Lajmëroi takim në Universitetin e Kamzës dhe ja mbathi në Elbasan

Edi Rama duket se është i tmerruar nga protestat dhe jo vetëm të opozitës, aq sa ndërron axhendën e takimeve në moment të fundit. Kështu ka ndodhur dhe ditën e djeshme, ku teksa kishte njoftuar një takim në Universitetin Bujqësor të Kamzës ka improvizuar një takim të momenteve të fundit në Universitetin e Elbasanit, për të dhënë leksionet e tij për “reformën në arsim”, dhe për t’u shfaqur si vizionar për problemet e bujqësisë. Në e-maile-t e 124 pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës ka mbërritur një njoftim nga Sekretariati i Rektorit të këtij universiteti më datë 23 shkurt të këtij viti, ku thuhej se, “Me porosi të rektorit më dt. 27.02.2017, (ditën e hënë) ora 9.00 tek salla e B.Male do të bëhet një takim me Kryeministrin dhe ministrin e Bujqësisë, të gjithë pedagogët duhet të marrin  pjesë me përgjegjësi, përveç pedagogëve që kanë provim”. Burime nga ky universitet saktësojnë se për e-mail-in e parë nuk ka ardhur një e-mail i dytë çka ka ngjallur dyshime të forta se Rama e ka anuluar këtë takim në momentin e fundit.

Protestat

Të njëjtat burime saktësojnë, se takimi i kryeministrit nuk kishte për të qenë aq i thjeshtë. Me gjithë mungesën e studentëve për shkak të sezonit të provimeve, sërish qytetarët e atjeshëm, kryesisht ata që ka përzënë nga konviktet, por dhe një pjesë e pedagogëve dhe studentëve ishin bërë gati të zhvillonin një protestë kundër Ramës. Protestës pritej t’i bashkoheshin dhe qytetarë të pakënaqur me qeverisjen, por dhe shumë të tjerë të ndëshkuar nga kryeministri me burgosje për dritat ose çështje të tjera, si hakmarrje personale që Rama e ka të shprehur ndaj komunitetit të atjeshëm. Këto kanë qenë informacionet që kanë detyruar liderin global të arratiset drejt Elbasanit, duke sjellë dhe pështjellim të stafit të atjeshëm. Gjithsesi megjithëse të papërgatitur dhe në hyrje të ambienteve të Universitetit të Elbasanit, për Ramën nuk kanë munguar protestat, kryesisht nga studentët, të cilët kundërshtonin reformën e tij në arsim. Madje në disa prej parullave kërkohej dhe dorëheqja e kryeministrit.

Kërcënimi

Por jo vetëm kaq. Mesazhi i dërguar pedagogëve të këtij vendi, tregon dhe mënyrën se si Rama kërcënon pedagogët e këtij vendi, por dhe krejt administratën për të marrë pjesë në takimet e tij. Në një frazë të tij thuhet qartë se, “pedagogët duhet të marrin pjesë me përgjegjësi”. E çfarë mund të jetë tjetër vetëm se një kërcënim i hapur që i bëhet elitës së këtij, për t’i detyruar të marrin pjesë në takimet ku dëgjojnë vetëm broçkullat që nxjerr nga goja Rama, për çështje të cilat ose kanë prapavijë korrupsionin dhe mbrojtjen e interesave klienteliste ose nuk e ka idenë për çfarë flet. Burime nga ky rektorat, flasin se termi “me përgjegjësi” që përdoret rëndom jo vetëm në Universitetin e Kamzës, nuk është gjë tjetër vetëm se një kërcënim për humbjen e vendit të punës. Në rast mungese ose ndonjë kundërshtie që mund t’i bëhet Ramës, gjatë fjalimeve të tij, që janë fyerje për inteligjencën e pjesëmarrësve, menjëherë mund të shkarkohesh për “thyerje të kodit të etikës”, që as më shumë e as më pak është një lloj neni 55 i diktaturës komuniste “për agjitacion e propagandë” ku mendimi ndryshe burgosej, ose internohej sipas interesave të diktatorit.

Armand Maho

Artikulli paraprakTom Perez, kreu i ri i demokratëve
Artikulli tjetërSa pushtet ka presidenti amerikan?