Kroacia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Me një mocion mosbesimi në Parlament të zv.kryeministrit Tomislav Karamarko, Kroacia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjë që mund të shtyjë reformat e rëndësishme të nevojshme për të zbutur deficitin e buxhetit, thonë ekspertë të ekonomisë. Pasi revista javore ‘Nacional’ raportoi që në fillim të muajit se bashkëshortja e Karamarko-s, Ana Sariç Karamarko, kishte marrë mbi 60.000 euro nga një lobist për kompaninë hungareze të energjisë MOL – me të cilën Kroacia ka një mosmarrëveshje ndërkombëtare – Partia Opozitare Social Demokrate, SDP, ka parashtruar një mocion mosbesimi para dy javësh kundër Karamarko-s. Mundësia e zgjedhjeve të parakohshme u afrua më tepër javën e kaluar, pasi zv.kryeministri tjetër, kreu i partisë MOST, Bozo Petrov, bëri të ditur se deputetët nga partia e tij do të votojnë kundër Karamarko-s. Në seancën e radhës të qeverisë, të gjashtë ministrat e MOST-it dhe vetë Petrov votuan kundër Karamarko-s, ndërkohë që 14 ministrat dhe Karamarko – nga qeverisja kryesore Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ – së bashku me kryeministrin pa parti, Tihomir Oreskoviç, votuan për t’i dhënë besim Karamarko-s. Me kabinetin të ndarë në mënyrë të rrezikshme, Kroacia ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme në shtator. Eksperti i ekonomisë Damir Novotny, tha për BIRN-in se zgjedhjet e parakohshme, megjithatë, do “të vonojnë zbatimin e programit të reformës kombëtare për nxitjen e aktivitetit ekonomik”. Ai kujtoi se qeveria kishte paraqitur para Komisionit Europian një grup reformash për konsolidimin e buxhetit, duke vënë në dukje se reformat kyçe duhet të zbatohen brenda vitit 2017. Ai shpjegoi më tej se këto parashikojnë shkurtime të konsiderueshme në shpenzimet publike, pasi borxhi publik i Kroacisë ka arritur në 90% të PBB-së vjetore. Sipas Novotny, çdo qeveri, qoftë aktualja apo një e re, do të duhet të zbatojë masa të tilla për të shmangur sanksionet e BE-së. Me futjen në BE në korrik 2013, Kroacia mbylli vitin me një deficit buxhetor prej 4.9% të PBB-së vjetore, pas së cilës vendi hyri në një deficit të tepruar buxhetor – një mekanizëm korrigjues i BE-së, që përfshin kryerjen e reformave strukturore të shpenzimeve publike.

Artikulli paraprakQeveria që nuk e meritojmë
Artikulli tjetërBiznesi kërkon ulje taksash!