Pse Lulzim Basha prish skemën e trashëgimisë ramiziste të tranzicionit shqiptar?

Ndryshimet demokratike dhe tranzicionin në Shqipëri, vazhdimisht e ka shoqëruar “hija” që la Ramiz Alia në proceset demokratike në fillim të viteve ’90.

Herë me dëshmi të protagonistëve, herë të tjera nën vezullimet e një konspiracioni turbo-folk, debati ndizet dhe rindizet vazhdimisht.

Mjafton të marrësh në analizë disa prej deklaratave dhe qëndrimeve të Berishës së kohës, se si ato ndryshuan në pak kohë, duke iu referuar diktatorit të fundit komunist, që “udhëhoqi me trimëri Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare” apo duke iu drejtuar studentëve “ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të shokut Ramiz Alia”, që qartësojnë shumëçka ndodhi në Shqipëri pas vitit 1992, kryesisht në periudhën e parë, duke bërë çmos që në elektoratin shqiptar të krijohet një farë neverie për të djathtën.

Nuk vlen të merren në analizë kryeministri aktual Rama, sepse ai nuk e ka fshehur ndonjëherë prejardhjen nga nomenklatura komuniste, apo të Ilir Metës, i cili, siç u përfol edhe pak kohë më parë, nuk paska qenë krejt rastësisht në takimin e Alisë me studentët, çka shpjegon gjithçka që arriti më vonë në jetën e tij politike i riu nga Çepani i Skraparit.

Përveç kësaj trashëgimie të errët dhe asnjëherë të shpjeguar në mënyrë shterruese, të tre këta politikanë që kanë mbizotëruar diskurin politik në vend, siç është dëshmuar vazhdimisht dhe siç vijon të dëshmohet, të tre kanë bashkëpunuar në mënyrë të vijueshme me botën e nëndheshme të krimit të organizuar për të siguruar vota dhe mbështetje në elektorat.

Fjala vjen, nuk mund të shpjegohet ndryshe se si gjatë periudhës së “Foltores” së parë të Berishës, kjo botë e nëndheshme u bashkua së bashku dhe, ndofta në qytetet e Shqipërisë ata njiheshin si mbështetës të PS-së apo të LSI-si, në shumë prej tyre ata ishin organizatorët kryesorë të mbarëvajtjes dhe të mbledhjes së njerëzve rreth lëvizjes së Berishës.

Ashtu sikurse të gjithë këta mbahen dhe investohen nga e njëjta oligarki ekonomike, e cila vjedh shqiptarët nëpërmjet tenderave dhe parave publike që u japin me raste, Rama, Berisha dhe Meta, pastaj investojnë të njëjtat lekë për të mbajtur këta në pushtet.

Siç është dëshmuar një gjë e tillë në shumë raste, por ai i fundit, ku e ashtuquajtura “opozitë e fortë dhe e pashtitur” të pushteti, nuk guxoi të kërkojë Komision Hetimor për të koncesione miliona euro, të cilat jo rastësisht janë pronë e të njëjtit oligark, që i ka fituar nga Edi Rama, por njëkohësisht investon ekonomikisht te Berisha.

I vetmi që prishi skemën e trashëgimisë ramiziste të tranzicionit shqiptar, nuk pranoi asnjëherë të bashkëpunojë me botën e nëndheshme të krimit, duke i mbajtur ata në një largësi higjienike nga vetja dhe që është sot në sulmin e ciklonit të oligarkisë ekonomike, nëpërmjet sulmeve të vazhdueshme dhe të pareshtura mediatike, është Lulzim Basha.

Ky nuk është opinion, por një fakt i pamohueshëm, mjafton të merren faktet në analizë dhe të vendosen në rendin e duhur kronologjik.

Ndofta një gjë e tillë nuk e ka ndihmuar në jetën e tij politike Lulzim Bashës, sidomos në vitet e tij të fundit, por ai është i destinuar të jetojë politikisht me këto tri mungesa të mëdha, të cilat edhe mund të mos e sjellin asnjëherë në pushtet, por që për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë janë vlera të pakontestueshme.

Ndaj ato duhet të evidentohen dhe të shndërrohen në vlera politike, në mënyrë që gjithsekush që vlerëson dhe beson te këto vlera, t’i jetësojë politikisht./NL

Artikulli paraprakPD, Kthupi denoncon: Pse u përfshinë vetëm 2 nga 4 kontratat në Komisionin në Shëndetësi?
Artikulli tjetërPropozimit i Bashës për votën e Diasporës. Emigrantja: Të miratohet. Mos kenë frikë nga ne!