Qëndron te Reali

Eliminimi i Portugalisë nga Kupa e Konfederatave ka gëzuar Zinedine Zidane, që pritet ta ketë të gatshëm Cristiano Ronaldon për sfidën e rëndësishme kundër Manchester Unitedit. “Djajtë e Kuq” dhe “Los Blancos” do të luftojnë për trofeun e parë të sezonit me tetë gusht në Shkup, që takohen në finale të Superkupës së Evropës.
Ronaldo ishte në dyshim pas aventurës me Portugalinë në Kupën e Konfederatave, por eliminimi para kohe ia ka mundësuar portugezit që të jetë i gatshëm për finalen kundër skuadrës së Jose Mourinhos. Sipas “AS”, Ronaldo do të kthehet nga pushimet verore në fund të korrikut dhe do të ketë së paku një javë kohë që të përgatitet për këtë finale.
Nëse CR7 nuk do të jetë titullar, duke parë që i bashkohet skuadrës pothuajse dy javë me vonesë, atëherë ai pritet të luajë në pjesën e dytë. Portugezi duket se ka lënë anash inatin që kishte gjatë Kupës së Konfederatave, që u raportua se dëshiron ta braktisë Realin.
Tanimë gjithçka është qetësuar dhe sipas mediave spanjolle portugezi ka telefonuar Florentinon Perezin për t’i thënë se do të vazhdojë të jetë lojtar i Los Blancos edhe për shumë vite. “Mundo Deportivo” shkruan se, Cristiano Ronaldo ka ndërruar mendjen dhe tani dëshiron të mbetet në Real Madrid. Thuhet se ylli portugez, ka njoftuar presidentin e klubit, Florentino Perezin se nuk dëshiron të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Së fundmi spekulohej se Ronaldo kishte vendosur të largohej nga Spanja dhe të gjejë një skuadër të re gjatë afatit kalimtar të verës. Pas këtij lajmi ishte përfolur se Ronaldo ka ofertë nga Manchester United dhe PSG. Por, si duket e ardhmja e Ronaldo do të jetë në Madrid edhe për një kohë të gjatë.
Real Madridi ka blinduar talentin e akademisë, Oscar Rodriguez. Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e kërkonte me çdo kusht 19-vjeçarin e akademisë së Real Madridit, Oscar Rodriguez.
Kapiteni i Juvenil A, ekipit të tretë të Real Madridit, që udhëhiqet nga Guti, ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare me Los Blancos, raporton “Marca”.
Sipas “Marcas”, Guardiola ka parë diçka të veçantë te 19-vjeçari, që luan pozitën e mesfushorit sulmues, por Los Blancos mendojnë se ai mund të jetë aset i rëndësishëm për skuadrën në të ardhmen. Ai shihet edhe si pasardhës i Cristiano Ronaldos për gjuajtjet e lira, pasi edicionin që lamë shënoi disa gola spektakolarë me ekipin e Gutit, që fituan tripletën për herë të parë në histori.

Artikulli paraprakMorata drejt kalimit te Manchester United
Artikulli tjetërEnzo në formën e huazimit tek Alaves