Qeveria po shpenzon miliona euro për gjyqet me Bechettin

Konfliktet e qeverisë shqiptare me biznesmenin Francesco Bechetti po u kushtojnë jo pak qytetarëve shqiptarë. Këshilli i Ministrave lëvroi një fond prej 41 milionë lekësh ose afro 310 mijë euro, për studion ligjore që mbron Shqipërinë në proceset gjyqësore me Francesco Bechettin. Kjo nuk është hera e parë që qytetarët shqiptarë paguajnë për konfliktin e qeverisë me biznesmenin italian. Qeveria ka dhënë disa herë të tjera më parë, fonde për avokatët që e mbrojnë atë në gjyqet me Bechettin, duke e çuar koston totale të këtij konflikti në disa milionë euro.

Vendimi

Në vendimin e fundit, qeveria i ka kaluar 41 milionë lekë shtesë Ministrisë së Mjedisit për gjyqin me Bechettin. “Ministrisë së Mjedisit t’i shtohet fondi 41 milionë lekë për të përballuar pjesërisht kostot e ekspertimit e të përfaqësimit të avokatëve në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar ‘Albaniabeg Ambient’, sh.p.k., M.Angelo Novelli dhe ‘Construzioni’, s.r.l, kundër Shqipërisë”, thuhet në vendim. Sipas vendimit, paratë do të merren nga buxheti i Ministrisë së Financave.

Konfliktet

Biznesmeni italian i dëbuar nga qeveria shqiptare e ka paditur Shqipërinë në tri gjyqe të ndryshme në arbitrazh duke kërkuar qindra milionë euro dëmshpërblime. Në rastin konkret bëhet fjalë për një vendim të ish-kryeministrit socialist Fatos Nano. Kompanitë “Albaniabeg ambient” sh.p.k., Angelo Novelli and “Costruzioni S.R.L.” kanë hedhur në gjyq qeverinë shqiptare, duke i kërkuar 150 milionë euro dëmshpërblim për mosrespektim të kontratës për djegien e plehrave të sjella edhe nga Italia, duke prodhuar energji nga impianti termovalorizator. Por veç këtij konflikti Bechetti e ka paditur Shqipërinë në arbitrazh edhe për dy çështje të tjera, atë që ka lidhje me hidrocentralin e Kalivaçit, ku shtetit shqiptar i kërkohet të paguajë një shumë prej 10 milionë eurosh për TVSH-në lidhur me këtë projekt. Të gjitha këto gjyqe nisën pasi biznesmeni italian u akuzua publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe Prokuroria për pastrim parash dy vite më parë.

Shqipëria, vendi që shpenzon më pak për të varfrit

Asistenca sociale në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Të dhënat e publikuara nga Banka Botërore, tregojnë se Bosnja është vendi me shpenzimet më të larta për asistencën sociale, duke u ndjekur nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, vendi ynë shpenzon në shifrën më të ulët, 10.1% të PBB-së. Raporti pasqyron dhe shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë në raport me PBB-në, ku sërish vendi ynë për shkak të kapaciteteve të dobëta të grumbullimit të taksave është më pak se vendet e rajonit. Qeveria shqiptare mbledh taksa sa 24.4 për qind e PBB-së, ndërsa Bosnja dhe Serbia përkatësisht me nga 38.1 dhe 37.8 për qind e PBB-së. Shqipëria e ka treguesin zyrtar të varfërisë në mbi 14 për qind, të përqendruar kryesisht në zonat veriore të vendit. Pagesat e mbrojtjes sociale në vend janë shumë poshtë minimumit jetik që sipas një vlerësimi që dha Avokati i Popullit vitin e kaluar duhet të jetë 16 mijë lekë në muaj. Mbi këtë shifër sipas avokatit duhet të jepen të gjitha pagesat për zërat e mbrojtjes sociale.

Fondet për pagesën e papunësisë në nivelin më të ulët të 10 viteve

Qeveria akordoi fondin më të ulët për pagesën e papunësisë që nga viti 2007. Fondet dedikuar shtresave në nevojë kanë pësuar rënie me mbi 18% në periudhën janar-mars 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet për pagesat e papunësisë ishin 108 milionë lekë në tremujorin e parë, gati 50 për qind më të ulëta se në vitin 2007 ku fondi neto ishte 225 milionë lekë. Gjatë tri viteve të fundit qeveria ka ulur në mënyrë dramatike pagesat e papunësisë si rrjedhojë e masave shtrënguese që synojnë uljen e deficit buxhetor dhe borxhit publik. Por ecuria e këtij viti është në kontraditë me një vendim që qeveria mori vitin e kaluar ku vendosi të dyfishojë pagesën e papunësisë. Qeveria miratoi në qershor 2016 vendimin “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, në të cilin është parashikuar rritja me gati 60 për qind e pagesës për të papunët. Konkretisht nga 6850 lekë që kishin të drejtë të përfitonin, tanimë do të kenë mundësi të marrin 11 mijë lekë.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi kishte argumentuar në atë kohë se kjo rritje u bë në përputhje edhe me konventën ndërkombëtare të punësimit, ILO. Shpenzimet buxhetore kanë hyrë në një trend rënës, teksa shihet se për të dytin vit radhazi më 2016, arka e shtetit ka ulur pozicionin e injektimeve në ekonomi. Gjatë vitit 2016 shpenzimet totale ishin 1.9% më të ulëta se më 2015, me rreth 8.1 miliardë lekë më pak (60 mln euro).

Artikulli paraprakMziu inspekton punimet në Babrru: Në proces 40 projekte dhe rruga “Demokracia” në Paskuqan
Artikulli tjetërMinatorët në protestë para Parlamentit: Boll na mashtruat!