Pse kjo veto e Ramës për votimin elektronik

Nga Kastriot Islami

Prej më shumë se një viti, Reforma Zgjedhore është zvarritur qëllimisht nga Rama. Me mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, anëtarët e PS në këtë komision, me urdhër të Ramës, vendosën në fund të mbledhjes veton kundër votimit elektronik. Ndonëse gjatë të gjithë kohës, sidomos në pjesën e parë të mbledhjes bënin sikur gjoja ishin dakord me reformën ose më saktë “me përdorimin e elektronikës”, për identifikimin e zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik të votave, në fund të mbledhjes treguan qartas se e gjitha kjo ishte një taktikë zvarritjeje, siç ka ndodhur prej më se një viti. Vendimi i vendosjes së vetos në këtë mbledhje të komisionit nxorri në dritë të diellit edhe qëllimin e mospranimit të përdorimit të elektronikës në zgjedhjet e 18 qershorit  si dhe taktikën e zvarritjes për arritjen e këtij qëllimi. Madje shkuan deri atje, sa të kërkonin implikimin e ndërkombëtarëve me shpresën se ata do të refuzonin futjen e elektronikës, duke mbështetur idenë e kohës së pamjaftueshme për futjen e elektronikës apo të nevojës për një projekt pilot për të vlerësuar “fizibilitetin” (mundësinë e realizimit të identifikimit biometrik, votimit dhe numërimit elektronik) në mënyrë që kjo çështje të shtyhej për zgjedhjet e ardhshme.

Një paketë ndryshimesh për të siguruar zgjedhjet e lira e të ndershme…

Kryerja e Reformës Zgjedhore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme janë fuqimisht të ndërlidhura në kushtet e një sjellje konseguente të Ramës kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Reforma Zgjedhore bazohet në vullnet politik të palëve, veçanërisht ajo përcaktohet nga vullneti i mazhorancës që kontrollon vendimmarrjen; në rastin konkret mazhoranca kontrollon madje edhe mazhorancën e cilësuar në Parlament. Një Reformë Zgjedhore me vullnetin e mirë të palëve ndërton dhe rrit besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor, duke dhënë mundësi të shkohet drejt zgjedhjeve legjitime, ndërkohë që e kundërta krijon terren për zgjedhje ilegjitime dhe rezultat ilegjitim me pasoja të rënda për stabilitetin e vendit dhe sigurinë kombëtare. Rastet e zgjedhjeve të 2013, të zgjedhjeve të pjesshme në Korçë, zgjedhjeve vendore të 2015 dhe të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, ku janë evidentuar raste të shumta të i) blerjes së votës, ii) kërcënimit të votuesve; iii) kandidimit apo përdorimit të individëve me rekorde kriminale; iv) të përdorimit të parave të korrupsionit dhe nga kultivimi i drogës; v) përdorimi i aseteve shtetërore të tilla si punësimi, asistenca sociale, asistenca e papunësisë, për “blerjen e votës” apo vi) kërcënimet për humbjen e vendeve të punës, kanë shtyrë opozitën të angazhohet si asnjëherë tjetër më parë për një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme përmes, të cilës do t’i mbylleshin dyert të gjithë këtyre manipulimeve. Prandaj kryerja e Reformës Zgjedhore këtë radhë lidhet me trajtimin e një pakete çështjesh që sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme; kjo është arsyeja përse kryerja e Reformës Zgjedhore në formën e një pakete dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme janë sinonime të njëra-tjetrës.

Pa identifikim biometrik e votim/numërim elektronik, zgjedhjet janë të rrezikuara…

Në këtë paketë çështjesh të gjithë palët e kanë të vështirë për të mos thënë të pamundur të mospranojnë se i) identifikimi biometrik i votuesve; ii) votimi elektronik dhe iii) numërimi elektronik është prioriteti i prioriteteve të reformës që garanton zgjedhjet e lira e të ndershme. Argumentat janë të shumtë. Së pari edhe PS para 5 vjetësh në opozitë, edhe PD aktualisht e kanë kërkuar identifikimin biometrik/votimin/numërimin elektronik si element prioritar të Reformës Zgjedhore; e njëjta gjë ka ndodhur edhe me LSI e të gjithë partitë e tjera parlamentare dhe jo parlamentare, edhe në të shkuarën edhe aktualisht. Së dyti, futja e elektronikës do të kishte një ndikim të fuqishëm edhe në adresimin e shumë çështjeve të tjera; konkretisht do të zgjidhte i) problemin e zvoglimit të numrit të komisionerëve dhe të depolitizimit të tyre, duke qetësuar veçanërisht partitë e vogla që s’kanë komisionerë apo numërues; ii) problemin e identifikimit të votuesve përmes vendosjes së gishtit në njësinë e identifikimit biometrik, duke eliminuar votimin me karta identiteti falso apo shmangien e bojës në gisht për eliminimin e votimit të shumëfishtë, iii) eliminimin e “blerjes së votës” përmes grumbullimit të kartave të votimit në këmbim të mospjesëmarrjes në votime; iii) problemin e nxjerrjes së shpejtë për të mos thenë të menjëhershme të rezultatit të votimit direkt në qendrat e votimit dhe në shkallë kombëtare menjëherë me mbylljen e votimeve, duke eliminuar numërimin në Komisionet e zonave, bllokimin e nxjerrjes së rezultatit të disa kutive të votimit, pasi është marrë vesh rezultati në kutitë e votimit të mëparshme apo në zona të tjera zgjedhore, apo të prishjes së kutive të votimit dhe të tensionimit për ato kuti votimi, nga të cilat varet fati i mandatit parlamentar. Pra në identifikimi biometrik/votimi/numërimi elektronik mund të konsiderohen si çelsi i zgjidhjes së shumë çështjeve të tjera që janë ngritur si shqetësime/probleme nga subjekte të ndryshme zgjedhore apo aktorë të Shoqërisë Civile.

Elementët kryesorë të paketës së Reformës Zgjedhore…

Reforma Zgjedhore është zvarritur nga Rama prej më shumë se një viti. Ajo vazhdon të zvarritet në mënyrë tinzare përmes një retorike hileqare dhe gjoja angazhimi në procesin e reformimit të Kodit Zgjedhor. Rama duket i prirur ose të mos kryejë asnjë ndryshim të rëndësishëm në Kodin Zgjedhor që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, duke akuzuar opozitën ose të bëjë disa ndryshime të parëndësishme apo të pjesshme për t’i shitur te shqiptarët e partnerët si  reformën e kërkuar. Ndërkohë është përcaktuar data 18 qershor 2017 si data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Por mbi të gjitha kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme duket një kërkesë e panegociueshme nga qytetarët dhe si përcaktuese e progresit në procesin e integrimit europian nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo trusni është duke rritur përpjestimisht me afrimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë kontekst është normale dhe e arsyeshme që opozita të vihet në ballë të këtyre kërkesave dhe të bëhet njësh me qytetarët e partnerët në mënyrë që Rama dhe partia qeverisëse të largohet nga rruga e manipulimit të zgjedhjeve. Elementë të tjerë të një pakete minimale me elementë të Reformës Zgjedhore për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme dhe rezultat zgjedhor legjitim, pra të gjithëpranuar do të ishin i) përfshirja në ndryshimet e Kodit Zgjedhor e të gjithë elementëve të dekriminalizimit; ii) çështja e financimit të fushatës elektorale, duke reduktuar fondet nga subjektet private dhe përcaktuar tavan sa më të ulët për shpenzimet elektorale; iii)përdorimi i parave të korrupsionit si dhe nga kultivimi i drogës për blerjen e votës; iv) përdorimi i aseteve shtetërore të tilla si punësimi, asistenca sociale, asistenca e papunësisë, për “blerjen e votës” apo v) kërcënimet për humbjen e vendeve të punës për orientimin e votës në favor të qeverisë; vi) çështja e lirisë e pavarësisë së medias dhe të balancimit të përdorimit të saj nga të gjithë subjektet elektorale; vii) ndëshkimi i ashpër për shitblerjen e votës, e tjerë. Natyrisht në këtë paketë duhen përfshirë të gjithë rekomandimet e OSBE-ODHIR.

Zgjedhjet e manipuluara kërcënim për stabilitetin e vendit…

Duket se Rama nuk ka asnjë vullnet për të kryer zgjedhje të lira e të ndershme. Arsyeja është e thjeshtë: sondazhet tregojnë se PS ka humbur në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen e votuesve të saj. Kjo është arsyeja që Rama kërkon që këtë rrudhje ta kompensojë me “manipulimin e zgjedhjeve”. Prandaj ai është i painteresuar për të kryer një reformë që do ta pengonte kryerjen e manipulimeve gjatë zgjedhjeve. Ky është qëllimi. Taktika është ajo e zvarritjes së reformës duke bërë gjoja sikur është i interesuar për reformën dhe duke tentuar të akuzojë opozitën e njëkohësisht të mashtrojë qytetarët dhe hedhë hi syve ndërkombëtarëve. Gjasat janë që Rama, po t’i referohemi edhe vetos të vendosur nga anëtarët e PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore kundër identifikimit biometrik/votimit/numërimit elektronik në mbledhjen e datës 13 janar 2017, të përgatitet për të manipuluar zgjedhjet. Në këtë rast të gjithë shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhte në këtë rast. A do të kishte protesta apo ballafaqim të qytetarëve me palën që refuzon të angazhohet për zgjedhje të lira e të ndershme? Në këtë rast e drejta e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, për legjitimitet të procesit zgjedhor duket tërësisht e justifikuar; ajo është një e drejtë qytetare, e Shoqërisë Civile, e medias, e biznesit, që duan të shohin vendin të progresojë në rrugën e demokracisë dhe të integrimit në BE. Nuk ka asnjë dyshim, si përfaqësuese e interesave të qytetarëve, opozita do të ishte dhe do të jetë në ballë të realizimit të këtyre kërkesave, duke u bërë zëdhënëse e tyre dhe pjesë e protestave masive popullore. Sepse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme s’është çështje e interesit politik të opozitës, por një çështje me të cilën lidhen ngushtësisht zhvillimi i demokracisë, stabiliteti i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve.

Artikulli paraprakKë pret zoti Balla?
Artikulli tjetërSeria A thërret talentin shqiptar