Punonjësit e naftës në Ballsh nisin protestat pa afat

Punonjësit e Naftës në Ballsh kanë dalë sërish sot në protestë. Ata nisën këtë të enjte protestat ditore pa afat deri në zgjidhjen e problemeve. Punëtorët kërkojnë pagën e muajit nëntor, vazhdimësinë e punës dhe statusin e naftëtarit. Rreth 1000 punonjës ditën e djeshme e nisën protestën me një marshim nga uzina deri në qendër. Ata kanë deklaruar se, nëse problemi i tyre nuk gjen zgjidhje, protesta do përshkallëzohet deri në Tiranë.
Dy ditë më parë, reagoi edhe ish-Kryeministri Berisha për protestën e naftëtarëve. Në një postim në Facebook Berisha shkruante se: “Viktimat e vjedhjes së Armos nga Rama dhe Beso i tij në protestë!”.
Rreth 1000 punonjës prej 15 ditësh janë të pa punë, pasi Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka pezulluar punën për të kryer remontin në repartin e Koksit, ku rreth 15 ditë më parë ndodhi një avari dhe u plagos një punonjës.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të furnizuar me lëndë të parë uzinën për fillimin e punës sipas premtimit të kryeministrit Rama, që nafta shqiptare të përpunohet në Uzinën e Ballshit. “I kërkojmë shtetit të marrë masa. Do të përshkallëzojmë protestat nëse nuk merren masa. Po kështu, nëse nuk na japin pagesën do t’i vëmë flakën uzinës”, thonë protestuesit. Për shkak të defektit, rreth 1 mijë punonjës të Uzinës së Naftës në Ballsh kanë mbetur pa punë prej 2 javësh.

Artikulli paraprakPërplasen 3 makina në aksin rrugor Lezhë-Milot
Artikulli tjetërMaskat, levë në kokë të moshuarit dhe grabisin lekët në banesë