Protesta, naftëtarët hipin në kullat e rafinerisë

Naftëtarët e Fierit i rikthehen protestave. “Duam punë, duam punë, duam punë”, ishin thirrjet e tyre. Punëtorët e rafinerisë së naftës në Fier përsëri në protestë, por këtë radhë ata kanë zgjedhur të hipin në kolonat kryesore të uzinës. Punëtorët kërkojnë që uzina të nisë punën, pasi ka më shumë se 7 muaj që nuk po funksionon. Ata gjithashtu kërkojnë që t’u paguhen sigurimet shoqërore, si dhe disa paga të prapambetura. Në këto kushte, duke mos patur rrugë tjetër, pasi punëtorët kanë ezauruar çdo kërkesë, atyre u ka mbetur që të shkojnë drejt sakrifikimit duke hipur në kolona prej 33 metra të larta. Janë mbi 40 punonjës, midis tyre edhe gra, të cilat kanë hipur lart së bashku me kolegët e tyre meshkuj. “Kemi hyrë në muajin e 4 të grevës për zgjidhjen e problemeve për sigurimet shoqërore që nuk janë likuiduar prej më shumë se 22 muajsh për vazhdimësinë e punës që është më kryesorja, e cila kjo uzinë ka që në datën 7 dhjetor e ndalur dhe e treta, pagat e prapambetura. Kemi informuar të gjithë spektrin e qeverisë dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha një punëtor. “Të vijë dhe ministri Gjiknuri t’i shikojë dhe ta marrë vesh si janë katandisur kështu këta punëtorë se kryeministri i gjobit ata kur punojnë në punë të zezë kurse këtë tonin nuk e gjobit fare. Kërkojnë t’u paguhen sigurimet, kanë 22 muaj që s’i kanë marrë edhe lekët muajt e prapambetura dhe uzina të vihet sa më shpejt në punë”, tha një tjetër punëtore. Punonjësit të indinjuar nga situata e krijuar kërcënojnë me grevë urie, sipas tyre kjo është pjesa më fundme që i ka ngelur, por nëse nuk plotësohet as kjo ata thonë se do të hidhen nga kolonat e rafinerisë pasi nuk kanë se me çfarë të jetojnë. Naftëtarët thonë se kanë tre paga të prapambetura, siguracionet 2 vjet pa paguar, si dhe kërkojnë rivënien në punë të UPN-së. “Si janë katandisur kështu këta punëtorë atje, se kryeministri i gjobit ata kur punojnë me punë të zezë kurse këtë tonin nuk e gjobit fare”. “Edhe ata të mos të na gënjejnë, të mos të na mashtrojnë, por të vijnë këtu këmbëkryq me ne të na sqarojnë, bashkë me atë të madhin atje lart, se ne po vuajmë edhe për bukë, dritat i do të paguara, ujin, të tëra. Ku do t’i gjejmë gjejmë?”. Sipas protestuesve, puna në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier është ndërprerë, pasi pronarët kanë kërkuar transferimin e naftëtarëve në rafinerinë e Ballshit, gjë që nuk është pranuar prej tyre. Kujtojmë se edhe më herët një punëtor i kësaj rafinerie ka protestuar për pagat e prapambetura, teksa kërcënonte se do të hidhej nga kulla. Vetëm pas ndërhyrjes së policisë dhe familjarëve të tij punonjësi zbriti nga kulla e rafinerisë. Punonjësit e ish-kompanisë ARMO, i bëjnë apel shtetit për të ndërhyrë në zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Artikulli paraprakRrezikohet investimi 93 milionë euro në by pass-et e Fierit dhe Vlorës
Artikulli tjetërVilma, 230 milionë euro koncesione në shëndetësi