Protesta s’duhet të ndalet

Gent KAPRATA

1- Çështja nuk është ekonomike, ajo nuk ka lidhje me varfërinë e banorëve të zonës, por me të drejtat dhe liritë politike të të gjithë shqiptarëve kudo nëpër troje të banuara nga shqiptarë. Asnjë qytetar nuk mund të detyrohet të paguajë më shumë se një taksë, tatim apo tarifë për të njëjtin shërbim publik. Edhe sikur miliardera të jenë përdoruesit e kësaj rrugë duhet ta refuzojnë pagesën e një tarife të tillë.
2- Çdo proteste qytetare kundër vendimarrjeve të padrejta qeverisëse është legjitime megjithëse ato mund të përfshijnë akte apo veprime antiligjore. Pra, askush nga autoritetet qeverisëse nuk mund të pengojë qytetarët të shprehin vullnetet e tyre politike, përfshirë akte të shprehjes së dhunës ndaj objekteve materiale që e simbolizojnë shkeljen e të drejtave të tyre.
3- Protesta është plotësisht politike, përderisa qytetarët kanë dalë për të mbrojtur të drejtat e tyre nga vendimmarrja qeverisëse, por aspak partiake. Asnjë parti nuk ka të drejtë të kërkojë të drejtën e drejtimit të protestës, të shprehurit publikisht si përfaqësues i saj apo marrjes së vendimeve në emër të saj.
4- Protesta nuk është antikapitaliste, sikurse shumë identitete publike duan ta shtrembërojnë, por antikastë. Pra, protesta kërkon të pengojë vendimarrje antitreg (antikonkurence) të oligarkisë politike dhe ekonomike të vendit kundër interesave të qytetarëve. Me një fjalë, qytetarët protestues po pengojnë që një grusht njerëzish të përdorin instrumentet shtetërorë kundër gjithë shqiptarëve.

5- Protesta nuk do ketë asnjë vlerë publike nëse ndërpritet tani, apo nuk drejtohet kundër të gjithë klasës politike si një e tërë. Ajo duhet të vazhdojë deri në përmbysjen e plotë të kësaj strukture ekonomike që përfaqësohet politikisht nga të gjitha partitë shqiptare dhe ka kuptim praktik nga ligji 7501 e përfundon të PPP-ja e fundit. Sepse, ka të bëjë me kuptimin e klasës politike 25-vjeçare, sipas të cilit politikanët paskan të drejta mbi të drejtat bazike të njeriut.
6- Vijimi i protestës në mbështetje të të arrestuarve në shkelje të plotë morale, ligjore e Kushtetuese, nuk mund të jetë dhe nuk është një zhvillim nepotik. Megjithëse duket sikur protestuesit janë duke kërkuar që ‘vëllezërit dhe baballarët e tyre të lirohen’, arsyet e vërteta janë komunitare deri në kombëtare. Protestuesit po mbështesin një pjesë të tyre që është rrëmbyer nga oligarkët politikë e ekonomik, si një kampion i të gjithës për të frikësuar e nënshtruar të gjithë qytetarinë që proteston.
7- Suksesi i kësaj proteste siguron parakushtet që të gjitha mbraptësitë oligarkike të kësaj kaste, si për shembull: koncesionet e shëndetësisë; dëmet në trashëgimninë natyrore e kulturore; kullat e Tiranës; e të tjera si këto, të bllokohen dhe të anullohen. Fatkeqësisht, oligarkia nuk e llogarit forcën e publikut shqiptar në debate të parcelarizura. Sapo publiku të kërkojë kthimin e këtyre koncesioneve një për një, përgjigjja do jetë si ajo për tarifën e Rrugës së Kombit. Por nëse protesta do jetë persistente deri në rrëzimin e kësaj qeverie, të gjitha koncesionet do vihen në diskutim.

Artikulli paraprakTorturat e xhelatëve të regjimit komunist ndaj Dom Lazër Shantojës, si i prenë duar e këmbë dhe e lanë të zvarritej nëpër burg
Artikulli tjetërKryebashkiaku i Lezhës në Apel, Frrokaj: Jam totalisht i pafajshëm. Avokati: Nuk ka asnjë lidhje me akuzat!