Protesta ndryshe e Iranit

Richard Kraemer

Protestat e shpërthyera në të gjithë Iranin kanë një rëndësi të paprecedent në historinë e pas-revolucionit. Ato nxiten kryesisht nga pakënaqësia ekonomike popullore e shkaktuar nga një dekadë keqmenaxhimi, nepotizmi të shfrenuar, çmimet e ulëta të naftës dhe sanksionet e ashpra. Me pak fjalë, katalizatori këtë radhë nuk është aspak ideologjik. Prostestat u përhapën në të gjithë vendin, duke u drejtuar në kryeqytet, jo duke lindur prej tij. Për momentin nuk njihet asnjë lider i protestave, ndryshe nga ato të viteve 1979 dhe 2009.
Ndryshe nga Lëvizja Jeshile e një viti më pas, ku ndoshta më pak se një milion iranianë kishin në dorë një smartphone, mbi 47 milionë sot e kanë të paktën një në dispozicion. Kur revolucioni të shpërthejë në kulmin e tij, do të transmetohet live në të gjithë botën.
Një sërë autokratësh arabë janë gjunjëzuar në situata të tilla të krahasueshme: korrupsion kronik, padrejtësi sociale dhe lëvizjet egalitare të lidhura përmes rrjeteve sociale dhe mjeteve të tjera ekzistuese të teknologjisë së komunikimit të informacionit. Megjithatë, siç na tregon edhe historia, betejat e guximshme të miliona e miliona arabëve janë përballur shpesh me sukses të kufizuar dhe ndonjëherë me dështim të plotë si në rastin e Egjiptit dhe Sirisë.
Reflektimi i këtyre eventeve që u panë nga e gjithë bota në Pranverën Arabe do të ishte i gabuar nëse do të përdorej si prizëm parashikimi për rrëzimin e regjimit iranian. Rrëzimi do të vijë me siguri, por jo tani. Në vend që të merren për të mirëqena rrethanat në të cilat do të zhvillohet protesta iraniane në paralelizëm me verën e vitit 2009, duhet ndjekur një vijë më e kthjellët analizimi i të gjithë faktorëve që e bëjnë këtë situatë të ndryshme.

Këtë radhë është ekonomia
Pritshmëritë e rrënuara sistematikisht të iranianëve për ekonominë ziejnë prej vitesh me radhë. Presidenti Hassan Rouhani hoqi dorë nga të gjitha programet bujare dhe të papërballueshme të subvencioneve të ndjekura nga paraardhësi i tij. Duhet theksuar fakti se ish-presidenti Mahmoog Ahmadinejad kishte një injorancë mahnitëse përsa i përket bazës së ekonomisë.
Megjithatë, Rouhani e bëri këtë me shpresën dhe duke bindur popullin e Iranin se, me të arritur marrëveshjen për programin bërthamor me Perëndimin, ekonomia do të hapej, duke gjeneruar rritje të madhe. Kjo ishte e vërtetë dhe rritja ekonomike, arriti vetëm të shmangte falimentimin e plotë të shtetit, por vetëm kaq. Kështu, siç ka theksuar edhe analisti iranian Mohammed Ali Shabani, vështirësia ekonomike u kristalizua në pritshmëri të parealizuara dhe në pakënaqësi civile.
Të argumentosh me naivitet se performanca ekonomike është shtysa primare e demonstratës së javës së kaluar në Iran do të ishte e pasaktë. Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm të faktit se të gjithë revolucionet madhore të shekullit 20 janë kryesisht të nxitura nga dëshira për barazi më të madhe ekonomike, ato janë gjithmonë të shoqëruara me kërkesa politike dhe me një ideologji që ulja e pabarazisë do të ofronte më shumë drejtësi sociale dhe ulje të pakënaqësisë.
Kështu, pakënaqësia ekonomike që nxiti revolucionin e vitit 1979 shprehej edhe nga fraksionet e tjera konkurruese të demokratëve liberalë, të majtëve dhe islamistëve, edhe pse secili prej tyre kishin konceptin e vet unik të qeverisjes. Edhe pse standardi i varfër i jetesës gjeneroi Revolucionin Jeshil, protestuesit e vitit 2009 fillimisht dolën në rrugë, duke thirrur: “Ku është vota ime?” – një apel qartësisht politik.
Mungesa e kërkesave të qarta politike këtë radhë sugjerojnë se, ndryshimi i regjimit në këtë rast është sekondar, ndaj mos u mashtroni nga thirrjet si “Vdekje diktatorit”. Siç ka theksuar edhe një analist: “ Iranianët janë mësuar gjatë 40 viteve të fundit duke thirrur “Vdekje (dikujt)” sa herë që janë të inatosur. Kjo thirrje mund të marrë domethënie nga më të ndryshmet që nga “Rrëzoni këtë sistem” deri tek “Rrëzoni një lider të caktuar, i cili personifikon dhimbjen e jetëve tona të trazuara”. Por mund të ketë edhe domethënie si: “Ulni çmimin e vezëve dhe ushqimeve, hapni vende pune, na zbusni pak izolimin dhe jemi në rregull”.
Nuk është rastësi që këto lloj demonstratash politikisht “pa timon” nuk kanë as lidership qendror. Ndër të tjera, njerëzit kërkojnë nga liderët që të ofrojnë zgjidhje, qasje alternative për të rregulluar diçka që nuk funksionon. Kur një individ apo grup i tillë lidershipi mungon, gjërat ngelen në dorën e regjimit që të përpiqet të ofrojë një përgjigje të kënaqshme, një zgjidhje që të jetë e pranueshme për pjesën më të madhe të protestuesve, por duke ruajtur edhe themelet e qeverisjes së tyre shtetërore.

Protesta ndryshe
A mund të bëjë regjimi riparime të mjaftueshme për t’i siguruar vetes një zgjatje të përkohshme të jetës? Ndoshta mund të arrijë ta bëjë, por jetëgjatësia do të jetë tepër e shkurtër, ashtu siç sinjalizojnë dy aspektet e tjerë të paprecedentë dhe të ndërlidhur të demonstratave të javës së kaluar.
Së pari, duhet marrë në konsideratë zgjerimi gjeografik i protestave, duke nënvijësuar shtysën e tyre ekonomike. Ky është një nivel pakënaqësie që nuk mund të arsyetohet, duke u ankuar edhe një herë nga pabesia e disa elitave urbane tradhtare. Iranianëve të të gjitha klasave sociale i ka ardhur tashmë në majë të hundës me këtë ekonomi të dobët, por gjithashtu edhe me reduktimin e shpejtë të furnizimit me ujë, ndotjes së papërballueshme të mjedisit të tyre dhe kundërpërgjigjes së turpshme të shtetit për tërmetin e nëntorit të kaluar, për të mos përmendur edhe rritjen e numrit të të rinjve që kërkojnë liri më të mëdha individuale.
Kështu Basij, milicia paraushtarake nën drejtimin e Gardës Revolucionare Iraniane, mund ta ketë të lehtë të rrahë dhe sulmojë një kryengritës, por e ka më të vështirë të rrahë një fermer të varfër që kërkon ujë për të mbjellat e tij. Po kështu, një polic i një fshati të vogël mund ta ketë të pamundur të godasë një fqinj apo kushëri me pretendimin se ai ose ajo që është duke protestuar për vende të reja pune, është në fakt një agjitator i ndonjë komploti të sajuar imperialist. Ndërmjet iranianëve ekziston akoma një lloj mirësjelljeje njerëzore që qeveria e Republikës Islamike të Iranit nuk arrin dhe nuk do të arrijë dot kurrë ta kontrollojë. Kjo është ajo që i tmerron më shumë, dhe me të drejtë.
Së dyti, kontrolli i komunikimeve nga ana e regjimit është duke u bërë dita-ditës më iluzor. I ashtuquajturi “Halal Net” nuk arrin të bllokojë me efikasitet kanalet e pafundme të internetit nga ku iranianët marrin informacionet e tyre të pacensuruara. Duke e pasur gjithashtu të pamundur të frenojë përhapjen e jashtëzakonshme të përdorimit të smartphone-ve dhe informacionin masiv që ata mundësojnë, qeveria iraniane nuk arrin dot të izolojë qytetarët nga njëri-tjetri, jo më nga bota që i rrethon përtej kufirit.

Fundi do të vijë
Nëse duam të imagjinojmë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm kanë sot mjetet e reja të komunikimit, imagjinoni sa e shkurtër do të kishte qenë jeta e Bashkimit Sovjetik nëse qytetarët do të kishin akses në informacion dhe kontaktet që kemi ne sot me njëri-tjetrin. Ndoshta Lufta e Ftohtë nuk do të kishte ekzistuar ose do të ishte zhvilluar në një mënyrë tërësisht të ndryshme.
Por le të rikthehemi në të tashmen. Ayatollah Ali Khamenei nuk do të bëjë gabimin e pafalshëm të shfaqjes së një farë simpatie për popullin e tij, apo të përpiqet të negociojë. Ai ka parë Shahun ta bëjë këtë në vitin 1978 dhe ka qenë më pas dëshmitar i ekzekutimit të pamëshirshëm të tij nga ana e opozitës.
Ana më tragjike është se, Garda revolucionare Iraniane me siguri do të përgjigjet së shpejti me brutalitetin torturues dhe vrasës të nevojshëm për të spastruar rrugët nga demostratat. Edhe pse kjo taktikë është tejet efektive, mund t’i shtyjë iranianët në greva mbarëkombëtare, një manovër efektive që ka funksionouar edhe në fund të viteve 1970. Nëse frenohet tatëpjeta e ekonomisë, atëherë Lideri Suprem mund të ketë shansin e një trajektoreje më paqësore.
Duhet marrë parasysh se vitet që sollën dobësimin e Bashkimit Sovjetik janë një reflektim më i mirë se sa Pranvera Arabe i parashikimeve për demostratat e Iranit. Nuk mjafton vetëm fakti që gjithnjë e më shumë qytetarë janë të inatosur me regjimin e qeverisë së tyre, por edhe një pjesë e mirë e elitës së regjimit, ndoshta edhe vetë Rouhani, mendojnë se sistemi është difektoz dhe i dobët. Për momentin, projektimi rajonal i pushtetit është konsideruar prioritet në kurriz të nevojave më bazike të brendshme si furnizimi me ujë. Modeli ekonomik është i zbrazët dhe ideologjia e regjimit e kalbur.
Koha kërkon një hapje të Iranit me botën. Ata që kanë marrë pjesë në revolucionin e vitit 1979 dhe qindra mijëra të tjerët që kanë humbur të dashurit e tyre në luftën barbare me Irakun janë duke ndërruar jetë njëri pas tjetrit. Ata që po i zëvendësojnë nuk kanë asnjë lidhje me sakrificat e atyre kohëve, madje shohin keqfunksionimin ekonomik dhe kufizimet në jetën e tyre tërësisht të distancuar nga ngarkesat emocionale të prindërve. Ata do të kërkojnë detyrimisht një model të ri jetese që përngjan me atë të bashkëmoshtarëve të tyre në Perëndim. Është e sigurt që një teknokrat do të ngrihet për t’i drejtuar, por ndoshta do të duhet të presim edhe pak.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakAtje ku zilia lind dhe ushqen ideologjinë
Artikulli tjetërIsh-strategu i Putinit: Kush fshihet pas Assange e WikiLeaks