Prokuroria nis hetimet për zyrtarët e përfshirë në fushatë

Prokurori ka nisur hetimet për zyrtarët dhe drejtorët e shkollave dhe të shëndetësisë të përfshirë në fushatën zgjedhore. Bëhet e ditur se, pas shkarkimit të dhjetëra zyrtarëve dhe kallëzimit të tyre në Prokurori me motivacionin se janë përfshirë në fushatën elektorale, organi i akuzës ka nisur hetimet për çdo rast. Në këtë hetim janë përfshirë disa Prokurori të rretheve si Berat, Durrës, Tiranë, Shkodër dhe veprimet hetimore po kryhen për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe detyrimin e qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete politike.
Pjesa dërrmuese e të larguarve janë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetëm të shtunën, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi urdhëroi shkarkimin e 8 zyrtarëve në varësi të tij, 5 drejtorë burgjesh, 2 hipotekash dhe drejtorin e Përmbarimit Gjyqësor në Durrës. Sipas ministrit është e provuar që këta ish-zyrtarë janë përfshirë në fushatën e partive politike dhe në Prokurori kanë dorëzuar prova që i implikojnë.
Këto prova po verifikohen nga Prokuroria dhe në ditët në vijim nëse do të jetë e nevojshme do të thirren për t’u pyetur edhe personat e kallëzuar. Hetimet kanë nisur edhe për drejtorë në arsim e shëndetësi të përfshirë në fushatën zgjedhore.
Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.

Artikulli paraprakKryebashkiakja e Prrenjasit punëson 15 vetë nga fisi në Bashki
Artikulli tjetërKryebashkiaku i Pukës fyen si bandit mjeken e nderuar