paligjshëm shkarkimin dhe ta dëmshpërblente për dëmin që në këtë rast përkthehej betejë për mbijetesë pas dekadash të tëra pune. Këtë shkrim nisa ta shkruaja që në nëntor të 2013, por si gazetar dhe “monitorues” i lajmeve, ngjarjeve e dijenisë se si trajtohen shumë çështje në Shqipëri, si dhe duke njohur mënyrat e format e hakmarrjes vendosa që të mos e botoja menjëherë. Publikimi i këtij shkrimi ka qenë i pamundur deri më tani për shkak se çështja ishte në gjykim dhe kam bindjen se, qoftë dhe një radhë denoncim do të bënte që Gjykata të mos vendoste kurrë në favor të të drejtës së Thoma Papadhimitrit.
Në 19 majin e shkuar, Gjykata e Lartë vendosi të shpallë të paligjshëm vendimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë, një kompani në pronësi të qeverisë, për të pushuar nga puna Thoma Papadhimitrin. Një vendim të tillë e kishin marrë më herët edhe Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Shkallës së Dytë. Ishte këmbëngulja e avokatëve të qeverisë për të legjitimuar me çdo kusht vendimin e tyre të shkarkimit që bëri që çështja të shkonte deri në Gjykatën e Lartë. Sot, kur gjithë këto shkallë të gjyqësorit i kanë dhënë të drejtë babait dhe e detyruan qeverinë shqiptare ta dëmshpërblejë atë, unë mund të them hapur se gjithë ky kalvar është tërësisht politik. Babai dhe ne nuk jemi aktivistë partiakë apo anëtarë, por gjithsesi, unë personalisht, për shkak dhe të pozicionit si Këshilltar për Mediat i ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në qeverisjen e fundit të Partisë Demokratike mund të jem etiketuar dhe të kem krijuar imazhin e një përkrahësi të fortë, apo funksionari të së djathtës.
Ndoshta, veç kësaj, shkak ka qenë dhe mos angazhimi i drejtpërdrejtë me një nga dy partitë në pushtet dhe mos ekzistenca e emrave tanë në listat e këtyre partive.
Kjo mendoj ka qenë dhe shkak i urdhrit absurd dhe antiligjor (siç e vlerësoi dhe gjyqësori) që la tim atë rrugëve dhe na krijoi një shqetësim të paprovuar më parë. Qeveria e sotme këtë qasje nuk e ka vetëm me ne, pasi  qindra specialistë, punonjës dhe drejtues të administratës janë larguar nga puna dhe janë hedhur në rrugë. Një grevë urie u mbajt nga të larguarit nga puna në vitin 2014. Greva që zgjati dy javë u ndërpre, pasi Komisioneri për Zgjerim i Këshillit të Europës, z. Stefan Fule premtoi trajtim të drejtë sipas ligjit të të gjithë të larguarve.
Në të vërtetë administrata është mbushur me militantë partiak, por edhe me njerëz të cilët opozita i ka akuzuar (bazuar në dokumenta, vërtetime) si të lidhur me krimin. Janë të njohur publikisht rastet e disa oficerëve të Policisë, e disa punonjësve të Hipotekave, e kryetarëve të Këshillave të qarqeve apo bashkive si të lidhur me krimin. Persona të lidhur me krimin kjo qeveri ka arritur t`i bëjë deri edhe kryetarë bashkie dhe deputetë. Lufta politike ka degjeneruar që prej vitit 2013 në një hakmarrje të drejtpërdrejtë për zënie pronash dhe vendesh pune. Të gjithë e njohin rastin kur një lagunë peshkimi iu mor peshkatarëve që kishin dekada që punonin aty dhe iu dha një deputeti, i cili u konfliktua me peshkatarët, u denoncua dhe ndalua dhe në burg për plagosje të rënda.
E njëjta gjë ka ndodhur me shumë prona të tjera siç ka ndodhur thuajse me të gjitha institucionet shtetërore me vendet e punës. Pushteti është kthyer me të vërtetë në qëllim dhe kësisoj lufta politike nuk mund të njohë kufij. Me keqardhje me dhimbje rikujtoj se si pasojë shumë të larguar nga puna kanë shkuar edhe në vendime ekstreme si vetvrasja, kjo si pasojë e përballjes me pamundësinë për të ushqyer fëmijët dhe familjet e tyre. Ka patur të paktën tre raportime për vetvrasje nga njerëz, të cilët si pasojë e largimit nga puna janë pushtuar nga depresioni. Në Korçë, kryetarja e degës lokale të PS-së, e emëruar drejtuese e lartë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore largoi nga puna Bruna Mekën, e cila nuk pa zgjidhje tjetër, por zgjodhi të vetvritej dhe shkroi në një letër që arsye e vendimit të saj ekstrem ishte largimi nga puna.
Po ashtu në Lezhë, një punonjës prej vitesh i Hidrovorit u vetvra, sepse u largua nga puna dhe u zëvendësua nga një militant i LSI-së. Edhe i ndjeri shkroi se, arsye ishte vetvrasja. Një grua në Burrel kërcënoi me vetvrasje, sepse u largua nga puna në OSHEE. Ajo hipi majë një shtylle të tensionit të lartë dhe kërkoi vetëm kthimin në punë. Të gjitha këto janë episode të një panorame të dhimbshme dhe shumë të gjerë që përshkruan gjithë jetën shqiptare sot.
Në listën e këtyre historive të dhimbshme e fundit, renditet ajo e Shukri Xhelilit, kryetarit të Bashkisë Dibër, i cili pas javësh shantazh dhe formave të ndryshme shtrënguese, kërkonte dhe arriti deri në një farë mase të përfitonte seksualisht nga një vartëse e tij.
Kjo është qeveria që të gjithë ne shqiptarët fatkeqë nuk e meritojmë.
Nuk e meritojmë për papërgjegjshmërinë e qeverisë treguar ndaj punonjësve të saj, por dhe arrogancën ndaj taksave të bizneseve dhe qytetarëve. Në një artikull të para disa ditëve të publikuar nga kolegët gazetarë të BIRN thuhej se, gjatë vitit 2015, kostoja e përgjithshme e faturave të shlyera për pushimet e padrejta nga puna arriti në 3.1 miliardë lekë, (rreth 22.3 milionë euro), ku pothuajse të gjitha institucionet kryesore në vend qenë përgjegjës për këtë dëm.
Kjo është qeveria që nuk e meritojmë!

Artikulli paraprakSocialistët e Kavajës, nëna jonë është partia
Artikulli tjetërKroacia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare