Qeveria “fshihet” mbas Komitetit të eksperteve, ai hesht para Qeverisë!

Nga Tritan SHEHU

Qeveria “fshihet” mbas Komitetit të eksperteve, ai hesht para Qeverisë! Ndërsa Kryeministri edhe sot “i shqetësuar për një valë të dytë”, vazhdon në rolin e shurdhmemecit ndaj disa pyetjeve strategjike, ky komitet duhet të japë disa shpjegime teknike për ato:

1- Pse në vendin tonë, në mënyrën më absurde nuk lejohen laboratorët e pajisur të realizojnë ekzaminimet për zbulimin virusal, duke u hermetizuar vetëm në ISHP? Pse ky Komitet nuk i shpjegoi që kështu pengohet direktiva “test, test, test” duke shtuar edhe rrezikun “e valës së dytë”, në një kohë që kjo procedurë po thjeshtohet kudo?

2- Qeveria, në mënyrën më antishkencore e antiligjore ndalon forcërisht laboratorët të realizojnë ekzaminimet imunologjike për të përcaktuar antitrupat IgM, IgG apo dhe IgA, duke “e mbyllur” gjithçka në QSUT, gjë që bllokon “check” e dyfishtë, vlerësimin e metodave, masivizimin e procedurës e duke na ekspozuar ndaj “valës së dytë”.

Dikush në atë komitet duhej t’ia thoshte se saktësia shkencore rritet me diversifikimin e operatorëve, veçanërisht për këtë analizë të thjeshtë, të realizueshme në një shumicë të laboratorëve, për të tre metodikat e saj, e padëmshme për qytetarët dhe e parrezikshme për personelin e tyre. Aktualisht kudo po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme, deri te ato veterinare e farmacitë për këtë, ndërsa tek ne…

3- Pse ky komitet nuk i shpjegoi domosdoshmërinë e përdorimit të maskave në ambientet publike, veçanërisht në këtë periudhë hapje, pikërisht edhe si mbrojtje ndaj “valës së dytë”? Në një kohë që kudo ky proces po kondicionohet me detyrimin e përdorimit të maskave, me sigurimin e shpërndarjen e tyre nga strukturat shtetërore, tek ne Qeveria hesht.

Së paku ky Komitet teknik duhet të bëjë publik një opinion!

Qeveria deklaron se vendos Komiteti edhe për vendimet strategjiko-politike – Komitetit hesht edhe për opinionet teknike. Përfundimi…në vend numëro!

Artikulli paraprakGrabitet një dyqan në Fier
Artikulli tjetërFaktet e reja: Koronavirusi është përhapur në Wuhan që në muajin shtator