Pse gjithë kjo tallje e hapur dhe kaq e ekzagjeruar ndaj mësuesve?!

Namir LAPARDHAJA

Rrogat e mësuesve – u kandis kaposhi në një thelë…!!!

Qeveria tmerrësisht socialiste vijon talljet dhe mashtrimet me mësuesit. Me tam-tame të mëdha ajo na premtoi e na tha se do të rriste rrogat e mësuesve në masën 7%. Si mësues, pavarësisht se kishte disa vite pa lëvizur rroga fare nga vendi, e prita me entuziazëm të madh këtë lajm… Madje, për pak iu bashkova edhe unë korit të drejtorëve që falënderonin të organizuat lartgjatësinë e tij, Skënderbenë tonë, por hezitova se mo nuk ma pranonte dhe ma merrte për të madhe…

Dhe kur ja…, vjen mesazhi i hedhjes së rrogës dhe ç’të shohë…7% i qeverisë, në fakt, nuk është as më shumë e as më pak se 4% (në rastin më të mirë)…

Konkretisht, rroga ime ishte 60510 bruto, neto 50130; bëhet bruto 63169, neto 52138.
Pra, rritja është 2008…

Raporti i shtesës me atë që merrja: 2008/50130=4%…

Pra, rritja që unë do të marrë në dorë është vetëm 4%.

Mirëpo, ka edhe një përllogaritje më të keqe se kjo… Qeveria e ka detyrë ligjore që çdo vit të indeksojë rrogat sipas inflacionit të vitit të kaluar. E bëri me pensionet, duhet ta bënte edhe me rrogat e mësuesve. Duke qenë se neto rroga u rrit vetëm 4% – 2.8% të inflacionit të vitit të kaluar = 1.2 %… (Kjo analizë, ma nxjerr rritjen reale vetëm 1.2%).

Po mirë, mor zotërinj, pse gjithë kjo tallje e hapur dhe kaq e ekzagjeruar ndaj mësuesve, ndërkohë që për turpin e kësaj qeverie, pavarësisht se e shitën edhe këtë si rritje, mjekëve nuk iu rrit rroga këtë muaj.

 

Artikulli paraprakFol për Kosovën, por mos intrigo kundër Kosovës, zoti kryeministër?!
Artikulli tjetërLiria e Medias si iluzion…