Prokuroria, provë të re ndaj Tahirit për bashkëpunim me Habilajt

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur dje se administron letërporositë nga Italia dhe Greqia në lidhje me hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Mësohet se në këto letërporosi janë administruar disa prova të reja të cilat do të shërbejnë gjatë hetimit dhe që janë të vlefshme deri në korrik 2018.
Njëra prej provave që mësohet se zotëron Prokuroria dhe që mund të faktojë lidhjen e Tahirit me bandën “Habilaj” duket se është një prej daljeve jashtë Shqipërisë nga ana e ish-ministrit të Brendshëm.
Në fakt, politikani i cili dha dje dorëheqjen nga funksioni i deputetit dyshohet se nuk është regjistruar në sistemin TIMS shqiptar për daljen dhe rikthimin e tij në vend.
Dyshohet se një gjë e tillë është zbuluar nga fakti se në sistemin e vendit të huaj ku ka qenë, hyrja dhe dalja e Tahirit është regjistruar.
Ndërkohë, dje, Zëri i Amerikës, një organ i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke raportuar për dorëheqjen e Tahirit, shkruante se më parë Prokuroria kishte kërkuar arrestimin e tij “por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove”.

Zëri i Amerikës shkoi edhe më tej duke e konsideruar Edi Ramën se kishte qenë një mbrojtës i flaktë i Tahirit.
“Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte qenë një mbrojtës i flaktë i zotit Tahiri, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit”.
Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë javën e ardhshme Saimir Tahirin për të dëshmuar. Ish-ministri i Brendshëm, i cili dorëzoi sot mandatin e deputetit do të pyetet në lidhje me letërporositë e marra nga Italia dhe Greqia.
Burime nga prokuroria i kanë thënë medias se: “Do të presim të zyrtarizohet lënia e mandatit. Në raste të nevojës për një masë sigurie ndaj ish-ministrit do t’i drejtohen Gjykatës”
Disa ditë më parë u mor në pyetje truproja e ish-ministrit të Brendshëm. Hetimet për ish-ministrin Tahiri janë zgjatur deri në muajin korrik 2018.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit dje nw mesditw vetëm pasi kishte marrë garanci nga Rama se nuk do tw arrestohej. Dhe gjithçka ka ndodhur pas vënies nën kontroll të plotë nga Rama të institucionit të Akuzës. Kjo është rruga që kënaq edhe Ramën sepse në këtë mënyrë ai mund të justifikohet tek partnerët se tani ai nuk ka përgjegjësi politike ndaj Tahirit, pasi nuk ka mandat deputeti dhe është drejtësia ajo që nuk e arreston.

Artikulli paraprakOrganizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin: Në Shqipëri po vdesin njerëz nga ndotja e ajrit, Tirana një ferr
Artikulli tjetërSkandali tjetër miliona euro i Ramës me oligarkun e tij, Jaka