Qeveria injoron situatën e rëndë në dy spitalet e Covid, po shpërfill shqetësimet e mjekëve

Nga Bardh SPAHIA

Eshtë për të ardhur keq që qeveria po injoron situatën e rëndë në dy spitalet kryesore Covid ku stafi mjeksor po vuan si mungesa logjistike e teknike ashtu edhe kapacitete njerëzore. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ministrja e shëndetësisë bën sikur nuk e kupton edhe pse i është bërë e ditur zyrtarisht. Ne kemi informacionin e plotë nga kolegët tanë brenda institucioneve shëndetësore që ndihen të braktisur nga qeveria në këtë situatë. Unë e denoncova edhe para dy ditësh, që darkën e të dielës duke u gdhirë e hëna, 12 pacientë ishin paraqitur në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por për shkak të mungesës së kapaciteteve, kanë ndenjur gjithë natën nëpër autoambulanca dhe vetëm paraditen e të nesërmes kanë mundur të sistemohen. Ministrja e shëndetësisë është në dijeni të kësaj situate, edhe urgjenca kombëtare së cilës i është kërkuar që të mos dërgojë më pacientë tek ky spital.

Nga ana tjetër, Covid 3 dhe ai që ministrja thotë se është gati, Covid 4 janë më shumë struktura hoteliere se spitale Covid pasi nuk kanë pajisjet teknike e as njerëzore për tu dhënë shërbimin rasteve emergjente. Ka një mungesë serioziteti në reagimin ndaj kësaj situate, pasi kemi humbur muaj të tërë. Eshtë dashur të garantohen stafet e përgatitura, mjekë e infermierë, qoftë edhe duke trajnuar mjekë të profileve të tjera për të qenë gati për spitalet Covid.

Kjo është situata dhe ata që e po e thonë janë stafet mjeksore të cilët ndodhen në një situatë të pazakontë stresi fizik e mendor, pasi janë në numra të pamjaftueshëm për t’u përballur me flukset e reja të infektimeve.

Kjo është një situatë që qeveria duhet ta adresojë sa më parë dhe nuk zgjidhet duke bërë moral për mbajtjen e maskave apo me masa gjysmake dhe shumë të vonuara të rimbursimit të mjekimit të të infektuarve në shtëpi.

Artikulli paraprakPushuesit vendas nuk mjaftojnë, Covid-19 po shkatërron turizmin shqiptar, Veriu më i godituri
Artikulli tjetërInstituti i Vjenës: Ekonomia e Shqipërisë në pikiatë, rënie përtej parashikimve