Audi AA 003 GB, në Vlorë me targa të ndryshuara

“Audi” me targa AA 003 GB që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ua shiti vëllezërve Habilaj ndodhet në Vlorë me targa të ndryshuara. Bëhet e ditur se vëllezërit Habilaj ia kanë shitur një personi makinën e Tahirit në muajin qershor të këtij viti, pasi e përdorën për 4 vjet për trafik droge drejt Italisë dhe Greqisë. “Audi” është shitur për të humbur gjurmët dhe për të zhdukur provat e trafikimit të lëndëve narkotike.
Gazetari Basir Çollaku shprehet se, makinën tip “Audi” të cilën ish-ministri Tahiri ia shiti Habiljave ndodhet në qytetin e Vlorës me targë të ndryshuar. Makina është parë këto ditë në qarkullim në qytetin bregdetar. “Makina është shitur para disa muajsh në qytetin e Vlorës, targa e re sipas burimeve të mia është AA 900 N…”, shprehet Çollaku. Makina e shitur tek Habilajt kishte targën AA 003 GB. Gazetari thekson se, pronari i ri i mjetit nuk kompromentohet aspak nga lidhja e “Audit” me trafikun, pasi mund të jetë dhe një qytetar i zakonshëm.
Po ashtu, Çollaku thotë se Nazëraj nuk është oficeri i vetëm që ka dijeni në lidhje me Habilajt dhe Tahirin, dhe se ata nuk dëgjoheshin në radhët e drejtuesve. “Nazëraj qëndroi për gjashtë muaj në burgun e Peqinit, ndërsa hezitonte të fliste për shkak të presionit që kishte mbi familjen e tij. Ai u arrestua për shkak se kishte informacione për ndalimin e “Audi”-t, në të cilën ndodheshin vëllezërit Habilaj. Zagani ka pasur një kurajo për t’u përgëzuar, pasi ka qenë i pari që ka dëshmuar në lidhje mbi situatën e drogës”, shprehet ai.
Prokurorët kanë kërkuar automjetin tip “Audi” me targë AA 003 GB, por pa mundur ta gjejnë atë. Pasi u denoncua si automjeti i ish-ministrit të Brendshëm, që përdorej nga Habilajt, targa e mjetit “Audi” mësohet se është çregjistruar në Drejtorinë e Transportit Rrugor. Nga një kërkim që ka bërë Prokuroria rezulton, se kjo targë nuk është më në qarkullim.
Po ashtu, hetuesit kanë kërkuar edhe automjetin, i cili ndër të tjera rezulton me hyrje-dalje drejt Italisë, aty ku kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikut të drogës Habilajt, por edhe automjeti nuk është gjetur.
Mësohet se pas çregjistrimit të targës AA 003 GB, makina është ritarguar, por nuk dihet vendndodhja e saj. Prokuroria e kërkon automjetin, pasi konsiderohet si një nga provat e hetimit të nisur, por nuk ka gjetur as makinën dhe as targën tashmë të famshme në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë kufijve.
Pavarësisht kësaj, hetuesit janë vënë në kërkim të automjetit, në banesat e Habilajve dhe në baza të ndryshme të miqve të tyre në Vlorë, Fier e Tiranë, por nuk kanë mundur dot ta gjejnë. Burimet thanë se, pas çregjistrimit të targës AA 003 GB, makina është ritarguar, por edhe me këtë targë të re të shpallur “në kërkim” në gjithë territorin e vendit, ajo nuk po gjendet dot.
Nëse arrihej që ky mjet të binte në duart e prokurorëve, do të mësohej nëse ishte ndërhyrë në pjesë të ndryshme të tij për të krijuar “xhepa”, ku zakonisht trafikantët fusin drogën. Ka dyshime se “Audi” i ish-ministrit të Brendshëm nuk përdorej në rrugët e shumta që ka bërë në Greqi dhe Itali për transport kanabisi, por për atë të drogave të shtrenjta, veçanërisht kokainës.
Ndërkohë, prokurorët e çështjes kanë hasur një rezistencë të jashtëzakonshme për të parë dhe sekuestruar dokumentacionin, që ka të bëjë me punën e Tahirit gjatë kohës që shërbente aty si ministër. Për më shumë se 10 orë hetuesit nuk janë lejuar, që të kryejnë detyrën.
Por një nga pjesët më decizive të këtij operacioni në të cilin morën pjesë edhe zyrtarë të lartë në detyrë të Ministrisë së Brendshme, të Drejtorisë së Transportit Rrugor, Doganave dhe pikave kufitare ishte zhdukja përfundimtare e “Audit”, të cilin Habilajt e përdornin jo vetëm si mjet trafikimi, por veçanërisht, si një pasaportë brenda territorin dhe nëpër të gjitha pikat e kalimit kufitar, me Greqinë dhe Italinë.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkurorët në Itali njihen me prova të reja kundër Tahirit
Artikulli tjetërKapet në Bari me 3.5 kg drogë, në pranga shqiptari