Minatorët në protestë para Parlamentit: Boll na mashtruat!

Një grup minatorësh protestuan dje përpara Parlamentit për të drejtat e tyre. Minatorët kërkojnë miratimin e statusit të minatorit, që prej vitesh i është premtuar, por ende vazhdon të mos votohet në Parlament. Ndërkohë që vazhdonin punimet në seancën e djeshme parlamentare, një grup minatorësh ishin mbledhur përpara tij duke protestuar për të drejtat e tyre. Në duar kanë mbajtur parulla të shumta, për kërkesat e tyre. Ata kanë bërë thirrje që politikanët të mos i mashtrojnë më me premtime boshe, por të punojnë për të plotësuar kërkesat e tyre. Po ashtu, minatorët kanë hedhur akuza edhe ndaj sindikatave të minatorëve, duke thënë se ato janë të shitura. “Ka 27 vite që na mashtrojnë si njëra parti dhe tjetra. Kemi lënë kokën në miniera, jemi pa status. Nga 1 maji do të ketë përshkallëzim protestash dhe grevash. Sindikatat janë të shitura, nuk përfaqësojnë interesat tona”, thanë minatorët. Protestuesit u shprehën se pavarësisht viteve të shumta të punës, ata ende nuk kanë status që parashikon dhe mbron të drejtat e tyre. Ata paralajmëruan se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do të përshkallëzohen deri në grevë urie.
Ministria e Energjisë, në muajin mars, bëri me dije se po punon për hartimin e një statusi të veçantë për minatorët, me kërkesë të këtyre të fundit. Disa nga kërkesat kryesore të minatorëve ishin paga minimale aktuale e tyre të jetë të paktën 70 mijë lekë në muaj, përfitimi i pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit dhe uljen e moshës së daljes në pension. Po ashtu, minatorët kërkojnë të drejtën për të përfituar kontrolle mjekësore falas e në rast të sëmundjeve profesionale, shteti t’i sigurojë kurimin mjekësor falas.
Aktualisht, punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave numërohen rreth 8 mijë persona. Ata njihen si një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë. Deri më tani projektligji nuk është diskutuar ende në komisionet përkatëse parlamentare, për të shkuar më pas për votim në Kuvend.

Artikulli paraprakQeveria po shpenzon miliona euro për gjyqet me Bechettin
Artikulli tjetërAnalizat sekrete zbulojnë mashtrimin e kompanive të naftës