Prodhuesit shqiptarë dhe kosovarë paralajmërojnë protesta në doganë

Prodhuesit nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur të hënën në Prishtinë për të nënshkruar kërkesat specifike drejtuar qeverive të dy vendeve. Objektivi kryesor i sipërmarrjes kombëtare është heqja e barrierave tarifore dhe jotarifore për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dokumenti është nënshkruar nga “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” dhe “Klubi i Prodhuesve të Kosovës” me mbështetjen e “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”. Në total janë 10 kërkesa, të grupuara në dy hapa, ku për hapin e parë qeverive u vendoset një ultimatum kohor për përmbushjen e tyre, në të kundërt grupet e prodhuesve paralajmërojnë se do të përshkallëzohet me protesta në të gjitha pikat doganore. Lista e kërkesave është si vijon: Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 maj 2018). Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republiken e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 prill 2018). Njohja e çertifikimeve dhe analizave fitosanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe çertifikatave; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 mars 2018). Thjeshtimi i procedurave për eksportimin e produkteve farmaceutike për sipërmarrësit e Kosovës dhe Shqipërisë; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 mars 2018). Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve. (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 prill 2018). Të rishikohet kufiri për akcizën e birrës. Aktualisht është 200.000 hektolitër. Në mënyrë që konkurrenca të jetë në favor të të gjithë sipërmarrësve kërkohet që kufiri të vendoset: a) ose të ulet në 50.000 hektolitër; b) ose të ngrihet në 500.000 hektolitër. (Kërkesa i drejtohet qeverisë shqiptare, afati i përmbushjes së kësaj kërkese është 30 mars 2018). Ndërkohë, grupi i dytë i kërkesave të prodhuesve duket se ka të bëjë me hartimin e një strategjie afatgjatë që do të mundësojë tregtinë e lirë. Të hartohet një plan i përbashkët strategjik i dy qeverive, për eliminimin e të gjithë barrierave tarifore dhe jo-tarifore në qarkullimin ekonomik dhe tregtar; Të hartohet një plan i detajuar i mundësive dhe potencialeve që ofrojnë shtetet tona për një ekonomi komplementare në kontekstin e investimeve të përbashkëta; Të hartohet një axhendë e specifikuar lidhur me njehsimin e sistemeve fiskale në kontekstin tarifor dhe procedurial; Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë”, përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës” si dhe përfaqësues të “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”. (Afati për katër pikat e fundit është mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive).

Artikulli paraprakSondazhet/ Berluskoni afër një shumice në Itali
Artikulli tjetërEuro hyn sërish në trendin rënës