Prova e sistemit

Bledi KASMI

Arrestimi mbrëmë i Elvis Rroshit shënon fillimin e fundit të një pushteti kriminal. Lajmi nuk është më arrestimi i Rroshit, as fshehja e dënimeve dhe burgosjeve të tij dhe as daljet e Ramës në konferenca për shtyp. Lajmi i djeshëm është se drejtësia po vret frikën. Drejtësia mund të rrënojë një vend sikurse të ngjallë shpresë duke qenë garante e të drejtave dhe lirive themelore.
Kjo drejtësi që deri dje ishte e tulatur, e  tërhequr dhe e nënshtruar nga pushteti po rikthehet tek ligji. Kjo drejtësi që me të drejtë ishte në qendër të të gjitha kritikave për inekzistencën e saj, sot është zgjuar. Nuk është e lehtë për një kastë profesionistësh në drejtësi që të përballet me një rregjim mafioz. Nuk ka qenë e lehtë një betejë e tillë as në Itali dhe askund tjetër ku mafia ka qenë e njëhësuar me shtetin.
Në një vend ku skandalet korruptive dhe lidhjet e krimit të pushtetit i mbivendosen njëri-tjetrit kërkohet një armatë e tërë prokurorësh dhe gjyqtarësh të vendosur. Kjo do të kërkonte një shumëfishim të fondeve për drejtësinë, gjë e cila nuk mund të   ndodhë me një qeveri dhe një kryeministër në konflikt të hapur interesi me krimin dhe korrupsionin.
Në vend të mbështetjes, Drejtësia po merr si shpërblim hakmarrjen e pushtetit. Një skizofren në krye të qeverisë sulmon në bllok një institucion si KLD, gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa ministri i Krimit në qeveri kërcënon dhe i bën presion të hapur gjyqtarëve.
Arroganca është simboli i këtij pushteti që deri dje ishte i paprekshëm. Sot nuk është më si dje. Drejtësia po rikthehet në detyrë, ndonëse me vonesë. Është një borxh ndaj qytetarëve të këtij vendi, që me mijëra janë larguar në këto tre vite, dhe po largohen  sepse e keqja nuk ndëshkohet në këtë vend. Kostoja e nënshtrimit të drejtësisë është e madhe ndaj edhe sot po kërkohet që ajo të varroset me projektin e kapjes kryeministrore të Reformës në Drejtësi.
Të sulmosh drejtësinë dhe drejtësia të ulë kokën, kjo nuk ndodh askund. Nëse një gjyqtari apo prokurori i bëhet presion, kërcënohet dhe poshtërohet publikisht nga një Kryeministër apo ministër dhe nuk mbron dinjitetin e tij, atëherë si mund të presë shoqëria nga këta prokurorë apo gjyqtarë që të mbrojnë dinjitetin e tyre?
Prej këtu duhet nisur. Ajo padi e KLD-së në Prokurori ndaj ministrit mund të jetë një rast unikal dhe në një situatë krejtësisht unike. Eshtë prova e vërtetë e sistemit sot. Ose KLD duhet të bjerë, ose ministri, të dy bashkë nuk kanë si të bashëkjetojnë më.
“Ata që kërcënojnë gjykatës, kryejnë një krim kushtetues, duhet të shkarkohen dhe të hetohen”, kjo ishte deklarata Nënpresidentit Biden tre ditë më parë në Shtetet e Bashkuara. Pyetja që shtrohet është a kemi ne prokurorë dhe gjyqtarë që ta kuptojnë këtë mesazh universal?

Artikulli paraprakFutboll në radio
Artikulli tjetërItalia debuton me fitore, gjunjëzohet Belgjika