Maskat, levë në kokë të moshuarit dhe grabisin lekët në banesë

Një i moshuar ka rënë pre e dhunës dhe e grabitjes nga maskat. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Muzinë të Bashkisë Finiq. Sipas burimeve të policisë, persona ende të paidentifikuar, pasi e kanë dhunuar 72-vjeçarin Koço Sharpo e kanë grabitur. Raportohet se autorët i kanë marrë të moshuarit një shumë prej 150 mijë lekësh.
Persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në banesën e 72-vjeçarit Kosta Shapo në orën 03:00 të mëngjesit dhe kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj tij dhe i kanë grabitur 150 mijë lekë. I moshuari jeton vetëm në banesë, ku është qëlluar me mjete të forta në kokë dhe pjesë të tjera dhe është dërguar në Spitalin e Sarandës. Fillimisht të moshuarit i është dhënë ndihma e parë nga të afërmit, më pas ka mbërritur edhe ambulanca. Forcat e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ai ka treguar për mediat se autori nuk i tha asnjë fjalë, por i bëri me shenjë që t’i jepte lekët. Pasi nuk i ka dhënë lekët, maska e ka qëlluar me mjete të forta në kokë. “Ishte ora 3 pas mesnatës. Hapa portën e jashtme, edhe ai ishte në rrëzë të portës, më vuri dorën në gojë dhe ai nuk foli, por ma bënte me shenjë. Vajta në dhomën e gjumit. Nuk foli. Kisha 150 mijë lekë nga pensioni që kurseja pak nga pak, ia dhashë vetë se po mos ja jepja do të më vriste”, shprehet Kosta Shapo.
72-vjeçari invalid, thotë se dorëzoi kursimet e tij për t’i shpëtuar më të keqes, por i trembet rrezikut se grabitësi do t’i rikthehet përsëri. “Por që do më vijë prapë, do më vijë. Do marrin vesh kur unë marr lekët, ata atë punë ruajnë”, thotë ai.
Ndërsa i moshuari po merr ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, Policia e Sarandës ende nuk ka mundur të kapë autorin.
Grabitjet me maska janë kthyer frikshëm në të gjithë vendin. Dy ditë më parë u grabit një dyqan në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të së martës, ku persona të paidentifikuar kanë thyer xhamin e dyqanit me gurë dhe më pas kanë hyrë brenda. Nuk dihet ende sa është vlera totale e celularëve të grabitur. Ndërsa policia edhe në këtë rast nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.

 

Artikulli paraprakPunonjësit e naftës në Ballsh nisin protestat pa afat
Artikulli tjetërParalajmërimi amerikan për votën kundër