PSG përgatit ofertën për Alvaro Moratan

Paris Saint Germanin kërkon Alvaro Moratan. Trajneri i kampionëve të Francës, Unai Emery gjatë këtyre ditëve e ka theksuar shpesh faktin se skuadra e tij ka nevojë edhe për një sulmues tjetër, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i Zlatan Ibrahimoviç. Një emër i mundshëm për t’u transferuar në “Park De Princ” ishte ai i Kevin Gameiro, por që nuk rezultoi kështu, pasi francezi preferoi të transferohej tek Atletico i Madridit. Në orët e fundit në skenë është shfaqur një emër tjetër, ai i Alvaro Moratas. Spanjolli shihet si njeriu ideal për të udhëhequr majën e sulmit të PSG së bashku me uruguainin Edinson Cavani.
Morata shpesh ka deklaruar se kërkon të qëndrojë në Madrid, por duke qenë se preferencë e parë e trajnerit Zinedine Zidane është Karim Benzema, transferimi i tij në drejtim të Francës është një mundësi e mirë për 23-vjeçarin, pasi në këtë mënyrë ai do të ketë dhe më shumë minuta në dispozicion. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez duket se është i gatshëm të ulet në bisedime. Ndërkohë që drejtuesit e PSG do të ofrojnë për sulmuesin 60 milionë euro. Kështu në rast se palët bien dakord, klubi “Los Blancos” do ta mbyllte bilancin e operacionit “Morata” me plus 30 milionë euro.

Artikulli paraprakHysaj feston 90-vjetorin e Napolit
Artikulli tjetërMerkato bombastike