Prokurorët në Itali njihen me prova të reja kundër Tahirit

 

Dy nga prokurorët që po hetojnë dosjen “Habilaj” dhe ish-ministrin Saimir Tahiri ndodhen në Itali për të siguruar më shumë prova për ish-ministrin e Brendshëm, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për trafik droge dhe korrupsion. Prokurorët shqiptarë janë takuar me përfaqësues të Antimafias italiane, të cilët kanë kryer përgjimet e grupit kriminal të Habilajve përgjatë 4 viteve të fundit. Prokurorët janë njohur me prova të reja nga videopërgjimet dhe filmimet ku ka rezultuar se në përgjimet e Habilajve janë të implikuar zyrtarë të lartë shqiptarë.
Ndërkohë, tre prokurorë të tjerë të dosjes “Habilaj”, të kryesuar nga prokurori Besim Hajdarmataj janë duke kryer veprime të tjera hetimore, si sekuestrimi i dokumenteve nga institucione të ndryshme, siç është Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë dhe Policia e Vlorës.
Akuza më e rëndë ndaj Saimir Tahiri mbetet ajo për “trafikimin e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Hetimi ndaj tij nisi pas arrestimit në Itali të Moisi Habilajt, kreut të bandës kriminale, dhe publikimit të përgjimeve të kryera nga autoritetet e Katanias.

Artikulli paraprakPPE dënon mbrojtjen politike të Ramës për Tahirin
Artikulli tjetërAudi AA 003 GB, në Vlorë me targa të ndryshuara