Pse KQZ nuk mund të shtyjë rregjistrimin e koalicioneve

Nënkryetari i KQZ Hysen Osmanaj, në një intervistë për gazetën “RD” shprehet se KQZ nuk ka asnjë kompetencë të pranojë datën e shtyrjes së regjistrimit të koalicioneve ashtu siç kërkon mazhoranca me anë të letrës së saj. Osmanaj thotë se, kodi është i qartë dhe taksativ, për sa i përket afateve dhe që KQZ të mund të marrë një vendim, atëherë duhen ndryshimet në kod, të cilat janë kompetencë e Parlamentit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Osmanaj shprehet se sido që të vijë puna dhe mazhoranca në shkelje të ligjit mund të miratojë një datë tjetër regjistrimi, sërish nuk do të sillte asgjë të re, ndërkohë që opozita tashmë e ka të pamundur të futet në zgjedhje, pasi i ka kaluar afati i regjistrimit si subjekt që duhet të ndodhë jo më vonë se 70 ditë para. Pra arsyetimi i Ramës, se po e bën këtë shtyrje për të bindur opozitën është i kotë dhe qesharak. Në intervistën e tij, Osmanaj shprehet dhe në lidhje me deklaratat e një pjese të mazhorancës, e cila shprehet e vendosur për të hyrë vetë në zgjedhje. Sipas nënkryetarit të KQZ, kjo jo vetëm do ishte në kufijtë e të pamundurës, por zgjedhjet nuk do ishin asgjë tjetër vetëm se një farsë elektorale të ngjashme me ato të diktaturës, ku elektorati nuk ka alternativë zgjedhjeje. Si rrjedhim dhe institucionet e dala nga këto zgjedhje do jenë farsë dhe të kontestuara.

-Zoti Osmanaj, sot (dje) ka ardhur një kërkesë nga forcat politike për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje. Sa e mundur është kjo dhe a e ka tagrin KQZ ta marrë parasysh këtë kërkesë?
Eshtë e vërtetë që ka ardhur një shkresë, nga dy forcat kryesore të mazhorancës, PS-LSI, më konkretisht nga sekretarët e përgjithshëm të këtyre dy forcave, të cilët kërkojnë që të shtyhet data e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore. Këtë kërkesë ja bënë KQZ-së. Eshtë e përcaktuar saktë në Kodin Zgjedhor se, subjektet regjistrohen 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve, ndërsa 60 ditë para ditës së zgjedhjeve regjistrohen koalicionet zgjedhore. Do të thotë që koalicionet zgjedhore që bashkohen dy ose më shumë forca politike. Tani që të shtyhet ky afat s’është më kompetencë e KQZ, pasi ajo është e saktësuar në kod, që koalicionet regjistrohen jo më vonë se 60 ditë para ditës së zgjedhjeve, dhe jo më vonë se 60 ditë para ditës së zgjedhjeve është sot data. Por ka dhe një përcaktim tjetër ligjor, që subjektet që do të bashkohen duhet të ishin regjistruar 70 ditë përpara. Kështu që opozita nuk mund të regjistrohet edhe në rast se shtyhet ky afat, që natyrisht nuk mund të shtyhet, sepse e kemi të sanksionuar në kod zgjedhor, por në çdo rast, opozita e ka të pamundur të regjistrohet si koalicion, pasi nuk është regjistruar  as si subjekt zgjedhor. Pra, pretendimi për të pritur opozitën është i kotë.

-Pra duhet të merret një vendim tjetër kush duhet ta marrë, pasi ju thoni që është jashtë kompetencave të KQZ?
Eshtë e vërtetë që ne jemi institucioni më i lartë i administrimit zgjedhor, por gjithmonë në zbatim të Kodit Zgjedhor. Duke qenë ky përcaktim dhe kjo detyrë e jona, nuk jemi ne ata që mund të dalim jashtë Kodit Zgjedhor, ose të ndryshojmë nene në Kodin Zgjedhor. Por kodi është kompetencë vetëm e Parlamentit shqiptar, dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse forcat politike bien në konsensus dhe i propozojnë Parlamentit që në nenin përkatës të ketë ndryshime. Pra, aty ku thuhet “Jo më vonë se 60 ditë nga dita e zgjedhjeve” ta bëjnë 50 ditë apo 40 ditë. Por edhe në rast se ndodh kjo, do ishim në rregull me ligjin, por do cënoheshin shumë standardet. Kjo pasi ne i kemi të përcaktuara subjektet, dhe koalicionet kur regjistrohen dhe 50 ditë para datës së zgjedhjeve e kemi të përcaktuar që duhet të vijnë listat e kandidatëve për deputet. Po u shtynë këto afate, ne sërish do të shkojmë drejt cënimit të standardeve zgjedhore. Por, gjithsesi ne nuk mund të bëjmë asgjë për të shtyrë afatin e regjistrimit të koalicioneve, sido që ta marrim vendimin, qoftë me shumicë të cilësuar qoftë me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të KQZ, do të ishte një vendim në kundërshtim me ligjin dhe jashtë kompetencave tona. Do të thotë se çfarëdo veprimesh të tjera të marrim ne duke u bazuar tek ky vendim do të ishte në kundërshtim me ligjin.

-Në fakt një vendim u mor nga KQZ për plotësimin e KZAZ-ve?
Eshtë marrë një vendim për krijimin e KZAZ dhe anëtarë kanë sjellë vetëm dy forca politike që u takon me marrë vendime, dhe të dyja këto janë të majta. PS dhe LSI. Pastaj kemi një nen që përcakton se kur nuk marrin pjesë ato parti që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë, u bëhet thirrje partive politike që janë të atij spektri që të sjellin ata anëtarë. Të paktën një anëtar, që quhet i caktuar kryesisht që të plotësohet kuorumi dhe KZAZ të ketë mundësi të marrë vendime. Por asnjë nga partitë e spektrit të djathtë nuk kanë sjellë anëtarë, pasi kanë deklaruar që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Pastaj, ne iu jemi drejtuar Shoqërisë Civile. Kanë ardhur persona të caktuar që kanë kërkuar që të marrin pjesë në KZAZ, dhe i kemi caktuar kryesisht. Kemi caktuar nga një anëtar apo një sekretar që të ketë mundësi të marrin vendime. Por është vënë re, se pasi janë caktuar këta anëtarë kryesisht, nga kontrolli që i është bërë asaj anëtarësie dhe këtyre të ardhurave nga Shoqëria Civile është vënë re, se 20% apo më shumë e personave të sjellë kanë qenë në komisionet e mëparshme dhe kanë qenë për subjektin zgjedhor PS apo për parti të tjera të majta. Pra edhe këta të caktuarit kryesisht nuk janë nga Shoqëria Civile, por janë me përfaqësim të majtë. E djathta nuk ka përfaqësim. Pra është e pamundur të arrihen standardet.

-E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me Komisionet e Qendrave të Votimit apo jo?
Ne kemi diku tek 5340 qendra votimi, nuk është përcaktuar ende saktë, sepse janë disa qendra që janë jashtë standardeve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor. Pra, janë mbi 5300 dhe në të gjitha këto komisione duhet të caktohet nga një anëtar kryesisht, sepse opozita nuk merr pjesë. Pra, që këtu janë të cënuara standardat.

-Me një fjalë kur infiltrohen 20% në 100 qendra votimi mund të imagjinohet se çfarë bëhet në 5300 qendra?
Nuk ka kontroll të këtyre personave, pra dhe anëtarët e caktuar kryesisht mund të jenë anëtarë po të mazhorancës. Pra, ajo që duhet të them se, të gjitha institucionet që mund të prodhojnë këto zgjedhje, duke filluar që nga Presidenti dhe deri tek institucioni më i thjeshtë, për mua janë të kontestuara. Janë shumë të kontestuara. Partitë politike, duhet ta kuptojnë se, zgjedhjet nuk bëhen për forcat politike, por për elektoratin dhe ne duhet t’i krijojmë kushte atyre për të shprehur vullnetin. Në këtë rast nuk shprehet vullneti i përgjithshëm. Në rastin më të mirë, mbetet gjysma e elektoratit pa marrë pjesë në zgjedhje, në rastin më të keq institucione prodhohen nga 25-30 për qind e atyre me të drejtë vote. Çfarë zgjedhjesh mund të jenë këto? Kështu që besoj, që nëse kanë qëllime të mira, forcat politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, që të shkojnë në mënyrë të barabartë para zgjedhësve. Të gjitha duhet të kenë një standard të barabartë, që rezultati të jetë i pakontestuar.

-Zoti Osmanaj, a mund të ketë zgjedhje më 18 qershor?
Në konceptin tim që të ketë zgjedhje duhet të zgjedhësh mes dy apo shumë gjërave. Dhe në rast se spektri i djathtë nuk merr pjesë në zgjedhje, atëherë zgjedhje të tilla siç kërkohet të zhvillohen nuk do të kishin asnjë ndryshim nga zgjedhjet e diktaturës. Pra, në qoftë se ne zgjedhim vetëm nga një krah, qytetari nuk ka mundësi zgjedhjeje. Sepse në këtë vend ka pluralizëm, ka me bindje të djathta dhe me bindje të majta. Unë mendoj se nuk do të ketë zgjedhje, për arsye se nuk kanë çfarë zgjedhin në radhë të parë, nuk ka konkurencë. Dhe ligjet kushtetuese përcaktojnë qartë se, zgjedhjet janë konkurencë platformash dhe idesh. E dyta, vetë fryma e Kodit Zgjedhor është një frymë bipartizane mes pozitës dhe opozitës, pjesëmarrëse në zgjedhje të cilat kanë shumë kompetenca, por edhe detyrime zgjedhore për të kryer. Unë po ju them se vetëm administrata zgjedhore, e niveleve të dyta e të treta, pra KZAZ dhe KQV janë 50/50. Pra 50% drejtohen nga opozita dhe 50% nga mazhoranca. Pra, përveç cënimit të Kodit Zgjedhor, cënohet në mënyrë të rëndë dhe standardi i zgjedhjeve.

-Pra në rast se vazhdohet në këtë rrugë nga mazhoranca do kemi zgjedhje që nuk janë zgjedhje?
Do të kemi zgjedhje që nuk janë zgjedhje për një shoqëri demokratike. Ne kemi bërë zgjedhje të tilla në diktaturë  dhe e dimë se çfarë do të thotë. Por po ju them diçka. Në zgjedhjet e parafundit kam qenë vëzhgues në zgjedhjet në Maqedoni, jo unë, por e gjithë KQZ dhe kur nënkryetari i KQZ atje më ka pyetur atje, “Zoti Osmanaj si t’u dukën zgjedhjet”, i thashë: “Po ta them ashtu siç e mendoj. Kam marrë pjesë në zgjedhje në shumë vende të botës, por këtë herë zgjedhjet në Maqedoni m’u dukën si zgjedhjet në kohën e monizmit në Shqipëri”. Atje çdo gjë e kontrollonte shteti, çdo gjë e kontrollonte shumica mazhoranca. Vërtet s’kishte rrëmujë, apo acarim, vërtet nuk shihej se zgjedhësit po intimidohen, mirëpo rezultati ishte i parapërcaktuar. Dhe ndodhi ajo që opozita nuk hyri, dhe ndodhi që u përsëritën zgjedhjet, dhe ndodhi ajo tani ka shpresë për të ndërtuar vërtet institucione të shtetit. Dhe unë e mendoj dhe dëshiroj, që forcat politike të gjejnë gjuhën e përbashkët, të gjejnë gjuhën e konsensusit. Mendoj që ska asgjë të keqe edhe në rast se shtyhen zgjedhjet, në periudhën zgjedhore. Se për këtë periudhë mund të shtyhen e shumta një javë. Siç e dini kemi dy periudha zgjedhore. E para nga 15 marsi deri më 15 qershor, e dyta nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Për këtë peridhë zgjedhore, pra të parën mund të shtyjmë vetëm një javë, pastaj për peridhën tjetër mund të gjendet një datë nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.  Duke pasur parasysh se çfarë pasojash sjell në rast se zgjedhjet do të zhvillohen pa opozitën, unë mendoj se zgjedhjet janë më mirë të shtyhen ndoshta dhe të ndërhyhet në Kushtetutë se sa ne të prodhojmë institucione shumë të kontestuara.

Intervistoi: Armand MAHO

Artikulli paraprakKamioni u fut bosh nga Maqedonia, u mbush me 8 ton drogë në Elbasan
Artikulli tjetërFaqja e pare